Në vazhdën e strategjisë së përdalë të Ramiz Alisë
Enver Hoxha na del në një botim të ri të Ramiz Alisë, me titullin “Kujtimet e mia”. Po të krahasosh Kujtimet e Nexhmijes me ato të Ramizit, ngjajnë si motër-e-vëlla siamezë. Janë vepra apologjetike që synojnë ta mbajnë gjallë, me të gjitha mjetet e mënyrat, atë që quhet nostalgji për diktaturën. Libra të luksit, që i shërbejnë propagandës së ekstremit të majtë, në qëllimet për të marrë pushtetin, qoftë edhe me dhunë, siç u bë në vitin 1997 me revolucionin bolshevik të vonuar. “Nuk e duam pushtetin në tavolinë” dhe “Berisha të hapë kutitë ose të ikë” janë dy fjali kundërthënëse. (Le t’i hapin vetë! Përse s’e bëjnë këtë hap? është një hap i pamundur për ta, nga pikëpamja ligjore? Atëherë, përse qenka i mundur për Berishën?). Gjetën një liliput të politikës, njerí megaloman, të etur për poste të pamerituara, dhe i lanë duart si Pilati me të ashtuquajturin “Komisioni Ngjela”, që ia shpëlau gjynahet terrorizmit bolshevik të ’97-s, që bëri kryetar parlamenti të pavotuarin e përhershëm i cili, sipas fjalëve të Gramoz Ruçit, kishte vetëm një mikrobus votuesish! Spartaku, i dështuar në ballafaqim zgjedhor përkundrejt Edit, i cili ia vodhi votat për të mbërthyer bashkinë, - së bashku me të pavotuarin tjetër, Nard Ndokën, me thërrmijëza elektorale, - janë zhurmuesit më të mëdhenj të ditëve të sotme. Si i pari, ashtu edhe i dyti, u faktorizuan vetëm si elementë të PD-së. Mirënjohja? Hëngrën bukën dhe përmbysën kupën! I pari vari buzët se nuk u bë ministër! I dyti, Nardi, u bë edhe ministër i Shëndetësisë, e u quajt hidraulik injorant nga PS-ja! Madje, ata për të cilët sot çirret e nduket, u tallën duke thënë se s’kishte as njohuritë e një infermieri, për të qenë në krye të doktorëve!
E gjithë kjo lukuní pushtetkërkuesish sot kanë gjetur strehë në sqetullat e kryetarit të zallamahisë, Edvin Ramës, i cili u kujtua pak si vonë, për të mos dhënë dorëheqjen siç kishte bërë paraardhësi, vetëm e vetëm për lakminë e tij të pakufishme që të vijonte të ishte kryetar i PS-së, me arsyetimin infantil se ishte fitues dhe jo humbës i zgjedhjeve të 28 qershorit; paçka se elita e PS-së, LMN-ja, kërkoi dorëheqjen e humbësit EdRama! Si kryezhurmues, ky na e bëri lajtmotiv atë të ashtuquajturën “transparencë” kur, në mungesën absolute të transparencës e me metoda hitleriane (apo staliniste, - merre si të duash), e dërrmoi Lëvizjen për Mendimin Ndryshe. Disa nga mënyrat e tij “demokratike” ndaj kësaj lëvizjeje kishin të bënin me hermetizmin e mbledhjeve, me dëbimin agresiv të gazetarëve, me thyerjen e aparateve të kamerave, me mbylljen e mikrofonave kur flisnin anëtarët e LMN-së, e me barbarizmave të tjera “të paqme” si këto që sapo thamë!
Me të njëjtat taktika prapamenduese, pseudo - të- djathtë si Taku me Nardin, me mëkatarët që duhet të përgjigjen për krimet e kohës së Enverit, dhe me administrata bashkiake të blera me pará në dritë të diellit, (ose të kërcënuar se do të mbeteshin pa punë), të udhëhequr nga kryetari fiktiv i PS-së, - të gjithë këta së bashku - përbëjnë atë turmë enveriste, që frymëzohet nga demagogjia e Ramiz Alisë.
