Në pritje të reformave në Kosovë
Diplomatët nga vendet që e kanë njohur Kosovën e pavarur e vlerësojnë lart përparimin në Kosovë, ndërkaq tani presin reforma të përgjithshme, të cilat parashihen edhe me pakon e Ahtisaarit.
Prioritetet, të cilat unë i kam identifikuar, janë decentralizimi, e dyta, sundimi i ligjit dhe, e treta, reformat në fushën e sigurisë.
Këto reforma, do të zbatohen në koordinim të ngushtë me misionin e EULEX-it dhe KFOR-in. Për t'i zbatuar do të duhet që në Kosovë tash të themelohet Gjykata Kushtetuese dhe të emërohen gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë. Në lidhje me reformat në sektorin e sigurisë, aty mes tjerash parashihet që në bashkëpunim me NATO-n, deri në mesin e vitit 2009, të vihen bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, duhet pasur parasysh se do të ketë nevojë edhe për një gjendje më stabile në veri të Kosovës dhe për funksionalizimin e pikave doganore me Serbinë.
Me këto çështje do të duhet të merret EULEX-i pasi të jetë shtrirë në Kosovë. Çështje si kjo do të duhet të adresohen në dialogun Prishtinë - Beograd, të cilin po përpiqet ta moderojë shefi i UNMIK-ut.
Në Kosovë ka nevojë për reforma, duke pasur parasysh problemet e grumbulluara me vite, që janë shfrytëzuar nga grupe të ndryshme të interesit që të mbajnë peng zhvillimin e sektorit të sigurisë dhe drejtësisë.
Janë vështirësi mentalitetesh, por edhe vështirësi e ballafaqime të grupeve të interesave të ndryshme. Por, jemi të zotuar që të punojmë me përgjegjësinë më të lartë të standardeve perëndimore, në mënyrë që reformat jo vetëm të mbeten në letër, por që realisht të implementohen.
Ndërkohë, nuk duhet harruar që të gjithë policët, gjykatësit apo doganierët serbë që i kanë lëshuar organet legjitime të Kosovës, mund të kthehen në punë, por me kusht që t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë edhe sot ata, por i ka tri kushte themelore secili që do të punojë në institucionet e Republikës së Kosovës.
Kushti i parë është që do të vlejë ligji i Republikës së Kosovës, kushti i dytë është që do të ketë vetëm një sistem unik, qoftë për policinë, drejtësinë apo për këdo tjetër, dhe kushti i tretë është që do të jenë nën hierarkinë institucionale të Republikës së Kosovës.
Mbi 2 mijë gjykatës, prokurorë, policë dhe doganierë të vendeve të Bashkimit Evropian pritet të vendosen në Kosovë deri në fund të vjeshtës së këtij viti, përderisa problem më vete ende mbetet shtrirja e këtij misioni në pjesën veriore të Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të serbëve
*Autori është Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë