E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në tre muaj 20 mijë të papunë më shumë

30/03/2010 Konfederata: “Politika planifikon tu rrëmbejë 1 Majin punëtorëve”

Shkak veprimet arbitrare të politikës, sektori i ndërtimit më i rrezikuari

Zgjerohet harta e nivelit të papunësisë në vendin tonë. Vetëm në tre muajt e parë të 2010-s raportohet se kanë humbur vendet e tyre të punës jo pak, por rreth 20 mijë punonjës në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Më të prekurit nga ky fenomen rezultojnë të jenë të punësuarit në fushën e ndërtimit, veçanërisht ato të akseve rrugore, por nuk mbeten prapa edhe punonjësit e fasoneve, arsimtarët dhe administrata publike. Sipas drejtuesve të sindikatave të punës, kjo situatë më së shumti është shkaktuar nga veprimet arbitrare të ndërmarra nga politika shqiptare, e cila duket se së fundi do të “vjedhë” edhe 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Shifrat janë publikuar gjatë ditës së djeshme, ku është denoncuar dhe aktiviteti më i fundit politik që pritet të zhvillohet në këtë ditë-simbol të protestës së punëtorëve.

Reagimi

Pavarësisht premtimeve të bëra, shkalla e papunësisë në vend mbetet ende në nivele të larta dhe shqetësuese, kundrejt së cilës institucionet duhet të tregohen më të vëmendshme. Në një reagim të dhënë dje Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë shpreh pakënaqësinë e saj për veprimet arbitrare dhe totalitare forcave politike, që po përpiqen për të ushtruar ndikimin e tyre në mënyrë të dhunshme mbi masat punonjëse nëpërmjet mitingjeve dha paradave festive si një pjellë e sistemit komunist dhe diktatorial. “Ne denoncojmë si antiligjore dhe të pamoralshme 5 ditët e zborit ushtarak, që forcat politike do thërrasin për manifestime e parakalime nga data 26 prill deri më 1 maj 2010 për të trumbetuar sukseset dhe për të hedhur valle e karafila të kuq për fitoret e arritura nga kriza ekonomike, papunësia, varfëria, kriminaliteti, korrupsioni”, - ka pohuar dje kreu i Konfederatës Kolë Nikolla. Sipas tij, janë këto fenomene që po e dërgojnë Shqipërinë me trenin e fundit në Evropë, teksa ka ritheksuar faktin se askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punonjësve.

Denoncimi

Në të gjitha vendet e botës ajo është ditë e punëtoreve, një ditë e shënuar për të gjitha sindikatat, që mbrojnë në të gjithë botën e lirë dhe demokratike interesat e punëtorëve dhe të drejtat e njerëzve të punës. “Ne denoncojmë parakalimin festiv më datën 1 maj që do organizojë Partia Demokratike. Fatkeqësisht në këtë formë më 1 maj do të festohet vetëm në sheshet e Tiranës nga PD-ja e Sali Berishës dhe ato të Kubës së Fidel Kastros, ndërsa në të gjitha sheshet e botës së qytetëruar perëndimore, duke filluar që nga Nju-Jorku, Parisi, Londra, Roma, Boni e deri në Pekinin komunist do të protestohet për të realizuar të drejtat dhe liritë e punëtorëve për të përkujtuar vuajtjet dhe sakrificat e tyre dhe për të synuar një jetesë më të mirë e punë të denjë për të gjithë”, - ka vijuar Nikolla. Megjithatë, këto manifestime do të shoqërohen edhe me protestat e punëtorëve, të cilat do të zhvillohen të përshkallëzuara në të gjitha rrethet e vendit. Konfederata u ka kërkuar gjithë punëtorëve, të papunëve, pensionistëve, të rinjve e të rejave t’i bojkotojnë këto tubime dhe parakalime suksesesh që kërkon të organizojë politika shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›