Në pritje të referendumit, Berisha miraton hyrjen e 3600 ton mbeturinave plastike në Shqipëri
Ndërkohë që aktivistët e shoqërisë civile presin referendumin për të ndaluar importin e plehrave në Shqipëri dhe opozita ka deklaruar se brenda 100 ditësh do e shfuqizojë këtë ligj, qeveria e Sali Berishës ka marrë vendim për të lejuar hyrjen në Shqipëri të 3600 ton mbeturina plastike.
Vendimi i lejon shoqërisë ANSA që të sjellë në Shqipëri nga 3600 ton mbeturina të polietilenit nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe vendet e BE-së.
Qeveria vendosi autorizimin e shoqërisë ANSA, sh.p.k., për importin e mbetjeve të polietilenit, me kodet GH 011ex 391510 dhe B1 – B3010, të Konventës së Bazelit, aneksi 1 Mbetjet e listës së gjelbër, referuar vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen, për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi, të ndryshuar.
Sasia e mbetjeve të polietilenit, që do të importohet sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 3 600 (tre mijë e gjashtëqind) tonë në vit.
Mbetjet do të importohen nga shteti i Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, dhe vendet e Bashkimit Europian. Transporti të bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të plotësohet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, thuhet në vendimin e qeverisë./ep