E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët maqedonas debat për emrin

Zyrtarë të Shkupit dhe Athinës do të fillojnë në Nju Jork ato që cilësohen si negociata të fundit për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për emrin e Maqedonisë, emër ky i debatueshëm për Greqinë fqinje.

Bisedimet zhvillohen nën kujdestarinë e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Metju Nimiç.

Para këtij takimi krerët më të lartë të shtetit Maqedonas, në një takim të mbajtur të hënën në Shkup dështuan në arritjen e një qëndrimi të përbashkët. Kryeministri dhe Presidenti i vendit shfaqën qëndrime krejt të ndryshme.

Dy qëndrime dominojnë në mesin e krerëve më të lartë shtetëror të Maqedonisë përsa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit.

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe aleatët e tij mbështesin si një mundësi zgjidhjeje atë që cilësohet si formulë e dyfishtë.

Ajo nënkupton që emri Republika e Maqedonisë të përdoret kudo, kurse për Greqinë të gjendet një emër tjetër i pranueshëm për të dyja palët.

Ndërkaq, presidenti Branko Cërvenkovski dhe partitë opozitare thonë se mbështesin qëndrimin që të gjendet një emër me referencë gjeografike, e cila nuk do të prekë identitetin kombëtar të maqedonasve.

Presidenti Cërvenkovski tha se qëndrimi i kreut të qeverisë është i tejkaluar pasi është shqyrtuar më herët:

"Për fat të keq Kryeministri, por më pas edhe partnerët e tij të koalicionit insistonin për formulën e dyfishtë, e cila është absolutisht në kundërshtim me pjesëmarrjen në bisedimet e mundshme. Sepse nuk mund të thoni që pozicioni i Maqedonisë është formula e dyfishtë, kurse nga ana tjetër të tentoni të modifikoni propozimet e mundshme,"- ka thënë Presidenti Cërvenkovski.

Qëndrime të ngjashme shfaqi edhe lideri i Lidhjes Socialdemokrate në opozitë Zoran Zaev.

"Me këtë sjellje dhe insistimi i një zgjidhje nga e cila është hequr dorë, siç është formula e dyfishtë, e vëmë shtetin në pozitë që të izolohet," - tha Zaev, partia e të cilit mendon se çështja e emrit duhet të zgjidhte çështjen që vendi mos të bllokohet në rrugën e integrimeve.

Qeveria mbështeti qëndrimin e saj, të cilin e propozoi në formën e pesë pikëve, ku ndër të tjera parashikohet që propozimi i mundshëm i emrit të vihet në referendum.

Antonio Milloshovski, Ministër i Jashtëm, pas takimit foli në emër të qeverisë:

"Presidenti Cërvenkovski dhe dy parti më të vogla opozitare nuk kishin mundësi që të shqyrtojnë propozimet mbi të cilat do të ndërtohej qëndrimi i përbashkët. Megjithatë, ne jemi të gatshëm për një takim me të gjithë faktorët politikë pas ndonjë propozimi të mundshëm final," – u shpreh Milloshovski.

Për partinë shqiptare në qeveri, Bashkimin Demokratik për Integrim, është i pranueshëm çfarëdo emri, por ai nuk duhet të prekë interesat shqiptare. Ermira Mehmeti, deputete e kësaj partie u shpreh në lidhje me çështjen:

"Për ne nuk janë të pranueshme formulat apo referencat që përmbajnë elementin sllav, përkatësisht, emrat si "Sllavo Maqedoni", ose “Republika Sllave e Maqedonisë".

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë u largua nga takimi i së hënës sepse, sipas Imer Aliut të kësaj partie, ata nuk ishin të njoftuar se në takim janë ftuar edhe liderët e partive më të vogla parlamentare:

"Ne vlerësojmë se është një qasje shumë jo serioze për një çështje shumë serioze, siç është çështja e emrit. Si PDSh vlerësuam se nuk do të marrim pjesë në takime të tilla," - tha zoti Aliu.

Dallimi mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin zgjat thuajse dy dekada.

Pala greke thotë se emri Maqedoni i përket trashëgimisë së saj historike dhe kulturore, por pala maqedonase thotë se emri përbën thelbin e identitetit të saj kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›