E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rrethin e pushtetit mafioz

Kryqëzata e Saliut kundër pavarësisë së medias

Djegia e një gazete dhe rrahja barbare e gazetarëve kur Berisha ishte president, është vetëm nisja e historisë së një diktatori që nuk ka reshtur akoma në sulmet ndaj medias. Përkundrazi, tani është bërë edhe më i egër, më i sofistikuar rrallë dhe më shpesh i drejtpërdrejtë dhe gjakatar. Nëse nuk i blen dot për ti nënshtruar, i godet. Me sharje publike, gjoba, polici dhe deri te eksplozivi. Shënjestron gazeta, televizione, pronarë mediesh dhe gazetarë, duke u kthyer tashmë në satrapin e medies së lirë. Njësoj si diktatorët e tjerë, prej të cilëve ka mbetur i fundit akoma në karrige

Goditje biznesit të Kokëdhimës

Sulmi më i fundit ndaj Shekulli u ekzekutua pak ditë më parë, kur policë të pushtetit u turrën në dyert e redaksisë për të mbyllur Shekulli News kafe. Për të lëshuar sinjalin se herën tjetër radhën e ka vetë media. Pa asnjë tërheqje prapa për hir të standardeve që duhet të plotësojmë dhe as të raporteve që kanë në dorë fatin tonë evropian. Njësoj siç u bë me 22 biznese në emrin e Koço Kokëdhimës, të goditura egërsisht dhe vetëm politikisht. Reagimi i kompanisë nuk tuti aspak diktatorin. Vetëm sa e egërsoi më keq, për të bërë planin për sulmin e radhës që nuk dihet kë media tjetër, jashtë rrethit të pushtetit, do të shënjestrojë.

Baze i gjobitur dhe i dhunuar

Mbyllja e gazetës Tema ishte vetëm nisja e një sërë sulmesh të tjera, edhe fizike, ndaj gazetarit Mero Baze. Mësymjet e tatimorëve, deri kur mbyllën me shirita dyert e medias, morën vendin kryesor në raportet ndërkombëtare, por as këtë herë Berisha nuk u ndal. E përndoqi edhe në televizionin Vizion+, sepse emisioni investigativ i Bazes e kishte shqetësuar në aktivitetet e tij të jashtëligjshme si për shembull rruga Rrëshen- Kalimash, gropa që thithi miliona euro të taksapaguesve. Apo shpërthimi i Gërdecit dhe përfshirja familjare në biznesin vdekjeprurës të demontimit amator të armëve, si dhe shumë skandale të tjetra. Pas dhunës fizike në hundën e policisë, gazetari mori sinjalin tjetër kur një sasi eksplozivi i hodhi në erë automjetin poshtë banesës së tij, nga bandat e Berishës.

Media e Bolinos, një histori pushtimi

Do të kishte qenë plot me episode kërcënimesh dhe dhune edhe historia e grupit Edisud ku përfshihet televizioni dhe gazeta, nëse biznese pranë qeverisë nuk do ta kishin blerë me para dhe presion. Kjo blerje në fakt nuk nënkupton vetëm vënien e kësaj kompanie mediatike në përdorimin e pushtetit por edhe nxjerrjen jashtë të Karlo Bolinos, njeriut që përfaqëson gazetarin e lirë dhe të pavarur, të guximshëm edhe pse u përball me grupe të rrezikshme në pushtet. Që ditën e dytë të blerjes, ndryshimi i linjës editoriale ishte vetëm hapi i vogël. Sepse pas kësaj nisi spastrimi, me largimin e drejtoreshës së GSH, Anila Basha.

Artan Hoxha, kërcënim për jetën

Gazetari që detyroi kryeministrin të ndryshonte gjithë përrallën e tij me puç dhe vrasje brenda turmës në demonstratën e 21 janarit, u kërcënua për jetën, menjëherë pas publikimit të videos ku dukej qartë si plumbat e Gardës kishin marrë jetën e protestuesve. Një zarf me dy plumba u dërgua në derën e banesës së gazetarit të guximshëm, ikona e gazetarisë investigative sot në Shqipëri, që denoncoi vrasjet shtetërore të 21 janarit, me zë dhe figurë. Ndërsa një tjetër gazetar, Fatos Mahmutaj, dëshmitar i plumbave që vinin nga Garda dhe që e plagosën edhe atë në dorë, u detyrua të largohej nga vendi për shkak të përndjekjes nga pushteti.

