Mediut i hiqet imuniteti me 101 vota, 23 deputetë kundër

Kuvendi i ka hequr me votim të fshehtë imunitetin deputetit Fatmir Mediu duke autorizuar kështu Prokurorinë e Përgjithshme që të nisë procedimin penal ndaj tij. Po heqjes së imunitetit të Mediut kanë votuar pro 101 deputetë të parlamentit kundrejt 23 deputetëve që kanë votuar kundër. Ndërkohë, në rezultatin e mbrëmshëm janë vënë re edhe 2 abstenime dhe 2 vota të pavlefshme. Në votimin e mbrëmshëm, 12 deputetë nuk kanë marrë pjesë në votim.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e ka cilësuar votimin e djeshëm si një akt formal, ndërsa tha se imunitetin e kishte dorëzuar që në momentin kur ndodhi ngjarja, më 15 mars. Në fjalimin e tij para deputetëve, Mediu deklaroi se nuk e ndjente veten me përgjegjësi ligjore për ngjarjen, ndërsa tha se përgjegjësitë morale i kishte marrë përsipër, që me dorëheqjen e tij. Ai hodhi poshtë një nga një të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria, duke argumentuar se për gjithçka kishin dijeni strukturat ushtarake. Ndërkohë, ai vlerësoi gjithashtu edhe punën e Forcave të Armatosura, ndërsa tha se argumentimet e tij për përfshirjen e strukturave ushtarake kishin si qëllim vetëm hedhjen poshtë të akuzave të prokurorisë. Përzgjedhjen e Gërdecit si vend për demontimin e armëve, ai e cilësoi si një gabim. Gjatë fjalës së tij, Mediu mohoi sërish që të ketë pasur ndonjë lidhje me pronarin e firmës që demontonte në Gërdec, Mihal Delijorgjin, por as me Patrik Henrin, për të cilin mohoi që të jetë takuar ndonjëherë. Ndërkohë, ai tha gjithashtu, se do të vazhdonte të ishte sërish në politikë si deputet i republikanëve, ndërsa akuzoi politikën për sulme ndaj tij. “Kjo që më ndodhi është provë e rëndë, por që nuk do të ma zbehë vullnetin për politikën. Disa prej pjesëtarëve të mazhorancës dhe të opozitës më kanë dhënë zemër. Kanë qenë më të pakët nga sa kisha pritur”, tha Mediu ndër të tjera në fjalimin e tij. Ndërkohë, ai vlerësoi se puna e tij në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes ishte bazuar vetëm mbi interesin kombëtar të heqjes së rrezikut që vinte nga municionet e tepërta dhe jo për interesa personale.