E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shtator nis projekti për riciklimin e mbeturinave

Autori i Lajmit: red.
Projekti pilot mbi "Menaxhimin e mbetjeve urbane" në qytetin e Lezhës do të nisë në muajin shtator zbatimin e fazës së parë nga kompania gjermane "Schafer", ku parashikohet sjellja e kontenierëve mbitokësorë për diferencimin e mbetjeve, si dhe hapjen e gropave dhe kontenierëve nëntokësorë. Faza e parë e projektit me vlerë 150 mijë euro të akorduara nga firma gjermane "Schafer", donatorët e huaj, Ministria e Ekonomisë në Gjermani dhe Bashkia e Lezhës do të përfshijë dy akset kryesore të Lezhës, nga “Varrezat e Dëshmorëve” deri tek rruga "Frang Bardhi" dhe "Kosova". Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, tha dje se "përzgjedhja e një kompanie gjermane është bërë për faktin se kompanitë gjermane janë ndër më të suksesshmet në Evropën Perëndimore në menaxhimin dhe riciklimin e mbeturinave". Sipas tij, projekti do t i japë Lezhës në fund të shtatorit lagjen e parë pilot, ku do të zbatohet si fillim ky projekt. Ai shtoi se ky projekt do t i japë mundësi qytetit të marrë frymë, por në të ardhmen këto mbetje urbane do të rikthehen përsëri në formën e të ardhurave pranë Bashkisë, pasi të shiten për riciklim. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë "Shefer", Klaus Jurgen Franz, u shpreh se "eksperienca 40-vjeçare që kemi na siguron se do të kemi sukses dhe ajo çfarë është vërtet e domosdoshme është bashkëpunimi me qytetarët". Ky projekt do të kryhet në bashkëpunim edhe me firmën sipërmarrëse të pastrimit "Iridiani dhe Kadeli" në qytetin e Lezhës.
Ky lajm është publikuar: 21/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›