E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama transferon në rrethe 13 prokurorë

30/01/2009  Bien në sy emrat e Zamir Shtyllës, Kolë Hysenajt dhe Bardhok Lleshit

Ndryshimet vijnë pas analizave dhe vëzhgimit të punës në Prokurori

TIRANE- Kryeprokurorja Ina Rama ka kryer transferimin e 13 prokuroreve, ku në sy bien emrat e hetuesve Zamir Shtylla, Kol Hysenaj, Bardhok Lleshi e të tjerë. Transferimet e tyre nga një organ akuze në një tjetër kanë ardhur si pasojë e organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme. Nga burime zyrtare pranë organit të akuzës shqiptare bëhet e ditur për gazetën, se këto ndryshime vijnë pas analizave dhe vëzhgimit të punës në Prokurori dhe pritet që në kohët e ardhshme të ketë edhe transferime të tjera në këto struktura. Veç të tjerash transferimi i 13 prokurorëve ku 7-të prej tyre kanë ushtruar funksionin në prokuroritë e Tiranës, është kryer me ndihmën e dekretit të presidentit me nr. 6036. Por numri një i akuzës shqiptare në kuadër të organizimit dhe funksionit të Prokurorisë, nuk la pa transferuar edhe prokurorët e rretheve, ku në sy ra transferimi i prokurorit Julian Zonja, i cili nga Prokuroria e rrethit të Fierit, është dekretuar prokuror në Tiranë. Gjithashtu “tërmetin” e kanë ndjerë edhe emra të tjerë si Edmond Karriqi që është transferuar nga Prokuroria e Durrësit në atë të Kurbinit, Shyqyri Duro që është transferuar nga Prokuroria e Kavajës në atë të Shkodrës. Një tjetër emër që bie në sy është edhe ai i Bardhok Lleshit, i cili nga prokuror pranë Krimeve të Rënda, emërohet prokuror në Prokurorinë e rrethit të Lezhës. Lëvizja e prokurorëve nga një institucion në një institucion tjetër, mësohet se është bërë me propozimin e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, e cila ka firmosur edhe për prokurorin Kolë Hysenaj, që ky i fundit të lerë funksionin që ushtronte në Prokurorinë e Tiranës dhe të vendoset pranë Prokurorisë së qytetit Lushnjë. Por Kryeprokurorja Rama i ka propozuar Presidentit Bamir Topi, që prokurori i shumë përfolur Zamir Shtylla të dekretohet në Prokurorinë e Elbasanit. Ndërkohë që burimet thanë se kjo lëvizje duket më shumë si një kompromis midis prokurorit Shtylla dhe Ina Ramës, pasi kësaj të fundit disa ditë më parë ai i ofroi dorëheqjen e tij si drejtuesi i grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit dhe si Drejtues i zyrës së Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Kjo marrëveshje, duket se rezultoi e vërtete pasi komandimi në Elbasan i prokurorit Shtylla, u vulos me dekretin e Presidentit, tashmë të publikuar. Ky prokuror dha dorëheqjen disa ditë më parë dhe më datën 16 të këtij muaji Ina Rama pranoi kërkesën për dorëheqjen e tij. Dorëheqja e tij u bë pak ditë para se të hynte në fuqi ligji “Për pastërtinë e zyrtarit” ose i njohur ndryshe si ligji i dosjeve apo lustracionit.

Zamir Shtylla ishte në Tiranë shkon në Elbasan.

Bardhok Lleshi ishte në Tiranë shkon në Lezhë

Enklid Gjini ishte në Tiranë shkon në Fier

Kolë Hysenaj ishte në Tiranë shkon në Lushnjë.

Llambi Bako ishte në Tiranë shkon në Krujë.

Përparim Hasa ishte në Tiranë shkon në Elbasan.

Shahin Pasha ishte në Tiranë shkon në Kurbin.

Dritan Gripshi ishte në Durrës shkon në Berat.

Edmond Karriqi ishte në Durrës shkon në Kurbin.

Shyqyri Duro ishte në Kavajë shkon në Shkodër.

Arenc Çela ishte në Lushnjë shkon në Berat.

Skënder Mestani ishte në Berat shkon në Lushnjë.

Julian Zonja ishte në Fier shkon në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›