Aleanca KuqeZi shpalos programin ekonomik për një treg të përbashkët mbarëshqiptar
Aleanca KuqeZi shpalli vizionin e saj Drejt një tregu të përbashkët mbarëshqiptar, pjesë e të cilës ishin specialistë të sektorit të ekonomisë, financave dhe strategjive zhvillimore. Në këtë tryezë u diskutua mbi programin e Aleancës KuqeZi dhe se si kjo lëvizje politike i ka ndërtuar shtyllat e programit ekonomik qeverisës. Tryeza nisi me fjalën hyrëse të z.Dashamir Uruçi, i cili prezantoi pikërisht vizionin kuqezi të rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare dhe aspektet teknike të fuqizimit të tregut vendas dhe atij rajonal.
Unifikimi i politikave ekonomike dhe integrimi ekonomik Shqipëri-Kosovë ishte një tjetër pikë e rëndësishme që u diskutua në tryezën e Aleancës KuqeZi.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu u ndal në disa pika të rëndësishme të programit dhe vizionit kuqezi për ekonominë shqiptare. Spahiu vuri theksin tek riindustrializimi dhe strategjia e rimëkëmbjes ekonomike mbarëkombëtare, e cila bazohet në udhën e re, ose sikundër njihet në sektorin ekonomik rruga e tretë.
Rruga e tretë është kundër socializmit ndërkombëtar dhe kapitalizmit liberal. Në rrugën e tretë, shteti duhet të luajë një rol aktiv në ndërmjetësimin midis klasave, të inkurajojë arritjen e fitimeve private dhe ofrojë shumë nxitje ndaj bizneseve, por kërkon gjithashtu që si shpërblim i gjithë aktiviteti ekonomik ti shërbejë interesit kombëtar, deklaroi Spahiu.
Duke u ndalur më tej në detajet teknike të programit të Aleancës KuqeZi, Spahiu u shpreh se Këtë sistem ekonomik Aleanca KuqeZi do të zbatojë me ardhjen e saj në pushtet për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare me qëllim rritjen e pasurisë dhe mirëqenies kombëtare, nëpërmjet ndërhyrjeve qeveritare në ekonomi, duke ndryshuar strukturën e ekonomisë shqiptare dhe aftësimin për sfidat e shekullit të XXI, duke e kthyer në ekonomi eksporti, duke mundësuar kthimin e emigrantëve dhe duke unifikuar realisht tregun kombëtar Shqipëri, Kosove, Maqedoni dhe Mali i Zi, deklaroi Spahiu.
Z.Spahiu bëri të ditur përpara ekspertëve dhe profesionistëve të pranishëm në tryezë se Aleanca KuqeZi do të ngrejë institucionin teknik Bordi i Inteligjencës Ekonomike, i cili do të menaxhojë programin ekonomik strategjik dhe që do të jetë i përbërë nga ekspertë profesionistë vendas dhe themelet e para për këtë institucion tashmë kanë nisur.
Bursa e Tiranës do të jetë një detyrë imediate e qeverisë së ardhshme pasi mungesa e kësaj bursë ka sjellë dhe mungesën e kapitalit të madh. Bursa është parlamenti i ekonomisë dhe zemra e kapitalizmi, vetëm nëpërmjet bursës do të arrihet që populli të jetë aksioner i pasurive kombëtare, vetëm nëpërmjet bursës do të konsolidohet ekonomia e të gjitha trojeve shqiptare dhe do të rritet interesi për investimet e brendshme në korporatat e mëdha, deklaroi Spahiu.
Ky është një revolucion ekonomik mbarëkombëtar që ne do ta jetëzojmë sapo të ndryshojmë regjimin politik. Shqipëria është një vend i varfër sepse drejtohet nga mendje të varfra. Ky vend po kthehet në një shkretëtirë afgane nga këta politikanë talebanë. Aleanca KuqeZi do ta ndryshojë këtë realitet për të gjithë popullin shqiptarë, e mbylli fjalën e tij Spahiu.