Ky s’resht pa u marrë nëpër intervista, duke qenë në unison me Nexhmijen. Nuk pushon së foluri kundër demokracisë, nuk rri pa bërë panegjirizmin e Enver Hoxhës. Tani na nxjerr edhe një libër të ri, për të përsëritur lavdet ndaj “të paharruarit”, se i duken të pakta ato që ka thënë e stërthënë gjer tani. Ai, me taborin e tij përreth, i kanë dhënë një fizionomi të përdalë vendit tonë, duke bërë të pranishme atë dukuri që përflitet si enverizëm. A nuk e kuptojnë se janë anakronikë dhe se do të përgjigjen për atë shpërfillje që i kanë bërë Rezolutës së AP-së së KE-së për dënimin e krimeve të të dy totalitarizmave?
***
Shformimet historike të R. Alisë janë nga ato që bien erë të keqe. Citojmë disa nga ato falsifikimet e tij komuniste me stilin emfatik të grandomanisë për E. Hoxhën: “Në përleshjen me policinë fashiste, Profesori (me P të madhe, është fjala për Enverin e padiplomuar, që paguhej me orë si mësimdhënës), - Profesori, pra, - kishte goditur me një grusht aq të fortë sa e kishte rrëzuar përdhe kolonelin italian, komandant të forcave policore, që përpiqej të shpërndanin demonstratën, me milicët e tij. Ky “Vigan” na ra sy të gjithëve”.
Këto zbukurime pa kripë janë të denja vetëm për penën e një ish-servili me damkë të dikaturës. Mirë që s’iu kujtua edhe Herkuli, që ta quante “Vigan herkulian” E.H.-në! Vedat Kokona, që kishte fjetur në një dhomë me Enverin, dëshmon se ai nuk i kishte folur për politikë gjatë gjithë kohës së përbashkët, në Korçë. Qysh në gusht të viti 1936 kishte dalë një artikull i E. Hoxhës, me lavde për të tre diktatorët e kohës, Hitlerin, Stalinin dhe Musolinin. që gjendej në Bibliotekën Kombëtare dhe u zhduk në mënyrë misterioze pas shkurtit të 1991-shit.
Sa për autorin e këtyre shkrimeve, Ramiz Alinë, ky portretizohet bukur në “Zonjën e Zezë” të Fahri Balliut, në f. 150 të botimit të parë, në shqip: “Në infarktin e parë të Enverit, Ramiz Alia - në rastin e vdekjes së Enverit, - më e shumta do të ishte ambasador në Ulan-Bator të Mongolisë. Këtë e ka pasë si mendim edhe Mehmeti. Pra, Mehmeti më shumë, por edhe Hysniu, nuk e donin nëpër këmbë një njeri si Ramiz Alinë. Veçse, duke u ngatërruar në servilizmin e tij dhe duke pasur besim të tepruar në forcat e tyre, e shpërfillnin Ramizin”.
Retorika boshe e Ramizit thërrmohet përkundrejt analizës që sapo lexuam në best-sellerin e “Gruas së Djallit” - siç ia kanë vënë titullin francezët, që shprehin besnikërisht thelbin e “Zonjës së Zezë, Nexhmije Hoxha”. Kjo grua e djallit Enver përfitoi nga vdekja e dyshimtë e Hysniut dhe nga vrasja-vetëvrasja e Mehmetit që të ndihmonte kameleonin Ramiz që të drejtonte Shtetin shqiptar dhe të përdhoste demokracinë e pasnëntëdhjetës, falë bashkëpunimit diabolik Ramiz-Nexhmije. Ajo metafora e ambasadorit në një shtet në fundin e dynjasë, si Mongolia, e përcakton vetëm në një frazë sintetike vlerën e këtij zvarraniku të kohës së diktaturës, që trillet e historisë e sollën në krye të Shqipërisë, për të zezën e saj: Enverizmin e kemi peshqesh nga antiperëndimori Ramiz Alia. Prandaj vendi ynë po lëngon, i varfëruar gjer në rrasht nga E. Hoxha, që s’mund ta bënte destalinizimin në vitin 1965, pa lëshuar karrigen! Edhe sot e kësaj dite, karrigia e Edvin Ramës bëhet artificialisht një kazus për të gjitha trazirat antiligjore dhe të gjitha bojkotimet e parlamentit dhe bllokimet e rrugëve e të bulevardeve për të ashtuquajturën grevë urie, më çadrat si ato të otomanëve në luftë, në pikën kryesore të bulevardit më të madh të vendit, përballë kryeministrisë. Perëndimorët janë revoltuar. A është bllokuar ndonjëherë qendra e Uashingtonit, Berlinit, Parisit apo Brukselit për interesa meskine të një individi, që i thotë Europës se Shqipëria nuk ka jetësuar asnjë standard dhe nuk meriton as NAT0-n, as liberalizim vizash, as kërkesat për aderimin në BE? Europa i thotë se zgjedhjet janë më të mirat e tranzicionit, se përparimet janë të gjithanshme, se Institucionet Bankare Monetare shprehen në superlativa për gjendjen ekonomike, kurse Paskali bërtet në bulevard se Doris Paku nuk e njeh gjendjen shqiptare! (Por Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjendjen e Greqisë e njihka fare mirë, amà!).
