E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga francezja, Rrëmbeu djalin e saj

Arratia e një nëne 35-vjeçare me origjinë libaneze e nënshtetësi franceze u mbyll në Tiranë. Mbërriti në Shqipëri me të birin fshehurazi nga Paris, pas kërcënimeve të të shoqit

TIRANË – I është dashur që të udhëtojë mijëra kilometra larg për të shpëtuar nga kërcënimet e të shoqit, që do t’i merrte fëmijën sapo të divorcoheshin. E si mënyrën e vetme për të mos hequr dorë nga i biri vetëm 3 vjeç, ka udhëtuar drejt një vendi të panjohur, për të cilin mbase kishte dëgjuar vetëm se ishte mysliman, si ajo vetë. Edhe pse për agjentët e Interpolit ngelet ende enigmë fakti pse ka shkuar aq larg Francës, ato kanë rënë brenda 48 orësh në gjurmët e libanezes me pasaportë franceze, Imen Gili, 35 vjeçe, të cilën shteti francez e kishte shpallur të kërkuar. Nënshtetasja e huaj është gjurmuar nga Interpol Tirana dhe është ndaluar nga agjentë të Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, teksa po ecte në rrugën e “Kavajës” me të birin. Rasti i paprecedent deri më sot ka kapur shtetasen franceze të shpallur në kërkim, pasi kjo e fundit ishte denoncuar para tri ditësh në Paris nga i shoqi, se kishte udhëtuar jashtë kufijve dhe kishte marrë djalin e tyre pa lejen e tij. Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Tiranës, u tha se “Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit ka mundësuar kapjen e shtetases me kombësi franceze Imen Djilli Gili, 35 vjeçe, banuese në Francë. Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Parisit, sepse akuzohet për nxjerrjen jashtë territorit të shtetit francez të fëmijës së saj, pa lejen e bashkëshortit”. Ndërkohë që, në bazë të Kodit Penal francez, mësohet se menjëherë pas denoncimit të kryer nga ish-bashkëshorti i saj në Francë, kanë filluar hetimet mbi gjetjen e saj dhe të fëmijës. Por nga burime të besueshme policore mësohet se, pasi është lokalizuar dhe ndaluar, Gili ka deklaruar se kishte zgjedhur Shqipërinë për të humbur gjurmët, pasi destinacioni i saj ishte vendlindja, Libia, ku do të jetonte bashkë me djalin, larg të shoqit. Nënë e bir iu dorëzuan autoriteteve të ambasadës franceze të atashuar në Tiranë dhe pritet që menjëherë të ridërgohen në Francë, atje ku tani gruaja me origjinë libaneze do të duhet jo vetëm të ndjekë procesin e saj të ndarjes, por dhe të luftojë më fort për të mbajtur të birin, për të cilin do të akuzohet se e ka “rrëmbyer”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›