Paralajmërohet “okupimi global”

Protestuesit nuk kanë një qendër, nuk kanë as lider e as parti, që do të t’i organizojë, por e kanë dëshirën për ndryshime.
Ftesa për pjesëmarrje është dërguar pasi që lëvizja gjithnjë e më e fuqishme ‘Occupy Wall Street’ ka shprehur mbështetje aktive për lëvizjen ‘United for Global Change’.
Sipas paralajmërimeve, reflektimi i protestave nëpër qytetet amerikane, në kuadër të fushatës ‘Të Bashkuar Për Ndryshime Globale’ do të tubojë qindra mijëra demonstrues në gjithë botën, gjegjësisht nëpër sheshet dhe rrugët e shumë qyteteve, në shenj proteste kundër pabarazisë ekonomike dhe elitizmit politik.
“Nga Amerika e deri në Azi, dhe nga Afrika e deri në Evropë, njerëzit po ngriten për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të kërkuar një demokraci të vërtetë. tani është koha për të gjithë ne që t’i bashkohemi protestave të padhunshme globale”, thuhet në letrën e hapur të lëvizjes.
“Të bashkuar dhe me një zë, ne dëshirojmë që t’ua bëjmë me dije politikanëve dhe elitës financiare që iu shërben atyre se jemi ne, populli, që vendosim për ardhmërinë tonë. Ne nuk jemi mall në duart e politikanëve dhe bankierëve, të cilët nuk na përfaqësojnë. Do të dalim në rrugë më 15 tetor, për të iniciuar ndryshimet globale që i dëshirojmë. Do të mbajmë demonstrata të qeta dhe bisedime, derisa kjo të mos ndodhë”, thuhet tutje në njoftim.
“I gjykojmë masat e kursimit, sepse ato vetëm sa e rrisnin pabarazinë. Ato janë një sulm direkt ndaj sistemeve të shumta sociale dhe ndaj të drejtave ekzistuese sociale të fituara në betejat e kaluara. Ato masa i favorizojnë interesat private ekonomike dhe financiare, të cilat edhe janë përgjegjëse për procesin ekonomik që na ka sjellë deri në krizën aktuale”, thuhet në porosinë e publikuar në web-faqen 15 october.net.
Megjithëse, potencialisht, këtu bëhet fjalë për lëvizjen më të madhe të mundshme protestuese globale, mediat e mëdha botërore deri të enjten e injoruan këtë ngjarje. Një situatë e ngjashme vihet re edhe në mbulimin medial të aksioneve të lëvizjes ‘Occupy Wall Street’.
“Mediat e mëdha janë pjesë e sistemit aktual botëror”, theksohet në web-faqen e lëvizjes Global Change, e cila qartazi nuk është e kënaqur me këtë sistem.
Duhet ta transformojmë modelin e demokracisë dhe sërish ta përqafojmë politikën, përmes pjesëmarrjes direkte në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore. Modeli aktual i demokracisë së përfaqësuar tashmë është shpenzuar. Neve më askush nuk po na përfaqëson”, konstatohet në web-faqe.
Si rrjedhojë, njëri prej sloganeve të lëvizjes është “Nothing to lose, everything to win”.
Deri të premten, pjesëmarrjen në fushatën Global Change e kanë konfirmuar pothuajse të gjitha qytetet e mëdha në Evropë, SHBA, Amerikën Latine, Azi, dhe në rajonet tjera botërore. Duke marrë parasysh rritjen rapide të lëvizjes, supozohet se të shtunën (më 15 tetor) numri i pjesëmarrësve në protesta do të jetë goxha i madh.