Kjo është rrokopujë e strategjisë së Ramiz Alisë, që e humbi edhe mandatin e thjeshtë të deputetit, përkundrejt një inxhinieri demokrat të thjeshtë. Dhe Ramiz Alia doli nga politika, por është brenda saj! Dhe tani na del me libra propagandistikë për E. Hoxhën. Le ta verifikojë atë artikullin e Enverit për simpatinë e tij ndaj Hitlerit, Musolinit e Stalinit dhe le të lexojë, për më tepër, librin e A. Mustës, “Mjeshtri i Intrigës”, në f. 15. Në dosjerët për veprimtarinë e E. Hoxhës, botuar në gazetën tonë, është marrë në analizë se përse E. Hoxhës iu bë favori i shmangies së detyrimit për shërbimin e detyruar ushtarak. A e di përse-në R. Alia? Asnjëri ndër intervistuesit nuk i ka përmendur Ramiz Alisë atë gjëmën e Tivarit, ku “vëllezërit” tanë të Titos, vranë 4500 shqiptarë të pafajshëm, para syve të tij. Shifrantit Islam Kadesha, që ia përcolli lajmin tragjik E. Hoxhës, ky i fundit i tha: “të mos e hapte gojën fare për këtë lajm, se i ikte koka!”. Ja, kush ishte antikombëtari E. Hoxha, po të përmendim vetëm këtë ngjarje tragjike, (të cilën R.Alia duhet ta dijë më shumë se cilido tjetër), ndonëse episode të tilla dramatike s’kanë të mbaruar.
Sesa trim ishte E. Hoxha, atë e di më mirë Kadri Hoxha, Sekretari i K. Partisë të qarkut të Elbasanit, që e strehoi në Martanesh e në zonat përreth, në operacionin gjerman të dimrit.
“Ai (Enveri - shënim) më njoftoi se isha caktuar në detyrën e Komisarit të Divizionit V dhe më foli gjatë sesi duhet të silleshim në Kosovë...” - shkruan ky fshehës i krimeve në titizmit në Kosovë, - siç e pamë. Por kemi edhe fraza deklarative të pështira, si kjo:
“Enver Hoxha u bë një udhëheqës i dashur për popullin, sepse të gjithë veprimtarinë e tij revolucionare e vuri në shërbim të lumturisë së masave dhe të përparimit të Shqipërisë”. Por a nuk e pa me sytë e tij sesa “i dashur” ishte për popullin kur populli, më 20 shkurt të vitit 1991, ia përmbysi statujën e diktatorit dhe ia tërhoqi zvarrë rrugëve të Tiranës, për ta çuar te studentët e ngujuar për t’ia hequr emrin e këtij diktatori Universitetit të Tiranës? Dhe sa për “lumturinë e përparimit”, kë quan ai: lumturinë e përparimit me tollona, kur ky popull rrinte pa gjumë për të zënë radhën për qumështin e fëmijëve, që mbeteshin edhe pa të, se mbaronte radha? Këto fraza që bien në kundërshtim flagrant me të vërtetën, përsëriten si pa të keq: “Një veti e karakterizonte qenien e tij Enverit): dashuria për popullin” (!). Pse s’thotë “dashuria për karrigen”? Në kujtimet e mëparshme Ramizi shprehet se ishte në dijeni për çka kishin shkruar Milovan Gjilasi dhe Eduard Kardelji për atë gëlltitjen e propozuar nga Stalini! Shqipëria u gëlltit, në të vërtetë, nga nostalgjia me fajësinë e strategjisë së asaj dukurie mortore, enverizmit, duke përfituar nga nxjerrja nga burgu e Ramizit me shokë e shoqe prej turbullirave të ’97-s . Morën, me këtë rast, edhe dëmshpërblimet për burgun “e padrejtë” se nuk u dënuan për gjenocid! Komunistët të marrin krahun, po u dhe gishtin. Këtë kërkon të bëjë Edvin Rama, sot! Por sot jemi përpara një vendimi të AP-së të KE-së. Duke parashikuar pasojat e kësaj, të gjithë mëkatarët janë bërë grusht, për të lëngështuar çdo dosje për lustracionin. Fati i keq i Shqipërisë.
