E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në treg qarkullon mish i dyshimtë

Në Portin e Durrësit janë bllokuar 3 kontejnerë me një ngarkesë pa certifikata sigurie

Rreth 27 tonë mish “i dyshimtë” qarkullon në tregun shqiptar, ndërsa një sasi prej rreth 26 tonësh është bërë e mundur të bllokohet në Portin e Durrësit. Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se në portin më të madh në vend aktualisht qëndrojnë të bllokuar 3 kontejnerë me ngarkesë mish dhe dhjamë të ngrirë, që ka si vend origjine Paraguain. Bllokimi, sipas autoriteteve doganore, është bërë për shkak se kjo ngarkesë nuk ka pasur certifikatat veterinare dhe ato të sigurisë ushqimore. Por në listën e dokumenteve të domosdoshme për këtë lloj biznesi, ka munguar edhe adresa e kompanisë pritëse.

Një gjë e tillë është në kundërshtim të plotë me ligjin, por edhe me udhëzimet e nxjerra nga Ministria e Bujqësisë. Këto të fundit përcaktojnë si detyrues edhe faktin që importi i mishit në vend ka vetëm një portë hyrëse, atë të Durrësit. Mishi i pakontrolluar dhe që nuk disponon certifikatat e sigurisë, përbën një rrezik jo të vogël për popullatën që është konsumatore e tij.

Ndërkohë që përfaqësues portualë lidhur me këtë ngarkesë pohojnë se më 10 shkurt ishin 5 kontejnerë me mish që u shkarkuan në kalata. Dy prej tyre mundën që të depërtonin në tregun shqiptar, ndërsa tre të tjerët u bllokuan pas verifikimit të mungesës së dokumentacionit të duhur.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, që janë duke u marrë me këtë problem, kontejnerët u zhdoganuan në Tiranë, por pas kontrolleve rezultoi fakti që certifikatat veterinare me të cilat shoqërohej kjo ngarkesë ishin të falsifikuara. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga shërbimi veterinar i Paraguait, nga ku importohej sasia e mishit.

Kjo nuk është hera e parë që në vendin tonë hyn mish që përbën rrezik për konsumatorët.
Vetëm pak kohë më parë, një sasi e konsiderueshme mishi u zhdoganua në një kohë kur dokumentet shoqëruese të kësaj ngarkese tregonin si vend destinacioni Rusinë. Pavarësisht rregullave të forta që ekzistojnë, si dhe inspektorateve të ushqimit në çdo pikë doganore, sërish shqetësimi për konsumatorin nuk është i vogël në raste të tilla.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›