Vritet me silenciator biznesmeni, dyshohet hakmarrja
Një ekzekutim i tipit mafioz ka tronditur ditën e djeshme qendrën e qytetit të Durrësit ndërsa një biznesmen është qëlluar me plumb në kokë duke mbetur i vdekur në vend. Gentian Gashi, 35 vjeç dhe me banim në Tiranë mësohet të jetë qëlluar me një pistoletë të me silenciator gjatë kohës që ai ishte duke biseduar me një të njohur përpara automjetit.
Dëshmitarët thanë për policinë se Gashi u qëllua nga një person i cili mbante në dorë një armë gjahu të nikeluar por ekspertiza tregoi se arma e gjatë ishte një pistoletë me silenciator. Pas verifikimit të automjetit me targë AA 672 DA, policia verifikoi se viktima është Gentian Gashi banor i rrugës Siri Kodra në kryeqytet. Ngjarja e cila ndodhi në lagjen numër 3 në Durrës po hetohet nga policia. Burime nga kjo e fundit thanë se Gashi ka qenë person me precedent penal çka mund ti orientojë hetimet në pistën e hakmarrjes.
Ndërkohë, ka qenë e pamundur për verifikimin e autorit të vrasjes dhe ndjekjes së tij pasi vrasësi ka shfrytëzuar disa rrugica për tu larguar. Vrasja e Gashit mendohet të jetë bërë nga vrasës profesionist duke marrë në konsideratë llojin e armës si dhe vendin ku ai e ka goditur viktimën, në pjesën e majtë të kafkës.
Mark Brunga