E Shtunë, 31 Tetor 2026

Së shpejti në ring

Luan Krasniqi mund të buzëqeshë, pasi meçi i anuluar me Johnathon Banksin pritet të mbahet shumë shpejt. Këshilltari i 39-vjeçarit, Christoph Schickhardt siguron se ky meç do të zhvillohet në periudhën në mes të muajit prill e qershor. Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 12:05

Anulimi i meçit të 26 shkurtit me amerikanin Johnathon Banks nuk do të thotë se përfaqësuesit e Luan Krasniqit po rrinë duarkryq.
Përkundrazi. Mediat gjermane shkruanin të martën se organizatorët e Arena Ludwigsburgut janë duke negociuar që ta gjejnë sa më shpejt një datë të përshtatshme për zhvillimin e këtij meçi, i cili u anulua pas sëmundjes së boksierit kosovar, i cili pati një infeksion në sinus.

Këshilltari i 39-vjeçarit, Christoph Schickhardt ka treguar se junikasi aktualisht është zemërthyer, pasi mezi priste t’i rikthehej ringut, pas më shumë se dy vjetësh pauzë.

Mirëpo, ai premtoi se po bëhen të gjitha përgatitjet që meçi Krasniqi-Banks të zhvillohet, maksimumi në mesin e këtij viti. “Është një periudhë korridori ndërmjet mesit të prillit dhe mesit të qershorit”, konfirmoi Schickhardt.

Madje, mediat gjermane shkruajnë se biletat e shitura për meçin e 26 shkurtit do të mbeten në fuqi, për datën e re.

Krasniqi ishte në një formë të shkëlqyeshme, të cilën e shfaqi gjatë fazës përgatitore. Ai e priste me padurim këtë meç, i cili do t’ia hapte dyert e luftës për titull të kampionit të botës, me njërin nga vëllezërit Klitschko.

Sidoqoftë, ëndrra e Krasniqit nuk është shuar ende. Pasi të shërohet, ai do t’i rifillojë përgatitjet, që ta pret i gatshëm dhe në formë meçin ndaj amerikanit Banks, i cili pritet të zhvillohet në periudhën nga mesi i muajit prill deri kah mesi i muajit qershor.

Edhe përfaqësuesit e Johnathon Banksit janë shprehur të gatshëm që boksieri amerikan t’i kryqëzojë dorëzat me boksierin kosovar, në një datë tjetër. Njëjtë si Krasniqi, edhe Banks synon që të fitojë dhe më pas të luftojë për titull të kampionit të botës. Meçi Krasniqi-Banks vlerësohet si parakualifikim për titull të kampionit të botës për peshat e rënda.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›