Ne, tre fëmijët e Azem Hajdarit, unë Azemi dhe Rudina, në mbështetje të nënës sonë Fatmirës do të përpiqemi të jemi së bashku, sa një Azem
“Të nderuar miq të Azem Hajdarit, familjes sonë!
Ju, sot duke lartësuar më tej figurën e Azem Hajdarit ktheni shpirtërisht babanë, në duar të fëmijëve dhe në zemër të familjes. Është kjo arsyeja që unë, të gjithëve ju që jeni këtu, dua t’ju falenderoj dhe t’ju shpreh mirënjohjen e pakufishme njerëzore. Në radhë të parë juve, doktor Berisha. Në të gjithë jetën tonë dhe të Azemit, keni qenë mishërues i dhimbjeve tona. Ju, z. Berisha,Ibrahim Rugova, Haradinajt dhe Jasharët e Kosovës na i keni bërë netët vetmitare të kalueshme dhe të prisnim mëngjeset me shpresa të reja, ashtu siç na është gjendur në momente të veçanta edhe z. Ilir Meta.
Burrat e rritur në pozitën e Azemit, si presidenti Nishani e kanë dekoruar babain me Urdhrin e Flamurit. Është gjithashtu një emër i respektuar por do të duhej një dishepull politik shpirtëror, njerëzor si z. Lulzim Basha, të projektonte këtë lartësim sa prekëse nga ana njerëzore, aq edhe të nevojshme për ditët që kemi përpara, si vazhdimin e luftës së babait tonë, për liri dhe demokraci. Dua të kujtoj këtu, të paharrueshmin Besim Çera që dha jetën pranë babait tim.
Ne, tre fëmijët e Azem Hajdarit, unë Azemi dhe Rudina, në mbështetje të nënës sonë Fatmirës do të përpiqemi të jemi së bashku, sa një Azem. Ju faleminderit!”