Top Channel, armiku i përhershëm

Me mbërritjen në pushtet dhe me etjen për hakmarrje, Berisha fshiu kontratat ligjore që kompania Top Media kishte nënshkruar me shtetin për ambientet me qera te ish piramida. Sulmi nisi krejt hapur, pas kërcënimeve që kreu i qeverisë kishte lëshuar që kur ishte në opozitë. Goditje biznesit me gjoba në shifra marramendëse, të akuzuar publikisht nga vetë kryeministri me kërcënime të rënda ndaj presidentit të kompanisë, themeluesit të gjigantit mediatik, të ndjerit Dritan Hoxha. Atentatet ndaj antenave të transmetimit në Tiranë dhe nëpër Shqipëri, ishin të vogla krahasuar me kërcënimin e madh, që tashmë ka marrë edhe formën e ligjit me votat e mazhorancës. Dëbimin nga ambientet e ish piramidës. Pa pritur vendim gjykate dhe pa pyetur për apelet e ndërkombëtarëve, gjoja nën zbatimin e një projekti tejet të dyshimtë për të ndërtuar në vend të qendrës kulturore, një parlament të ri për Topallin. Ndërkohë, sharjet dhe ofendimet publike i kanë shkuar për dekor gjithë këtij sulmi ndaj kompanisë mediatike. Gazetari Sokol Balla dhe bashkëshortja e tij janë vënë në shënjestër në mënyrë të përsëritur, përmes akuzave si telebelinda. Turp për kryeministrin! Me siguri këtu nuk ka mbaruar. Kompanisë do ti duhet të paguajë akoma për pavarësinë e saj dhe refuzimin për tu blerë nga Berisha.

Çakuli, Balla, Bushati edhe puçistë

Thirrja e gazetarëve të njohur për dëshmitarë të show-t gjakatar të Berishës në 21 janar, në bulevardin Dëshmorët e Kombit erdhi pasi vetë kryeministri i kishte etiketuar më parë si puçistë. Dhe pasi kishte ngritur në një votim natën në Kuvend, vetëm me votat e mazhorancës, një komision turpi parlamentar për të deformuar gjithë atë që shqiptarët panë live në televizionet ende të pavarura. Komisioni Halimi bëri mandej edhe kërkesën për të marrë tabulatet telefonike të Mero Bazes, Sokol Ballës, Andi Bushatit, Filip Çakulit, duke pretenduar se që aty mund të zbardhej puçi imagjinar në kokën e kryeministrit. Berisha u detyrua të tërhiqej nga ky hap vetëm pas presioneve ndërkombëtare që e cilësuan si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias. Por nuk u tërhoq as edhe një milimetër nga akuzat monstruoze ndaj këtyre përfaqësuesve të medias. Të paktën deri kur e harroi edhe vetë puçin me të cilin bëri alibi për vrasjen e katër shqiptarëve nga plumbat e Gardës dhe me urdhër të tij, në mes të ditës dhe në mes të bulevardit. Nën dritaret e zyrës së tij.

Vizion+

Nga jashtë, në dukje një kontroll rutinë në brigjet e Vlorës në jahtet e pronarëve të kompanisë Vizion+ ishte sinjali i fortë që edhe kjo media ishte futur në shënjestrën e pushtetit. Më parë, të njëjtët emra ishin akuzuar pa fakte për bizneset e tyre për të bërë alibinë e gjobave të firmosura dhe të ekzekutuara nga policët e pushtetit. Akuza që nuk u ndalën as kur kompania u ble nga të huajt.

Korrieri, mësymje policore dhe gjoba deri në mbyllje me dryn. Mbyllet edhe Albania

Gazeta Korrieri ishte e para që u detyrua të vërë drynin përballë presionit dhe gjobave me shumë zero që pushteti i faturonte për pavarësinë e saj. Pas saj edhe gazeta Albania po për të njëjtën arsye. Edhe pse nuk ia arriti dot të njëjtit qëllim edhe me gazetën Tema, Berisha nuk nguron të përdorë presionin edhe për mediat e tjera që nuk janë rreshtuar në Oborrin e tij.

Revista Mapo, gjoba ndaj Agim Shenedielles

Në të njëjtën shënjestër është edhe revista Mapo, artikujt e së cilës kryeministri i ka interpretuar si goditje ndaj tij. Dhe për këtë arsye ka ndërmarrë sulmin e zakonshëm ndaj biznesit të botuesit të revistës, Agim Shenediella, i cili zotëron 50 për qind të aksioneve, duke gjobitur dhe madje edhe duke i grabitur prona në emër të tij. Në një treg ku mediat, jo për rastësi ato që dalin si fryte të çiftëzimeve biznes- pushtet, lulëzojnë përditë mbase nuk duken kaq fatale mbyllja e ca të tjerave. Por në një vend demokratik, siç pretendohet se është Shqipëria ku

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›