PS-ja rihedh poshtë mundësinë e lëshimeve ndaj LSI-së në zgjedhje
Islami paralajmëron: Koalicionet e mundshme të PS do bazohen vetëm te Kodi i Ri Zgjedhor TIRANE - Koalicionet e reja parazgjedhore që Partia Socialiste mund të lidhë nuk do të ndërvaren nga mundësia e ndryshimit të Kodit Zgjedhor që për selinë rozë mbetet një kapitull i mbyllur por thjesht nga hapësirat që mund të lejojë ligji i ri zgjedhor. Kjo është bërë e ditur dje nga Sekretari për Çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami. Sipas tij Partia Socialiste do të nisë diskutimet për koalicionet zgjedhore pas publikimit në fletoren zyrtare të Kodit Zgjedhor. Për Islamin bashkëpunimi i koalicionit të majtë është një temë e cila pret, pasi ngritja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, identiteti i listave dhe përcaktimi i mandateve zgjedhore në qarqe janë çështje të cilat kërkojnë vullnet për ti zgjidhur. “Partia Socialiste do të tregojë një vëmendje të veçantë për sa i përket zbatimit të Kodit Zgjedhor me përpikëri. Në këtë kuadër, vullneti politik i mazhorancës për zgjedhje me standarde do të jetë objekt i analizës së Partisë Socialiste”, nënvizoi Islami. Kodi Zgjedhor është miratuar nga Kuvendi në seancën e fundit plenare për vitin 2008, në një kohë që brenda pak ditësh pritet dekretimi i datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit të vendit.
...