Në qoftë se PS-ja do të ishte në koalicion me LSI-në
Në biseda që kam patur me përkrahës të PS-së pas takimit Rama-Meta, kam konstatuar dy pikpamje të kundërta. E para, e ndërtuar në një rrafsh moral, nuk e pranon një afrim të PS-së me LSI-në, për shkak të tradhëtisë së Metës ndaj popullit të majtë pas zgjedhjeve të 2009-ës dhe aferave korruptive të tij gjatë qeverisjes me Berishën. Ndërsa e dyta, e ndërtuar në një rrafsh pragmatist, e pranon një afrim të PS-së me LSI-në, duke kujtuar ardhjen dhe ndëjtjen e Berishës në pushtet si rrjedhojë e ndarjes së të majtës. Në lidhje me pikpamjen e parë do të them dy fjalë në fund, ndërsa me të dytën do të merrem pak më gjatë, sepse kërkon një analizë matematikore, e cila është bërë e pjesëshme deri më sot në forume publike.
Se sa ka ndikuar në 2005-ën ndarja e LSI-së nga PS-ja në humbjen e mandateve parlamentare nga kjo e fundit, është analizuar publikisht deri më sot. (Aleksandër Meksi, Skënder Gjinushi, Arsen Zlaticanin, ndër të tjerë, kanë publikuar analiza të hollësishme për ato zgjedhje). Ndërsa efekti i ndarjes së LSI-së nga PS-ja në vitin 2009 është përmendur shpesh në media, por nuk është analizuar matematikisht deri më sot.
Në tabelën e bashkëngjitur janë paraqitur rezultatet e zgjedhjeve të 2009-ës dhe mandatet që do të merrnin koalicionet në çdo qark, në qoftë se PS-ja dhe LSI-ja do të garonin së bashku në një koalicion. Kjo tabelë është ndërtuar duke marrë si të mirëqena rezultatet zyrtare të KQZ-së (pra, po presupozojmë se kutitë që nuk pranoi të hapte Berisha nuk fshihnin ndonjë manipulim…) dhe duke presupozuar se qenia së bashku e partive të majta në një koalicion nuk do ta ndryshonte shpërndarjen e votave mes dy koalicioneve të mëdha nëpër qarqe.
Nga tabela shohim se, pavarsisht manipulimeve të mundshme të rezultatit nga KQZ-ja, koalicioni PS+LSI do të kishte një avantazh prej mbi 60 mijë votash në rang kombëtar dhe prej 4 mandatesh në Kuvend. Thënë ndryshe, ky koalicion do të kishte marrë 51% të votave dhe 51.4% të mandateve. Ndërsa koalicioni i PD-së do të kishte marrë 46.9% të votave dhe 48.6% të mandateve, ose 68 mandate gjithsej. Jashtë Kuvendit do të mbeteshin, siç mbetën, partitë e Polit të Lirisë (LZHK, PDK, etj) dhe partia e Ngjelës.
Po pse dy koalicionet e majta, së bashku, do të kishin marrë 72 mandate, nga 70 që morën duke garuar të ndara? Tabela e bashkëngjitur na tregon se, në qarqet Tiranë dhe Elbasan, koalicioni i PD-së do të kishte marrë nga një mandat më pak, në qoftë se dy koalicionet e majta do të garonin së bashku. Dhe të dyja këto mandate do të shkonin në fakt tek LSI-ja, e cila ishte shumë afër marrjes së mandatit në këto qarqe, edhe duke garuar veçazi.
Në ndarjen përfundimtare, sipas skenarit të mësipërm, mandatet e koalicionit fitues do të kishin këtë përbërje: PS 65, LSI 6, PBDNJ 1. Ndërsa koalicioni humbës do të kishte këtë shpërndarje: PD 67 dhe PDI 1.
Analiza e skenarit të mësipërm çon ujë të bollshëm në mullirin e pikëpamjes së atyre që e pranojnë një afrim të PS-së me LSI-në ardhja dhe ndëjtja e Berishës në pushtet ka qenë vërtet rrjedhojë e ndarjes së të majtës. Por ata që e pranojnë një afrim të PS-së me LSI-në duhet të kujtojnë gjithashtu se në politikë, madje edhe në çdo fushë të aktivitetit njerzor, rezultatet e shkuara nuk përbëjnë garanci për përsëritjen e tyre në të ardhmen.
Kështu, sot në skenën politike, kanë dalë dy parti të reja (AK dhe FRD), të cilat po synojnë të marrin votat e elektoratit të pakënaqur me partitë aktuale politike. Dhe nuk i dihet se sa vota do të marrin ato dhe nga çkrah do të marrin më shumë. Në këto kushte, mund të ndodhë që asnjëri prej koalicioneve të mëdha të mos e kapërcejë dot pragun e 70 mandateve. Pra, përcaktuese për krijimin e qeverisë mund të bëhet njëra nga këto parti të reja, ose të dyja së bashku.
Gjithashtu (dhe këtu po kthehemi tek pikpamja e atyre të majtëve që nuk e pranojnë një afrim të PS-së me LSI-në), mund të ndodhë që disa votues të PS-së të abstenojnë, në shenjë proteste ndaj një koalicioni pragmatist PS-LSI. Kuptohet që udhëheqësit e PS-së do të bëjnë të pamundurën që ti bindin votues të tillë se e keqja Berishë është e keqja më e madhe, krahasuar me çdo të keqe tjetër, por, në qoftë se PS-ja futet në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me LSI-në, njëfarë firoje nga elektorati i majtë edhe duhet pritur…
Tabelë: Rezultatet e Zgjedhjeve në 2009-ën, në qoftë se PS-ja do të ishte në koalicion me LSI-në
<| Qarku |
Votat e Koalicionit PD |
Votat e Koalicionit PS+LSI |
Mandatet e Koalicionit PD |
Mandatet e Koalicionit PS+LSI |
| Berat |
27,058 |
53,823 |
3 |
5 |
| Dibër |
40,263 |
26,576 |
4 |
2 |
| Durrës |
68,518 |
62,681 |
7 |
6 |
| Elbasan |
69,096 |
80,990 |
6 |
8 |
| Fier |
70,762 |
103,169 |
6 |
10 |
| Gjirokastër |
20,869 |
30,793 |
2 |
3 |
| Korçë |
62,737 |
69,512 |
6 |
6 |
| Kukës |
28,425 |
14,991 |
3 |
1 |
| Lezhë |
39,778 |
29,346 |
4 |
3 |
| Shkodër |
67,656 |
44,338 |
7 |
4 |
| Tiranë |
177,869 |
193,431 |
15 |
17 |
| Vlorë |
39,714 |
63,505 |
5 |
