E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vazhdim të vizitës në qytetin e Lezhës, Kryeministri Fatos Nano përuroi sot kalatën e re në Portin e Shëngjinit dhe pa nga afër punimet për zbatimin e projektit për modernizimin e këti

Në vazhdim të vizitës në qytetin e Lezhës, Kryeministri Fatos Nano përuroi sot kalatën e re në Portin e Shëngjinit dhe pa nga afër punimet për zbatimin e projektit për modernizimin e këtij porti.

Në fjalën e tij, Kryeministri Nano theksoi se me këtë investim porti i Shëngjinit do të kthehet në një nyje të rëndësishme për rajonin verior të Shqipërisë dhe një porte e re komunikimi që do të sjellë më afër për të gjithë banorët e veriut të vendit Malin e Zi, Italinë, Greqinë dhe nëpërmjet tyre do të krijojë më shumë lehtësi për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave edhe në vende të tjera. Ky port do të shërbejë gjithashtu si një portë tranziti edhe për Kosovën, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve kosovarë nëpërmjet edhe këtij porti drejt vendeve të tjera.

Me përfundimin e kësaj kalate dhe terminalit të ri të trageteve do të fillojnë funksionimin linjat e transportit të udhëtarëve, ku tashmë do të përpunohen edhe tragetet dhe anijet e pasagjerëve.

Qeveria shqiptare në programin e saj, - tha zoti Nano, - duke e vlerësuar portin e Shëngjinit si porti i veriut të Shqipërisë dhe tranzit edhe për Kosovën, ka vendosur zbatimin e masterplanit të zhvillimit të portit, duke investuar me fonde të buxhetit të shtetit dhe investime të huaja, për të përballuar më mirë fluksin e mallrave dhe të pasagjerëve.

Për portin e Shëngjinit janë investuar 239 milion lekë nga buxheti i shtetit dhe nga fondet të vetë portit. Kalata e re, e ndërtuar me një fond prej 132 milion lekë të buxhetit të shtetit, ka gjatësi 70 metra, thellësi 8.8 metra dhe me kapacitete përpunuese edhe për tragetet e pasagjerëve. Kryeministri Nano bëri të ditur se këtë vit do të investohen 40 milion leë nga buxheti i shtetit për përfundimin e kalatës jugore së bashku me anekset përkatëse të saj. Kjo infrastrukturë, nënvizoi zoti Nano, do të shoqërohet nga strukturat përkatëse funksionale përfshi doganën etj., në mënyrë që ky investim të futet në efiçencë sa më parë.

Në vitet e fundit volumi i punës së përpunimit të mallrave në këtë port ka ardhur vazhdimisht në rritje dhe për vitin 2003 arriti në 320 mijë ton. Masterplani i zhvillimit perspektiv të këtij porti, sipas zotit Nano, ka parashikuar zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së portit si të peshkimit, të transportit të pasagjerëve dhe përpunimin e mallrave me ndikim të gjërë në të gjithë rajonin verior të vendit dhe më gjerë deri në Kosovë dhe Mal të Zi.

Faza e dytë e zbatimit të masterplanit, parashikon një zhvillim të konsiderueshëm të portit të Shëngjinit për mallrat, udhëtarët dhe peshkimin. Përpunimi i mallrave gjatë kësaj periudhe parashikohet të dyfishohet duke shtuar numrin e kalatave përpunuese si dhe ndryshimin e trafikut në favor të anijeve më të mëdha, duke përmirësuar gjithashtu edhe teknologjinë e përpunimit të tyre. Kjo fazë, sipas Kryeministrit Nano, do ta konfigurojë portin e Shëngjinit me normativat e një porti modern. Ndërsa faza e tretë parashikon që zhvillimi të jetë me ritme të moderuara për aktivitetet që mbulon ky port, mallra, udhëtarë dhe peshkim dhe në përfundim të saj parashikohet që porti i Shëngjinit të ketë rreth 500 metra kalatë.

Modernizimi i këtij porti, u shpreh Kryeministri Nano, do t'i sjellë kësaj zone më shumë punë, më shumë të ardhura, më shumë qarkullim të mallrave dhe njerëzve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›