E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet shoqërore ulen me 25 %

Autori i Lajmit: red.
Qeveria vendosi të ulë sigurimet shoqërore në masën 25 %. Sipas këtij vendimi, duke filluar nga 1 janari i 2009-ës sipërmarrësit do të paguajnë vetëm 15 % sigurime shoqërore për punonjësit e tyre. Sipas kryeministrit Sali Berisha, kjo ulje e cila do të zbatohet në fillim të vitit tjetër, lehtëson barrën fiskale për sipërmarrësit. Kjo është ulja e dytë në këto dy vitet e fundit, pas asaj të fillimvitit 2007, kur qeveria uli me 31 për qind pagesën e detyruar mujore për sigurimet shoqërore. Më parë punëdhënësi paguante 34.2 për qind të pagës për çdo punëmarrës dhe vetë ky i fundit, 11.7 për qind. Totali që Sigurimet Shoqërore vilnin nga shqiptarët, ishte 45.9 për qind mbi çdo pagë. “Qeveria shqiptare uli 2 vjet më parë me 31 % sigurimet shoqërore, duke ndikuar në këtë mënyrë ndjeshëm në koston e prodhimit, duke ulur barrën fiskale mbi sipërmarrësit. Qeveria do të bëjë hapin e dytë madhor prapë në këtë drejtim. Shqipëria do të ulë me 25 % më tej sigurimet shoqërore. Sipërmarrësit shqiptarë, si punëdhënës, të cilët dy vjet më parë paguanin 31 % sigurim shoqëror për të punësuarit e tyre, duke filluar nga 1 janari i vitit 2009 e në vazhdim do të paguajnë gjithsej 15 %”,- tha Berisha. Ky vendim, nënvizoi Kryeministri, u bë i mundur për shkak të konsolidimit progresiv të disiplinës fiskale në Shqipëri nga autoritetet përgjegjëse, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndër të tjera, Kryeministri vuri në dukje se ky vendim u bë i mundur sepse, edhe pasi u ulën me 31 %, taksa e sigurimeve shoqërore, të ardhurat nga sigurimet shoqërore u rritën me mbi 33 %. Duke theksuar se qëllimi i qeverisë është para së gjithash dhe mbi të gjitha barazia, liria e tregut, trajtimi i barabartë i bizneseve, kryeministri Berisha tha se me këto hapa është bërë një thellim i madh i revolucionit të pandërprerë fiskal në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se ky zhvillim paraprin dhe shtron themelet për një reformë tjetër themelore për çdo vend, reformën e pensioneve, e cila është një reformë e pashmangshme dhe e domosdoshme për ta vendosur këtë sistem mbi baza të reja. Kryeministri vuri në dukje se vendime të tilla si ato për uljen e taksave, lehtësimin maksimal të barrës fiskale, etj, kanë si qëllim lehtësimin dhe mundësimin e rritjes ekonomike. “Jam i bindur se biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar do ta presin me kënaqësi të veçantë, këtë vendim”, - theksoi më tej Berisha. Duke analizuar këtë nismë të re, specialistët në fushën ekonomike e shohin vendimin e paralajmëruar, si një përpjekje të qeverisë për të ulur informalitetin që vazhdon të sundojë në vend, informalitet që haset në pjesën më të madhe të kompanive private dhe në një pjesë të ndërmarrjeve ende shtetërore. Po sipas specialistëve në vendet fqinje, në të gjithë Bashkimin Evropian e më gjerë, punëdhënësit në nivel shtetëror apo privat, paguajnë jo më pak se mesatarisht 30-36 për qind mbi pagën mujore të çdo punëmarrësi. Dhe nga ana tjetër, vetë punëdhënësit, paguajnë jo më pak se 10 deri 18 për qind, mbi totalin e asaj çka paguhen për çdo muaj.
Ky lajm është publikuar: 21/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›