E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lekët e Partisë

Mëse dy vite më parë, kur PD-ja kish nisur të shijonte të mirat e pafundme të pushtetit ekonomik, disa figura të saj u ndjenë si të zënë me presh në duar, kur motoja elektorale e vitit 2005 “Koha për Ndryshim” thirrej publikisht “Koha për lekë”.

Prej atëherë ka kaluar shumë kohë dhe ka rrjedhur më shumë lekë se ujë. Por edhe më shumë lekë do të vijojë të rrjedhë, sepse afrimi i fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, paralajmëron “merkaton multimilionere” për kandidatë që investojnë për të hyrë në listën e mbyllur të partisë dhe parti që do të dojë të mbajë pushtetin duke blerë edhe votën më të pamundur.

Dy ditë më parë, rrotull selisë së PD-së i kishe të gjithë personazhet që do të jenë figurantët e spektaklit politik që pritet të nisë. Ndërsa deputetët blu ishin në seancën plenare, në lokalet afër selisë së Kuvendit dhe PD-së, gjeje nga të gjitha llojet: individë të përzier në skandalin që goditi mijëra fshatarë barktharë me misrin pa kokrra; fitues tenderash shumëmilionësh për Lote rrugësh kombëtare; drejtues vendorë të PD-së që ankoheshin pse elektorati i tyre është i mërzitur nga mungesa e një transformatori, mos-mbarimi i ujësjellësit të nisur 4 vite më parë, djemtë që nuk ra dakord t’ua vishte paqeruajtës ish-ministri republikan etj.

Ishte edhe një individ që prej vitesh printon një “gazetë”, qëllimi i vetëm i së cilës është demonstrimi i hysmetllëkut ndaj Berishës. Prej dy javësh, ky po masakrohet psiqikisht dhe po ia nxjerrin për hundësh ato miliona euro që ka marrë me tenderat e qeverisë. Është bërë gazi i qarqeve mediatike të Tiranës, sepse dy të njohur të tij, të shpallur “armiq” nga Berisha, po e marrin ditë për ditë në telefon, duke i thënë se kanë në duar dokumente dhe prova që e inkriminojnë atë me masakrën e Gërdecit dhe me implikimin e djalit të vetëm të Kryeministrit. “Do të të bëjë kokë turku doktori, do të të arrestojë!” - i thonë përnatë, dhe ai e di që mund të përdoret siç u përdor ish-kryetari i komunës së Golemit apo ish-Zëvendësministri i Rrugëve (që e mbajtën në burg disa muaj për ta liruar, ndërsa rrugët e Shqipërisë po bëhen si pëlhura e Penelopës).

Po të ishte rast i vetëm, ky printues anekdotik do të ishte një mizë kali për buxhetin e shtetit. Por për fatin e keq të vendit, këta janë shtuar shumë, do të shtohen në muajt në vijim me afrimin e ditës së zgjedhjeve dhe kjo është pikë kritike për financat e taksapaguesve shqiptarë.

Në emër të mbledhjes së fondeve kolosale që partisë në pushtet i duhen për luksin dhe blerjen e votave, qeveria po ndjek një politikë selektive ndaj bizneseve, trajtimit të tyre dhe detyrimeve që ata duhet të paguajnë për llogari të buxhetit.

Nëse do të ishte një kryeqeveritar që e ka në gjak antikorrupsionin, Berisha do të ishte përgjigjur në celularin e vënë në dispozicion, shqetësimeve të punonjësve të ndershëm të shtetit, që po bien viktima të politikës selektive që ndjekin doganat dhe tatimet, duke stimuluar kontrabandën dhe evazionin fiskal. Prej shumë muajsh punonjësit e Task-Force që paguhen nga shteti, shohin se si përnatë nëpër rrugët kombëtare kalojnë autokolona me trajlerë të pazhdoganuar. Janë mallra me akcizë të fortë që futen në vend kontrabandë, janë kafe, karburante dhe duhane, që kontrollohen, sigurisht, nga individë të lidhur me qeverinë.

“Qeveria tjetër”, ajo e “shtetit ligjor” ditë-natë kontrollon nga dera kryesore bizneset e pabindura dhe i ndëshkon ato maksimalisht, nëse malli që nxjerrin nuk është sa ai i deklaruari në fletë-dalje. Këto mallra përveçse nuk derdhin detyrimet te buxheti i shtetit, por te ai i partisë, vjedhin konsumatorët kur dalin në treg, sepse edhe sot e kësaj dite, bie fjala karburanti është po ai i shtrenjti i kohës së krizës botërore të karburanteve dhe është më i shtrenjtë se në Europën e kamur ku qeveritë e përgjegjshme nuk të lënë të blesh politikisht Doganat dhe Tatimet dhe të mos derdhësh detyrimet për buxhetin.

Prej tre vitesh, populli përreth Tiranës po bën sehir masakrën e tokave dhe trojeve, kryekomunarë që gdhihen milionerë dhe sejmenë të tyre që ndërrojnë makinat luksoze si mbreti gratë. Berisha del në televizor me ta, duke i detyruar të vënë krahëqafë shiritin e pushtetarit vendor, dhe bashkë me ta pret shirita për vepra që mbesin në letër.

Nuk është habi kur ndonjëri prej tyre të jetë nesër i pandehuri i radhës, sepse qeverisë i duhet të bëjë ndëshkime publike, të cilat nuk kanë arritur të dekurajojnë abuzimin e atyre që po bëjnë biznes në emër të partisë në pushtet. Është kjo blerje politike që iu është bërë financave të shtetit që e çon vit pas viti Shqipërinë drejt parametrave negativë në zhvillimin ekonomik, klimën e biznesit dhe transparencës së organeve shtetërore, siç ishte renditja më e fundit në raportin e Bankës Botërore.

E vetmja gjë e sigurt deri më sot është se buxheti i shtetit po sakrifikohet jo vetëm publikisht, por edhe nëntokë, për të mbushur thesin e financave të partisë ende në pushtet, sërish në emër të një tjetër fushate elektorale për pushtet të pamerituar.

Pasojat që do të lërë në ekonominë vendase transferimi i fondeve publike për interes të partisë do të shihen pas zgjedhjeve parlamentare dhe do të jenë një kosto tjetër publike që do të duhet ta paguajnë shqiptarët e paqeverisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›