Kush merret me edukimin e brezit të riNga Sadedin ÇelikuPër gati dy dekada nuk ka pasur asnjë institucion që të merret me edukimin e brezit të ri, brez ky që është e ardhmja e çdo shoqërie. Në vende të ndryshme zbatohen metoda e politika të ndryshme
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kush merret me edukimin e brezit të riNga Sadedin ÇelikuPër gati dy dekada nuk ka pasur asnjë institucion që të merret me edukimin e brezit të ri, brez ky që është e ardhmja e çdo shoqërie. Në vende të ndryshme zbatohen metoda e politika të ndryshme për edukimin e tyre. Kjo realizohet, jo vetëm nga shoqëria civile apo organizatat jofitimprurëse, por dhe nga shteti, të cilët zbatojnë politika sociale që synojnë edukimin dhe integrimin e këtij brezi.
Ky brez është aq i dobishëm sa dhe vetë zhvillimi. Pikërisht për këtë fakt dhe vendet e zhvilluara që kanë një moshë mesatare të lartë, të aftë për punë, zbatojnë politika emigrimi me njerëz të rinj në moshë, por dhe me arsim. Kështu, SHBA çdo vit pranojnë rreth 55 mijë emigrantë nga e gjithë bota. Ka dhe vende të tjera si Kanadaja, vendet skandinave dhe ato të Ulëta që organizojnë këtë emigracion për të siguruar dinamiken e zhvillimit ekonomik të vendeve të tyre.
Plagët sociale që janë shndërruar në fenomene nuk shfaqen vetëm në vendin tonë, por në të gjithë vendet. Kështu, droga është një plagë e madhe që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Çdo vit rritet numri i përdoruesve të tyre, edhe pse të gjitha vendet i luftojnë këto trafiqe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për plagë të tjera, të cilat ka zënë rrënjë në mënyrë të veçantë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Pra, të gjitha këto plagë shfaqen në mënyra të ndryshme dhe luftohen me forma të ndryshme.
Po te ne kush merret me edukimin dhe integrimin e këtij brezi?
Më vjen keq të theksoj se qeveritë, kushdo që ka qeverisur, nuk kanë pasur asgjë në programet e tyre politike ose i kanë pasur ato formalisht vetëm në letër. Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve janë vetëm katër nëpunës që gjoja merren me rininë. Kjo punë i është besuar shoqatave apo organizatave jofitimprurëse. Po a e bëjnë këto këtë punë dhe kush i kontrollon?
Në Shqipëri ka gati 1100 shoqata që askush nuk e di se me çfarë merren. Disa shoqata të huaja, por dhe në bashkëpunim me ato tonat, në emër të bamirësisë kanë blerë toka dhe kanë ndërtuar objekte në vendin tonë. Ato gjithçka mund të bëjnë, vetëm bamirësi jo. E për edukimin e këtij brezi as që bëhet fjalë.
Po mirë, si i bëhet atëherë?
Le t’i kthehemi vendit tonë dhe mënyrës se si shfaqen problemet që lidhen me edukimin. Në Shqipëri shifrat e papunësisë mund të mbajnë rekord në Evropë. Zyrtarisht raportohet nga 13-16 për qind, por në fakt këto shifra janë rreth 40 për qind, sepse të papunët nuk kanë besim te qeveria e për rrjedhojë nuk regjistrohen si të tillë në zyrat e punës, zyra këto që nuk kanë ç’t’i ofrojnë kësaj kategorie. Papunësia prodhon kriminalitet, trafikantë kombëtarë e ndërkombëtarë. Prodhon hajdutë dhe vjedhës (nuk është e njëjta gjë), profesioniste apo amatorë. Prodhon analfabetë, të cilët çdo ditë shtohen. Të gjitha këto plagë ekzistojnë te ne për shkak të mungesës së politikave të qeverisë. Kushdo që ka qenë në qeveri, ka zbatuar politika çasti dhe afatshkurtra, që nuk i kanë sjellë kurrfarë dobie shoqërisë, madje fondet e vëna për këtë qëllim janë grabitur ose së paku janë keqadministruar. Rininë tonë e shikon tërë ditën në kafene, duke përdorur pije alkoolike, madje dhe në lokalet më të shtrenjta. Një pjesë e tyre janë përdorues droge, ndërsa ata që nuk janë të tillë kërkojnë punë me pagesa të larta e të pamerituara. Tani ata kanë kuptuar se, edhe të shkojnë në universitete publike, është humbje kohe, sepse një diplomë universitare, madje edhe master, mund ta marrësh kollaj me pará këtu në shkollat jopublike apo në Strugë e Tetovë.
Pra dalim te Ministria e Arsimit që nuk ka program e politika për reduktimin e analfabetizmit, për forcimin e konsolidimin e sistemit arsimor jopublik.
Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta nuk merret me edukimin e shtresave në nevojë dhe ato vulnerabël. Të kuptohemi, shkrimi im nuk bën fjalë për edukim klasik, por për hemorragjinë që ka pllakosur Shqipërinë dhe brezin e ri. Këtë brez ende të padeformuar, pavarësisht plagëve dhe fenomeneve që janë prezent, e kemi të mirë, por të pamotivuar.
Ata duhet t’i motivojë politika, qeveria e partitë politike që s’ia vënë veshin kësaj çështjeje. Vendi ynë ka me mijëra studentë jashtë shtetit që kanë përfunduar studimet universitare, mastera, doktoratura dhe ata preferojnë të qëndrojnë atje, sepse këtu nuk i qas njeri. Ata që preferojnë të vijnë, janë ajo kategori që kanë marrë virozë nga politika dhe duan të bëhen direkt deputetë, se më së fundi e kanë kuptuar se si të tillë mund të fitojnë shumë pará veç rrogës, madje dhe mjaft privilegje të tjera. Këtë komoditet ua afron politika shqiptare, e cila vendos që ata, pa punuar asnjë ditë, të ulen në karrigen e parlamentit. Pse duhet t’i shpërblejmë në mënyrën më të keqe dhe jo t’u afrojmë vende në administratë, aty ku aq shumë vuajmë nga keqqeverisjet? Natyrisht që parlamenti duhet të rinovohet me të rinj, por kjo jo domosdoshmërisht parakupton moshën, por pjekurinë, formimin profesional e politik, e gjithçka tjetër që i duhet parlamentit. Ligjet kërkojnë profesionalizëm dhe jo siç ndodh rëndom që miratohen ligje që nuk zbatohen kurrë dhe prodhohen vetëm për të mbushur fletoren zyrtare.
Administrimi i kësaj moshe, e cila e ka mendjen të lërë Shqipërinë për shkak të mungesës së vullnetit politik, është problem kryesor që duhet të ketë një qeveri dhe pas kësaj fillojnë rrugët, punët publike e hallet e tjera.
Shqipëria mund dhe duhet të bëhet, por ajo që do ta bëjë vërtet është rinia e brezi i ri.
Le të shpresojmë se kështu do të ndodhë!