E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në protesta” klith Edvini, se ka frikë nga integrimi

Sa më e rëndë të jetë fajësía e një mëkatári, aq më fort ai ngul këmbë në fshehjen e motiveve të saj. Edhe Edvinit i duhen protestat për të maskuar synimet e tij meskíne. Prandaj ai shpif edhe në gjumë ndaj kundërshtarit. Kur dështaku vihet me shpatulla për muri, ngre një mal me shpifje ndaj sfiduesit. Përgjithsisht, njerëzit shpirtvegjël janë akuzatorë të mëdhenj. Politikani mizor i urren viktimat e tij. Rama përçmon mëkatet e veta duke i paraqitur ato sikur i ka kundërshtari. Tiranët e ndiejnë braktisjen e turmave, ndaj organizojnë tubime, biseda, protesta dhe “rebelime”. Vetëm mes të pakënaqurish imagjinarë gjen pak qetësí shpirti i tyre i pa penduar. Kurse, ai që përbuz popullin e vet, vdes i vetmuar. Kush kërkon pushtet me dhunë, arrin të nxitë madje deri edhe “mosbindjen civíle”. Më shumë se të tjerëve diktatorët u tremben qëllimeve të veta të mbrapshta. Tiránët që s’kanë pushtet, zakonisht mbledhin rreth vetes njerëz të dhunshëm. Jo më kot komunizmi parapëlqente “revolucionarin” (xhahílin ) përpara njeriut të mirë. Despotët janë doemos egoistë të përbindshëm. Ata qajnë natën për gjëmat që bëjnë ditën dhe të nesërmen vazhdojnë qetësisht veprën e vet kriminale. Shpesh mëkatarët mbeten peng i mëkateve të tyre. Rama, ndonëse bëhet ortak me të korruptuar, nuk u ka besë as ithtarëve të vet. Ndoshta prandaj diktatorët mbeten pengje të pabesísë së tyre. Frika e mëkatit prodhon hipokritë. Meqë Enver Hoxha nuk donte njerí, shtirej i dashur me të gjithë. Ai pushkatoi edhe ata që i kishin shpëtuar kokën. Mirësía e fyen shpirtligun. Nuk mund të jetë mirënjohës ai që mendon keq për të tjerët. Kur dhembshuría nuk shoqërohet me vepra bamirësie, është vetëm një tallje. Meqë Edvin Rama i kapërcen me fjalë kufijtë e filantropisë, nuk sakrifikon asgjë për të tjerët. Ai vallzon tango pa iu tharë lotët për mjerimin e njerëzve të thjeshtë. Ky “antikomunist” i gjoja orëve të para ka grumbulluar sot rreth vetes pinjojtë më fanatikë të xhelatëve komunistë. Dhe, meqë këta sharlatanë nuk kanë parime, betohen së bashku me të për principe të shenjta. Enver Hoxha i zhduku thuajse krejt ata, me të cilët bëri “revolucionin”. Dhe dishepujt e tij sot nuk ia harrojnë mësímet. Ndërsa satrapit të djeshëm stalinist iu deshën “kukulla” sadiste, Ramës i lypsen mercenarë të paturpshëm. Por si “modern” që është, ky ia kalon në hipokrizí edhe “ustait”. Mirpo i ka ngecur shara në gozhdë. Hapja e Shqipërísë ndaj qytetërimit po ia ngushton sferën e cinizmit, ndërkohë që po i zgjeron hapësirat e dhelpërisë meskine. Frika nga mëkatet i pakëson guximin, kurse tmerri nga forca e ligjit i pasuron dyfytyrësínë. Kokëfortësia i është bërë proverbiale. Ambicia për pushtet ia ka dobësuar arsyen. Ai që dje e njohu ligjitim pushtetin e mazhorancës, deklaron sot se i ka fituar vetë zgjedhjet. Por, kur dikton që të gjithë çmojnë si të arrira standartet e zgjedhjeve të qershorit, çoroditet aq sa kërkon edhe “mosbindje civile”. Por, si dhelpra plakë e dallon shqetësímin e Shqipërisë paqësore, ndaj hedh sloganet “Nuk nxitim arsyen e forcës, por forcën e arsyes!”. Edhe Enver Hoxha tentoi t’i “justifikonte” krimet e tij, duke i detyruar njerëzit, madjé, t’ia brohorisnin monstruozitetet. Edvin Ramës i duhen të tilla sofizma, ngaqë e ndien se kërkesa e hapjes së “kutive” i doli një bllof. Prandaj, në përpëlitjet për të dalë nga situata, fantazon se edhe rritja e çmimit të një produkti na i paska rrënjët te kutitë e pahapura të votimit(!). Taní “forca e tij e arsyes” po krahasohet nga shqiptarët me “arsyen e mosarsyes së Don Kishotit”.