Për Luftën, R. Alia nuk thotë asnjë fjalë për Konferencën e Mukjes. Dhe i shmanget faktit se kush e prishi atë. Dhe për interesa të kujt? Flet, madje, përsëri për “armiqtë”: “Enveri e udhëhoqi këtë luftë (...) kur armiqtë e tradhtarët mbillnin disfatizëm”. Armiqtë e tradhtarët ishin ata që dalluan qartësisht vasalitetin e ithtarit të Ramizit ndaj armiqve shekullorë të popullit tonë! Më tej: “Armiqtë kërkonin sherr dhe i shumëfishonin provokacionet”. Armiqtë për Enverin ishin édhe në ajkën e Ushtrisë N.çlirimtare, édhe në specialistët e nxjerrjes së naftës, édhe në drejtuesit e ekonomisë, édhe në deviacionistët e artit. Le të shqyrtojmë këta të fundit. E paguan shtrenjtë Todi Lubonja e Fadil Paçrami. Në krye të sektorit ishte Ramiz Alia. Nëse stacioni televiziv, që ishte i vetëm në atë kohë, kishte rrëshqitur nga ortodoksia “parimore”, për këtë a mos duhej vallë të përgjigjej kapteri,në vend të oficeri madhor? Kjo ishte drejtësia enveriste? TV-në e shihte populli, e shihte Todi, e shihte Fadili, por e shihte edhe Ramizi! A nuk e kupton Ramizi, i mbrojtur vazhdimisht nga Nexhmija, se duhej të përgjigjej ai, në radhë të parë? Ose, së paku, ai duhej fajësuar më tepër se Todi e se Fadili! Ndodhi e kundërta.
Bashkëshortja e Todi Lubonjës, Liri Lubonja, në librin e saj “Larg dhe mes njerëzve”, në f. 282, shkruan: “Më 7 gusht 1989, në mbrëmje erdhi lajmi: - Kanë ardhur ata të Degës, keni mbledhje. (...) Ata vinin shpesh. Ndonjë “gojë e keqe” thoshte se vinin për të blerë bostan të zgjedhur e të lirë. Të ardhurit zbrisnin nga klubi i Pjetrit e na pyesnin: - A keni ndonjë gjë? U përgjigjeshim se nuk kishim e largoheshim shpejt. çfarë mund të na zgjidhnin ata kur asnjë tjetër, përfshi edhe kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, nuk na kishin zgjidhur asgjë? Disa muaj më parë, në një letër drejtuar Ramiz Alisë, krahas kërkesës së pensionit që na takonte (...) i kërkoja edhe heqjen e dënimit të pambarim, i cili na ishte dhënë që më 10 gusht 1974. Nuk mora asnjë përgjigje”.
Kjo “nuk mora asnjë përgjigje” e shpjegon më shumë se faqe të tëra, profilin (ç)njerëzor të një komunisti fanatik, të cilin s’e vret aspak ndërgjegjja, që fajin e tij ua lë në kurriz atyre që ishin nën varësinë e tij, duke përfituar nga ndihmesa e Nexhmijes, që e meritonte plotësisht atë portretin që i është bërë në librin e famshëm “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Por eja e shpjegoje, pastaj, atë ngjarjen e vajtjes së Todi Lubonjës në gjyqin në të cilin ishte i pandehur Ramiz Alia, ky përdhosës i demokracisë shqiptare dhe ky përpilues i strategjisë për të ruajtur nga fikja atë nostalgjinë rrënimtare, që e zvetënoi vendin tonë, jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe pas saj. Todi nuk vajti në gjyq për ta stigmatizuar keqbërësin e tij, por për t’i dhënë kurajë, duke i rrahur shpatullat e duke i dhënë dorën... Këtë dukuri e shpjegon vetëm shkrimtari gjerman Mazók, prej nga ka dalë edhe termi mazokizëm.
