E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në qershor garat e hapura për koncesionin e tre HEC-ve

Tre kompani, austriaket "EVN" dhe "VERBUND Hydro Power AG" dhe grupi francez "CNR & CN'AIR" do të shprehin interesin e tyre për blerjen e aksioneve të hidrocentraleve "HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2" dhe "HEC Ulëz Shkopet" në garën që çelet në datat 4 dhe 6 Qershor.  

Ministria e Ekonomisë u ka dërguar ftesat pas shprehjes prej tyre të interesit dhe përzgjodhjes në fazën e parë në 15 maj nga Komisioni për Vlerësimin e Shprehjeve të Interesit në METE për privatizimin e këtyre HEC-ve. Burime të METE-s thanë se në 18 Qershor do të çelen gara të tjera për dhënien me konçension të hidrocentraleve vendorë në kaskadën e Hotolishtit dhe të Gavranit.  Kaskada në rrjedhën e lumit të Hotolishtit në rrethin e Librazhdit që nis nga formimi i rrjedhjes sipërfaqësore deri në derdhjen e tij në lumin Shkumbin, përfshin ndërtimin e disa HEC-ve. 

Gjithashtu në 18 Qershor do të çelet gara edhe për ndërtimin e hidrocentralit Gavran, që do të realizohet në përroin e Frangovishtës në kuotën 864 metra. Një ditë më pas, në 19 Qershor METE do të çelë garat për ndërtimin me konçension të hidrocentraleve "Iballë" 1,2, 3, "Sapac" 1 dhe 2 si dhe "Begaj" në veri të vendit. Të gjithë ofertuesit bashkë me dokumentacionin e nevojshëm për garat konçensionare, duhet të sigurojnë ofertat e tyre me 2% të vlerës së çdo projekti./Start/

                                                                                             2012-05-20 17:03
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›