Curri: Me Hungarinë, diferencën do ta bëjë mesfusha
Një goditje në kavilje gjatë ndeshjes së fundit të kampionatit ukrainas, e ka lënë Debatik Currin të stërvitet veçmas grupit me kombëtaren në Hungari. Por sipas mbrojtësit kuqezi, nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. "Sot (dje) u stërvita i diferencuar me ndihmën e fizioterapistit Stijn Vandebruke. Në ndeshjen me Karpatin pësova një dëmtim në kavilje. Megjithatë, nuk ka ndonjë problem, pasi nesër (sot) do të filloj përgatitjen me grupin,"- tregon Curri në linjë telefonike nga rezidenca e kuqezinjve, hotel "Aeroport Budapest". Curri është kthyer në një ndër lojtarët më të rëndësishëm të formacionit kuqezi, duke kaluar me sukses disa prova të vështira që i janë dhënë, madje ka luajtur jo në pozicionin e tij natyral. Gjithsesi, edhe tani kur përpara është një ndeshje e vështirë dhe që do të thotë shumë për ecurinë e Shqipërisë në grupin 1, 24-vjeçari duket optimist. Në intervistën e dhënë dje, futbollisti nga Prishtina flet për Hungarinë, mundësitë që ka Shqipëria, repartin mbrojtës, por jo vetëm.
- Në prag të ndeshjes së parë në transfertë me Hungarinë. Diçka për njohuritë tuaja lidhur me këtë ekip?
- Mendoj se Hungaria është një ekip që ka ardhur në rritje, nga ndeshja në ndeshje. Ka disa lojtarë të mirë, të cilët duhen vlerësuar maksimalisht nga ne. Ata do të kërkojnë fitoren me Shqipërinë, por ne duhet të përpiqemi të jemi në nivelin e ndeshjeve të fundit. Nuk duhet t'i druhemi aspak kësaj Hungarie, sepse të përqendruar dhe falë lojës në grup, besoj se do t'ia dalim, për të vijuar serinë e rezultateve pozitive.
- Kush mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë ndeshje?
- Besoj se mesfusha. Si ne, ashtu dhe Hungaria kemi lojtarë cilësorë në këtë repart. Fillimi i mirë i lojës nga ana jonë, besoj se do të ndikojë për rezultatin, pavarësisht se futbollit asnjëherë nuk i dihet. Nëse arrijmë të bllokojmë ata që luajnë topin te Hungaria, do të fitojmë.
- Një barazim do të ishte i kënaqshëm?
- Natyrisht që po, duke pasur parasysh që është ndeshja e parë në transfertë. Një pikë në Hungari, na çon në Portugali me një moral të lartë. Megjithatë, ne duhet të kërkojmë fitoren, por nga ana tjetër duhet të lëmë sa më pak hapësira për hungarezët dhe të shfrytëzojmë daljet e shpejta në sulm.
- Cilit lojtari kundërshtar duhet t'i ruhemi?
- Siç e thashë edhe më lart, Hungaria ka disa lojtarë të mirë, kryesisht në mesfushë. Me aq sa kam parë, Husti është një lojtar, i cili mund të të befasojë në çdo moment.
- Mbrojtja, ku ju aktivizoheni me kombëtaren, duket se do të ketë më shumë punë...?
- Unë shpresoj mos jetë kështu, por fakti që në tri ndeshjet e fundit nuk kemi pësuar asnjë gol është një gjë pozitive. Kjo të jep besim për ndeshjet e radhës. Të them të drejtën kemi fituar një farë sigurie prapa. Kur ke mbrojtjen mirë, natyrisht që ke më shumë mundësi për të marrë një rezultat pozitiv. Edhe pse ne e kemi treguar veten edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë se Hungaria, përsëri kjo mbetet për t'u parë.
- Në fund, diçka për kryesimin e Shqipërisë në grupin 1?