Budallallëqet e Ramizit nuk kanë anë e udhë. Ja ç’thotë: “Enver Hoxha ishte një intelektual me njohuri të gjerë. Ai kishte një kulturë të gjerë humanitare, por orientohej me kompetencë edhe në shkencat e natyrës (...) Kishte dijeni të shumta, si për kulturën klasike, ashtu edhe për drejtimet moderne e moderniste të artit të sotëm...”. Flitet edhe për shkencat e natyrës, në të cilat ishte zero! çdo të thoshte Selman Riza, ási i Shkollës Franceze të Korçës, për këtë student mediokër të cilit iu pre bursa (e pamerituar), në Monpelié nga ministri i Arsmit, Mirash Ivanaj? Ia nxori inatin, duke e lënë këtë ministër të pakorruptueshëm në burg, gjersa vdiq atjé! Le të lexohen kujtimet e Beqir Ajazit, që e njihte mirë Enver Hoxhën, për “përparimet” në studime të diktatorit të ardhshëm. Më kujtohet një proverb latin, të cilin mbase nuk ia citoj paqortueshëm rasat: “Asinus frictat asinum” (gomari fërkon- në kuptimin “përkëdhel”- gomarin). Lavdëruesi (Ramizi, konkretisht) duket se është në nivelin e të lavdëruarit, në rastin tonë. “I lavdëruari” ishte aq i zoti në mësime, -sipas kujtimeve të Vedatit, - sa linin Nedimin (të vëllanë e Vedat Kokonës, student edhe ai, disa vite më lart, sikundër edhe Enveri), për të marrë përgjigjet e provimeve, ndërsa Vedati me Enverin shkonin të pinin ndonjë kafe. Vetëm kur Nedimi binte haberin e mirë se Enveri ishte kalues, atëherë i vinte çehrja në vend Enverit dhe vinte të shihte rezultatet në listën e shpallur.
Por, në mbyllje të këtij shkrimi, do të tregojmë një episod për të qeshur, që të na shtendosen nervat që na kanë ngjallur “Kujtimet” e Ramizit, në falsifikimet e njëpasnjëshme për të zbukuruar, shëmtueshëm, nxënësin terrorist të Stalinit, të cilin e kanë bërë def edhe të majtët e të gjithë botës , pas destalinizimit të 1946-s, me përjashtim të majtizmit tonë të skajshëm.
***
Dhe tani vijmë te komedia e injorancës së Enver Hoxhës, duke cituar V. Kokonën, në Kujtimet e tij: “Unë rrija me Enverin dhe me Nedimin . I isha qepur sidomos Enverit, që ishte nga fisi i nënës dhe të cilin e ngacmoja shpesh me pyetje të pareshtura rreth shkrimtarëve francezë, aq shumë sa ma kishte vënë emrin “rrokan” dhe, një e dy, e më thoshte “më rrokanise!” (na bezdise) (...) Kur hyri në sallën e provimit të anglishtes, Enveri mori tezën nga tryeza dhe u ul në bankë për t’u përgatitur. Unë isha dëgjues në bankat e fundit. U gëzova që e kishte radhën Enveri, - se e dija që në anglisht nuk shkëlqente, - që ta ngacmoja më vonë (...). Babi Loni, pasi i kishte bërë Enverit disa pyetje që, me sa dukej, s’kishin pasur përgjigje, deshi t’i bënte edhe një pyetje që ta ndihmonte. Dhe i tha: -How do you call in English the animal most closely resembling man? (Si quhet në anglisht kafsha që i ngjan më shumë njeriut?). Enveri, që s’e kuptoi pyetjen, i tha: -Please, repeat. (Të lutem, përsërite). Babi Loni, për ta ndihmuar, i tha:
-What is the name of the animal that is more or less like you? (Si quhet kafsha që është pak a shumë si ju?). Dhe Enveri, këtë radhë i sigurt se e kishte kuptuar pyetjen dhe do të dilte mirë në provim, tha duke shpënë dorën te balli: -Donkey! (Gomar)!
Ata që e dinin anglishten u shkulën gazit, se xhevahir të tillë zor se do të gjenin një herë tjetër. Bashkë me ta qeshte edhe Enveri”.
Autori i kujtimeve shpjegon më sipër se Enveri i ngatërronte fjalët që rimonin, që ngjasonin njëra me tjetrën. Për ata lexues që duan edhe ndonjë sqarim më tepër, po shtojmë se në këtë rast fjala donkey u ngatërrua me fjalën monkey (manki) = majmun! Vedati nuk tregon se ç’notë kishte marrë Enveri. Këtë notë mund t’ia vërë ithtari i tij, Ramizi! Minimalisht 10. Se ka edhe 10 me yll!