E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqizoi Himarën, sot Bollano në gjyq

Kryebashkiaku i Himarës do të përballet me togat e zeza, pasi akuzohet për heqjen e tabelave rrugore nga Qeparoja në Llogora, me synimin për ti bërë ato greqisht

VLORË - Sot në orën 9:00 pritet të zhvillohet seanca e parë gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”. I pandehuri Vasil Bollano akuzohet nga Prokuroria e Vlorës për heqjen e sinjalistikës rrugore nga fshati Qeparo deri në Qafë-Llogora, me pretendimin se sinjalistika duhet të ishte e shkruar në greqisht, në mënyrë që t’i përgjigjej komunitetit vendas. Pikërisht për këtë arsye, pak kohë më parë disa banorë të zonës u ankuan në organin e akuzës në Vlorë, duke u shprehur se ky veprim shkaktonte kaos në qarkullim, sidomos për pushuesit e huaj, të cilët me më shumë gjasa nuk kuptojnë greqisht. Pas verifikimeve të para, u nxor konkluzioni se punonjësit e Policisë Bashkiake të Himarës i kanë hequr tabelat, që më pas u shitën për skrap, me urdhër të Vasil Bollanos, shkelje kjo e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari tashmë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë. Vetë kryebashkiaku Bollano i pyetur në lidhje me këtë çështje, e ka pranuar heqjen e tabelave në fjalë, duke ngritur pretendimin se “në sinjalistikën rrugore veç gjuhës shqipe, duhej të shkruhej edhe në greqisht, duke qenë se në këtë zonë bën pjesë edhe komuniteti minoritar grek”. Në dosjen hetimore me të pandehur Vasil Bollanon, prokuroria ka dërguar si provë në gjykatë urdhrin e lëshuar nga kryebashkiaku, i cili tashmë është sekuestruar, dëshmitë e disa banorëve që kanë parë punonjësit e Policisë Bashkiake të Himarës në aksionin e largimit të tabelave me urdhër të të pandehurit etj. Prokuror i çështjes është Sokol Malaj, kryeprokurori i Vlorës, mbrojtjen e ka marrë përsipër avokati Petraq Curri, ndërsa trupi gjykues kryesohet nga gjyqtari Shkëlzen Selimi. I pyetur në lidhje me dosjen në ngarkim të Bollanos, organi i akuzës, i përfaqësuar nga Malaj, nuk ka dashur të bëjë publike të tjera fakte, të cilat do të dalin në pah gjatë gjykimit. Bollano akuzohet për konsumimin e veprës penale “shpërdorim detyre” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe që dënohet deri në 7 vjet burg.

Urdhri u miratua në një mbledhje urgjente

Tabelat u hoqën brenda muajit dhjetor 2007 nga punonjësit e Policisë Bashkiake të Himarës, ndërsa vetë kreu i kësaj bashkie tentoi t’i zëvendësojë ato me tabela të tjera, ku veç gjuhës shqipe e asaj anglisht, të ishte edhe ajo greqisht, kërkesë kjo që u rrëzua disa herë nga Prefektura e Vlorës, që drejtohej nga Kreshnik Alimerko. Edhe pse arsyetimi i këtij institucioni për këtë veprim ishte që “nuk ka pasur bazë ligjore dhe se kjo zonë nuk është minoritet, ashtu siç është një zonë e Gjirokastrës apo zona të tjera në veri”, Bollano e bëri synimin e tij fakt të kryer. Ai shfrytëzoi një moment, kur disa nga këshilltarët bashkiakë nuk ndodheshin në Himarë, për të thirrur një mbledhje urgjente, në të cilën u miratua heqja e tabelave rrugore. PBDNJ-ja pati vetëm 6 nga 17 anëtarët, por edhe pse në pakicë, ky grup këshilltarësh arriti të miratojë propozimin e kryebashkiakut Bollano për vendosjen e tabelave në greqisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›