- Kur je në vend të parë edhe kundërshtarët krijojnë më shumë respekt. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të shpresojmë që kjo ëndërr shpresoj të zgjasë sa më shumë. Rëndësi ka të kalojmë Hungarinë.
Duro dhe Salihi mund të riaftësohen
Përgatitjet e kuqezinjve në Budapest kanë vazhduar dje me dy seanca stërvitore në stadiumin e Vecsezit. Pavarësisht se ekipit i janë bashkuar Jahmir Hyka dhe Admir Teli, përsëri trajneri kuqezi nuk e ka pasur grupin e plotë. Kështu, mësohet se gjatë dy seancave të djeshme, Klodian Duro, Hamdi Salihi, Debatik Curri dhe Elvin Beqiri, janë përgatitur veçmas. Nëse për mbrojtësit Curri dhe Beqiri, nuk ka ndonjë shqetësim të madh, e kundërta ndodh me mesfushorin Duro dhe sulmuesin Salihi. Këta të fundit, duke pasur parasysh se vijnë nga dëmtime jo të lehta, riaftësimi i tyre paraqet një problem për stafin teknik. Megjithatë, burime të sigurta të "Sportit shqiptar", bëjnë të ditur se mjeku i kombëtares, Arben Çeliku, si dhe fizioterapisti holandez, Stijn Vandebruke, i kanë dhënë garanci trajnerit Han për riaftësimin e lojtarëve. "Deri të shtunën, me shumë mundësi, Salihi dhe Duro pritet të jenë të gatshëm,"- tha shefi i ekipeve kombëtare, Ermal Kuka, duke iu referuar stafit mjekësor të kuqezinjve. Duro vuan dëmtimin në gju, që nga ndeshja me ekipin e tij Omonia, kundër Mançester Sitit, ndërsa Salihi ndrydhi kaviljen gjatë një seance stërvitore te Riedi. Pritet që në stërvitjen e sotme, në 17:00, trajneri Han të ketë një grup më të plotë me rikthimin e Currit dhe Beqirit (i fundit me probleme në pulpë), ndërsa Duro dhe Salihi do të vazhdojnë me intensitet fazën riaftësuese.
Tifozë kuqezinj, në hotelin e kombëtares
Sipas informacioneve nga Hungaria, mësohet se dje në rezidencën e kombëtares ka pasur vizitorë të veçantë. Bëhet fjalë për tifozët kuqezinj, shqiptarë që banojnë në Budapest dhe në kryeqytetin austriak, Vjenë. Fotot dhe takimet me futbollistët u kanë dhuruar kënaqësi atyre. Ndërkohë, e veçanta është se edhe autobusi i vënë në shërbim të kombëtares, është në ngjyrat kuqezi, si dhe me logon e FSHF-së.
Vizat, FSHF-ja i kërkon ndihmë edhe FIFA-s
Bllokimi i vizave nga ambasada hungareze në Tiranë për tifozët kuqezinj, ka detyruar institucionin e futbollit shqiptar që t'i dërgojë një notë proteste FIFA-s, si organizmi më i lartë i futbollit. Por FSHF-ja nuk është mjaftuar me kaq, pasi e njëjta notë i është dërguar edhe Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, si dhe Federatës së Futbollit të kësaj të fundit. "Kërkojmë një zgjidhje të këtij problemi. Shpresojmë që të mërkurën të kemi një sinjal pozitiv për zhbllokimin e kësaj situate,"- shkruhej në letrën e FSHF-së, drejtuar institucioneve të lartpërmendura. Tashmë pritet përgjigjja, e cila do t'u hapte rrugën tifozëve kuqezinj për të parë kombëtaren shqiptare në ndeshjen e 11 tetorit me Hungarinë. Kujtojmë që kërkesa e Federatës, për pajisjen me viza të tifozëve shqiptarë, është bllokuar të hënën nga ambasada hungareze, me arsyen se nuk ka më kapacitet.