E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet skeleti i parë në varrezën e kampit Ballshit

Rezultat i qenësishëm i Taske - forcës për gjetjen e eshtrave të personave të ekzekutuar gjatë regjimit komunist

Ditën e djeshme grupi i Taske-Forcës me ndihmën dhe kontributin e komunës qendër të Ballshit si dhe deputetit të Qarkut Fier, Enkelejd Alibeaj, arriti që të bëjë identifikimin e parë si dhe të nxjerrë të burgosurin e parë të varrosur në varrezën e fshatit Panahor të Ballshit. Kjo task-forcë është për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të ekzekutuar apo vdekur në burgje gjatë regjimit komunist, është krijuar në bazë të VKM-së, nr.133, datë 24 shkurt 2010. Në punën e kësaj task - force ka qenë e para edhe varreza e Panahorit në Ballsh. Megjithë terrenin e thyer, u arrit sipas të gjitha kritereve profesionale, shkencore dhe ligjore, të identifikohej viktima e parë e varrosur në Panahor. Viktima ishte hedhur pa asnjë rregull në gropën e hapur për varrosjen e tij. Eshtrat ruanin të njëjtin pozicion si ai që kishin pasur më 19 qershor 1977, ditën kur ishte kryer edhe varrimi. Nga të dhënat paraprake të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, bëhet e ditur se emri i personit është Mustafa Korocka, i akuzuar më 1969 për “tradhti ndaj atdheut” në formën e arratisjes. Pavarësisht se ka qenë i verbër tërësisht dhe ka ardhur vetë nga jashtë vendit, ndaj tij është marrë masa e arrestit dhe është dënuar më 1969 me 25 vjet burg. Varreza e fshatit Panahor të Ballshit është njëra nga vendet e njohura ku janë varrosur të burgosurit e vdekur gjatë vuajtjes së dënimit. Ajo ka qenë njëra nga varrezat e atij që në emërtimin zyrtar quhej Reparti i Riedukimit nr.309, dikur në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana administrative reparti varej nga Dega e Kampeve dhe Burgjeve që ka qenë pjesë përbërëse e Drejtorisë së Policisë Popullore. Më vonë, më 1978, në vend të kësaj dege u krijua Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale brenda në MPB-së. Të dënuarit që vuanin dënimin nëpërmjet punës së detyruar qarkullonin në të gjitha veprat që ndërtoheshin kudo nëpër Shqipëri. Nga kushtet e rënda të punës si dhe nga mungesa e mjeteve më minimale të jetesës, shumë të burgosur kanë humbur jetën gjatë kohës që vuanin dënimin. Reparti nr.309 në vitet 1956 – 1982 ka pasur 118 të vdekur, prej të cilëve rreth 60 janë varrosur në Panahor të Ballshit. Po ashtu janë varrosur edhe të dënuar që kanë dashur të largohen nga reparti, por që për fat të keq janë vrarë nga rojet e sigurisë. Bëhet e ditur se do vazhdojë puna për përcaktimin e vendndodhjes së një numri tjetër skeletesh që sipas të dhënave paraprake vlerësohet midis shifrës 20 – 30. Po ashtu grupi po përcakton edhe vende të tjera ku mendon se ka varrime të personave të dënuar gjatë regjimit komunist.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›