E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në sinkron me natyrën

Ky është libri, që ditët e fundit e hodha në treg në Tiranë. Me këtë libër të vogël, rreth 100 faqe, jam përpjekur të përcjell tek ju një mesazh të rëndësishëm shëndetësor dhe kulturor , të sintetizoj mendimin shkencor më të përparuar, lidhur me kancerin e gjirit dhe kanceret e organeve të tjera gjenitale të gruas.

Për juve, lexues të rubrikës time në gazetën Shekulli, po sjell një fragment nga ky libër:

Nënat pa fëmijë

Statistikat janë bindëse. Ato tregojnë se gratë, në luftën kundër kancerit, kanë lënë jashtë vëmendjes tri çështjet shumë të rëndësishme: shtatzëninë, kujdesin për fëmijën dhe ushqyerjen e foshnjave me gji. Këto gjendje fiziologjike janë për gruan mbrojtësit më të mirë nga kanceri. Pse? Sepse në këto gjendje fiziologjike në trupin e gruas ka dhjetë herë më shumë estrogjen dhe progesteron, nga sa ka në një cikël menstrual normal. Madje, gjatë nëntë muajve të shtatzënisë, niveli i këtyre dy hormoneve në gjakun e gruas vjen vazhdimisht duke u rritur.

Menstruacionet që fillojnë në moshë të herët, edhe pse nuk lidhen me estrogjenin, janë një tjetër faktor rreziku për kancerin. Menstruacionet e hershme, ose ndryshe puberteti precox, në kuptimin shkencor, është pasojë e një diete të pasur me karbohidrate. Konsumimi me tepricë i karbohidrateve, nxit prodhimin e shtuar të insulinës, e cila është faktor me rëndësi për shfaqjen e kancerit. Insulina siç përshpejton pubertetin ashtu përshpejton edhe plakjen.

Faktor rreziku për kancerin është edhe menopauza e vonuar. Edhe pse duket sikur sa më vonë të arrijnë në menopauzë, aq më shumë ekspozohen ndaj hormoneve, në të vërtetë, kjo është një gënjeshtër shkencore. Është me rëndësi të kuptohet, se ekstra ciklet menstruale që gratë përjetojnë kur menopauza vjen vonë, nuk janë cikle të vërteta. Edhe pse gruaja vazhdon ti ketë periodat, këto gjakosje të shkurtra, që zgjatin me vite, nuk tregojnë se gruaja vazhdon të lëshojë vezë. Kriter i vërtetë që tregon se gruaja është ose nuk është në menopauzë, është ovulacioni. Çdo gjakosjeje që zgjat më pak se katër ditë, nuk është ovulatore, ose është gjakosje pa lëshim të vezës.

Sipas standardeve, mjekët u thonë grave se nuk kanë hyrë në menopauzë edhe kur ato gjakosen vetëm dy ditë, me cikle të rregullta ose jo. Madje, edhe kur gjakosja ndodh dy ose tre herë në vit, mjekët u thonë grave, se akoma nuk janë në menopauzë. Më besoni, kushdo nga ju që provon kësi lloj gjakosjesh, është në menopauzë.

 

Dhe…ky është skenari perfekt për kancerin.

Gratë që e arrijnë menopauzën me vonesë kanë në trup aq estrogjen, sa mjafton për të nxitur proliferimin qelizor në shtresën e brendshme të uterusit, por jo aq sa duhet për ta detyruar vezën të dalë nga folikuli. Kur nuk ka ovulacion, nuk ka progesteron. Por, siç kemi thënë më lart, progesteroni është i domosdoshëm për apoptosën, ose vdekjen qelizore. Dhe, natyrisht, menopauzë e vonuar do të thotë, më shumë vite me pak estrogjen dhe fare pa progesteron. Kjo nuk është normale.

Kjo situatë hormonale, sigurisht, shkakton kancerin

Statistikat që, përgjithësisht, janë si rrobat e banjës (mbulojnë pjesët më të rëndësishme, por lenë të duken pjesë interesante), në rastin e kancerit tek gratë, na zbulojnë gjithçka dhe na japin çelësin e sigurt për të zgjidhur enigmën. Çfarë tregojnë statistikat? Ato tregojnë:

  • Gjyshet e grave të sotme në menopauzë, kanceri i gjirit godiste një grua në 28 gra.
  • Nënat e këtyre grave, kanceri goditi një në 16 gra.
  • Gratë e sotme në menopauzë, kanceri i godet një në çdo tetë gra.
  • Kur vajzat e tyre do arrijnë menopauzën, kanceri pritet të godasë një grua në çdo 5 gra.

Siç shihet, përshkallëzimi i numrave reflekton nivelin pandemik të këtij vrasësi të grave. Sipas të dhënave të fundit që u bënë të ditura në konferencën Ndërkombëtare për tumoret në Tiranë, femrat janë më të rrezikuarat, lidhur me kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës. Sipas mjekëve onkologë, këto dy patologji përbëjnë rreth 25% të të gjitha llojeve të tumoreve në vend. Kanceri i gjirit renditet i pari dhe zë 18% të gjithë tumoreve malinje, ndërsa kanceri i qafës së mitrës, përbën 6,2 % të gjitha tumoreve.

Është me rëndësi të theksojmë se, ndërkohë që grupe të ndryshme interesi e shikojnë shkakun e kancerit të gjirit tek mungesa e ushtrimeve fizike, tek yndyrat e shumta në dietë, tek pesticidet dhe plastikat estrogjenike, arsyeja e vërtetë, kurrë, nuk thuhet.

A e dini pse nuk thuhet? Sepse e vërteta nuk i shkon politikës (Politicaly incorrect). Situata është shumë e qartë, shkak për kancerin e gjirit tek gratë është mungesa e lindjeve.

Ju lutem, shikojini edhe njëherë numrat e më sipërm.

Gjyshet e grave të sotme kishin fëmijë, që u bënë prindërit e grave të sotme. Nënat e tyre kanë fëmijë, ato janë gratë e sotme në moshë të mesme. Ka dy pyetje që gratë e sotme të moshës së mesme, të shqetësuara, i bëjnë:

  1. A do të kemi ne nipër e mbesa ?
  2. A do të arrijmë ti shikojmë këta nipër e mbesa edhe sikur ti kemi?

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›