E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në selitë e partive, vijojnë ethet edhe në ditët e pushimeve

Ndërsa në ekranet televizive vazhdojnë të transmetohen mbledhje të qeverisë Berisha dhe të intitucioneve si në periudha normale, ethet e zgjedhjeve të 28 qershorit ende janë të forta në mjedisin politik shqiptar. Edhe pse rezultati përfundimtar i zgjedhjeve nuk është shpallur ende , fituesi dhe humbësi i 28 qershorit është përcaktuar tashmë kështu që atmosfera rreth selive të partive politike apo rreth institucioneve përcaktohet pikërisht nga ky rezultat. Kështu selia e Partisë Demokratike i është rikthyer qetësisë që e ka karakterizuar përgjatë 4 viteve të pushtetit nga viti 2005 deri në zgjedhjet e përgjithshme. Vetëm gjatë ditëve të procesit zgjedhor në selinë e partisë më të madhe të maxhorancës u panë funksionarë të lartë të saj, të cilët tashme i janë kthyer institucioneve që drejtojnë e në seli shihet vetëm zëdhënësja e partisë apo sekretari organizativ tashmë edhe deputet i kuvendit. Por pas kësaj qetësie në fakt fshihen ethet e përgatitjes për mandatin e dytë të qeverisjes dhe padyshim edhe për postet të cilat do të mbajnë figurat kryesore të kësaj partie. Më së shumti negociatat për qeverinë e re për emrat apo për platformat bëhen në selinë e kryeministrisë e pse jo edhe pranë plazheve ku kryeministri ndodhet për të përuruar ndonjë vepër apo ku ndodhet thjesht për të pushuar. Në po këtë linjë edhe selia e LSI-së në pamje të parë duket e qetë por atmosfera rreth saj është më entuziaste aq më tepër që është hera e parë që prej krijimit që kjo parti do të jetë në pushtet. Por përtej thashethemnajave që burojnë nga lokalet pranë LSI-së ende asgjë konkrete nuk dihet përsa kohë që negociatat janë kufizuar mes dy liderëve Berisha e Meta.
Krejt ndryshe është selia e PS-së. Ashtu si dhe gjatë 4 viteve në opozitë selia rozë është pika ku mblidhen të gjitha figurat drejtuese të partisë, deputetët e ardhshëm apo edhe aleatët. Që në orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje kryetari i partisë si dhe drejtuesit qëndorë ndodhen në parti . E për shkak se e gjithë beteja është përqëndruar tek procesi i ankimimit të disa qarqeve në këtë seli nuk mungojnë as juristët që përfaqësojnë partinë në KQZ dhe në kolegjin zgjedhor.
Ndërkaq selia e PS-së duket se po përgatitet për një mandatë të ri në opozitë me të gjitha pakënaqësitë që e shoqërojnë këtë realitet e padyshim edhe me zërat kundër kryesocialistit Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›