Pinjoll i kastës kriminale, që djé sundoi pa kundërshtarë, Edvin Rama po kërkon izolimin e Shqipërísë, në emër gjoja të përsosjes së demokracisë. Ai ulërin për tansparencë, pikërisht pse tmerrohet prej saj. Rama deklarohet për liberalizim vizash, kur s’e zë gjumi, që shqiptarët do të europianizohen. Nuk do mëkatari as drejtësí, as barazí para ligjit, aq më pak mbretërím të vetë ligjit. Rama, ky trim i “çartur” kundër vartësve të vet kryeneçë, nuk e duron dot individualizmin. Ky anarkist i degraduar e ky despot “liberal”, është më i rrezikshëm se një tiran i lindur. Sepse ky trembet nga drita si djalli nga temjani. Dhe nuk e dëshiron hapjen e Shqipërísë, ngaqë synon ta shndërrojë këtë në “çiflikun” e vet. A derdh lotë gëzimi, tek sheh familje shqiptare në nevojë. I dështuar në politikë, ai tenton të mbijetojë duke sajuar pakënaqësí të paqena. Nuk ka më të rrezikshëm se diktatorët mediokër ! Ashtu si nuk ka më dëmprurës sesa ata që marrin poste të pamerituara. Enver Hoxha u bë “i tmerrshëm” pikërisht pse e ndiente që nuk meritonte as t’u fshinte këpucët shqiptarëve. Njerëzit pa vlera janë hakmarrës të mëdhenj. Ata dënojnë tek të tjerët veset e veta. Edvin Rama nuk i duron dot sukseset e një mazhorance, e cila po tregohet ndaj tij kaq tolerante dhe konsensuale. Nuk duron dot mëkatari qetësinë fisnike të shtresave, që e mbështesin të djathtëm, edhe pse nuk i kanë fituar endé të gjitha ato që meritojnë. Në tolerancën e martirëve të demokracisë ai sheh fundin fatal të bandave, që ka grumbulluar rreth vetes. Ndoshta prandaj u bën thirrje pronarëve dhe ish-të përndjkekurve ta mbështesin, meqë është një pinjoll i papenduar i vrasësve të tyre !
Njëmijë protesta të bëjë Rama me shokët e tij nuk do të arrijë kurrë të trondisë të drejtën morale të atyre që, për të ardhur këto ditë, sakrifikuan ç’kishin më të shtrenjtë. Rama me bandat e mercenarëve të tij nuk arrin dot të mashtrojë asnjë nga ata, që e dinë se ç’fshihet prapa “zgjedhjesh ideale”, “votimesh me standarte imagjinare”, mosrespektim institucionesh, apo krijim “turbullirash”, nga të cilat mund të përfitojnë vetëm ata që i ka mbytur zullumi.
Mirëpo Rama e di edhe vetë se nuk mund ta pengojë dot liberalizimin e vizave, as integrimin e Shqipërisë në BE. Si i dështuar, ai s’ka rrugë tjetër. I mbyturi, thotë populli, mbahet pas flokëve të vet. Ndërkohë mazhoranca i ka dalë borxhit. Nëse Rama shkon me kokëfortësí drejt një fundi të turpshëm, askush nuk ia ka fajin. Përveç atyre që po i besojnë gënjeshtrat e tij duke i shkuar pas. Janë të rrallë ata politikanë shartlatanë, që e djegin kështu karrierën e tyre me inatin e asaj vajzës cmirzezë, që ulërinte: “Të shoh nënën pa burrë, pa le të mbetem pa babá!”. Por Shqipëría do t’i arrijë aspiratat e saj, sepse edhe bota e qytetëruar ka nisur t’i njohë mirë “ngërçet” e arrogancave “revolucionare” të Edvin Ramës me shokë!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›