E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot pasdite një takim me intelektualë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme të qarkut të Lezhës. Ky takim u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot pasdite një takim me intelektualë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme të qarkut të Lezhës. Ky takim u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi mes Kryeministrit dhe intelektualëve lezhianë, që prezantuan disa nga sensibilitetet e kësaj zone. Zoti Nano shoqërohej edhe nga Ministri i Rendit Publik Igli Toska, Ministri i Transporteve Spartak Poçi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shpëtim Idrizi, si dhe Drejtori i KESH Andis Harasani, të cilët sipas fushave përkatëse i'u përgjigjën drejtpërdrejt interesimit të të pranishmëve për çështje të ndryshme .

Në këtë takim Kryeministri Nano u shpreh:

Dëshiroj që edhe sot ta ruaj traditën e forumeve të hapura të bashkëpunimit midis qeverisë, politikës, vendimmarrjes, shoqërisë civile, inteligjencës, profesionistëve të karrierës dhe të përfaqësuesve të zgjedhur si në të gjithë vendin dhe këtu në Lezhë. E konsideroj këtë si një bashkëbisedim jetik për zhvillimin tonë kombëtar dhe integrimin europian. Kjo sepse çdo maxhorancë përfaqësuesish, qendrore apo vendore, çdo grup qeveritarësh, kombëtar apo vendor, që e humbin këtë kontakt dhe nuk kanë aftësi për të thelluar bashkëbisedimin, atrofizohen dhe bëjnë dëm më shumë sesa për veten, atrofizojnë burimet e zhvillimit të komunitetit dhe inisiativat sipërmarrëse të qytetarëve.

Duhet të jeni të sigurtë që, duke rimarrë dhe theksin e politikave jo partiake të qeverisë që vuri ministri i Rendit, nuk jam këtu për të blerë vota, por dua që të thithet më mirë në qeverisje mendimi profesional, mendimi intelektual, mendimi qytetar dhe ajkën e inisiativave tuaja sipërmarrëse, i cili nuk është vetëm pronë e Tiranës dhe as vetëm e Akademisë së Shkencave.

Ne po ndërtojmë infrastrukturën e integrimit në tregun kombëtar të të gjitha qarqeve, rretheve, komuniteteve, bashkive, komunave. Po ndërtojmë dhe po vëmë në funksionim rrjete kombëtare dhe rajonale të komunikimit, të lëvizjes së lirë, të transportit, të shkëmbimit të mallrave, të transaksioneve financiare, bankare etj. Për shkak se edhe këtu në Lezhë ka internet edhe në familje, sot mund të gjesh në këto autostrada të komunikimit, më mirë sesa një fjalim Ministri apo Kryeministri, me një buton po aq informacion, dmth po aq ide të reja dhe bashkëkohëse, si në Tiranë, edhe në Lezhë, edhe në fshatin më të largët të Shqipërisë, duke hyrë në rrjetin e komunikimit global që po instalohet edhe në Shqipëri. Unë jam këtu për ta shfrytëzuar këtë informacion dhe këtë shpirt krijues dhe korrigjues që ofroni ju lezhianët, banorët e Lisusit të vjetër, ndaj të gjitha politikave dhe të gjitha qeverive.

Dëgjova me vëmendje ndërhyrjet tuaja dhe prandaj solla me vete një ekip profesionistësh të saktë, të cilët duke ju informuar jam i sigurtë morën edhe përmbajtjen racionale të sugjerimeve tuaja për të përmirësuar punën e tyre. Jemi në të njëjtin traget, jemi në të njëjtin proces lëvizjeje për zhvillim drejt Europës moderne. Plotësojmë njëri tjetrin në vlerësimet dhe në nevojën e përshpejtimit të reformave dhe të forcimit të kapaciteteve të administrimit publik, të funksionimit të institucioneve tona demokratike.

Jemi të të njëjtës mendje se vetëm reformat europiane, standartet e BE në çdo aspekt të jetës publike dhe private, mund ta transformojnë Shqipërinë për ta bërë të denjë dhe të aftë që brenda jo më shumë se 10 vjetësh, të bëhet anëtare me të drejta të plota e familjes së madhe të Europës së Bashkuar. Duket 10 vjet si shumë, por në qoftë se do ishte ndonjë njeri që do t'ju gënjente, ky nuk do të isha unë.

Për 10 vjet ne mund të arrijmë vetëm nivelin e të ardhurave për frymë të Kroacisë fqinje. Nuk është i vetmi tregues dhe, prandaj, për shkak se reformat dhe standartet kanë një mënyrë tjetër sjelljeje të shoqërisë, të shtetit, të administratës, të politikës, të sipërmarrjes, të gjyqësorit, të policisë apo të qytetarit, ne mundemi vetëm së bashku ta shkurtojmë këtë kohë dhe të përshpejtojmë ritmet e zhvillimit dhe të integrimit.

Pra, integrimi nuk është një donacion, nuk dhurohet. Është një angazhim dhe përgjegjësi që fillon tek Kryetari i shtetit dhe përfundon tek çdo shtetas që, realisht me prova si sot këtu, shfaq dëshirën dhe vullnetin për ta merituar pasaportën evropiane dhe jo vetëm për ta marrë me rushfet nëpërmjet Dhomës së Tregtisë apo ndonjë miku në Parlament, në Qeveri apo Ministrinë e Jashtme.

E them këtë sepse po konstatoj që jo të gjithë po integrohen në këtë sfidë apo sipërmarrje kombëtare dhe jo të gjithë po e kuptojnë përgjegjësinë për këtë sipërmarrje integruese që përfshin të gjithë vendin. Në Europë, më falni për thjeshtëzimin e çështjes, futemi edhe nga mënyra se si e hedhim bishtin e cigares në tokë apo taketuke, nga standarti me të cilin kujdesemi për kopshtin apo për oborrin e shtëpisë, nga standarti i bashkëjetesës në pallate që ndërtohen nga privatet por blihen sërish nga qytetarët, nga mënyra se si dhe sa bëhemi pjesëmarrës në shtrimin dhe zgjidhjen e problemeve të jetës tonë të përditëshme dhe administrimit të përgjegjshëm të tyre, nga qeveritarët vendorë apo qendrorë. Sepse demokracia është asgjë tjetër në thelb veçse pjesëmarrje apo marrje përsipër e përgjegjësive dhe kontribut aktiv i përditshëm në zhvillimin e jetës së qytetarëve.

Ende vazhdojnë të më vijnë letra apo informacione në formë ankesash në zyrën e Kryeministrit për të gjitha problemet që ka komuniteti apo vendi. Të kuptohemi; unë i mbaj të gjitha përgjegjësitë që më takojnë nga Kushtetuta, ligjet apo mandati politik si Kryeministër apo Kryetar i maxhorancës dhe nuk u shmangem atyre. Por nuk mund të marr përgjegjësitë që u takojnë të tjerëve. Më thoni ju lutem cili kryetar bashkie apo komune në zonat e kërcënuara nga përmbytjet mori masa për të çliruar kanalet dhe tombinot nga ndërtimet abuzive dhe pa leje? Cili këshill komunal apo bashkiak analizoi situatën dhe kërkoi zgjidhje me fondet dhe kontributet e vetë komunitetit, sepse në një proces europian ku po përfshihemi kur komuniteti bën një, qeveria bën trefishin e njëshit? Cili qytetar apo këshilltar i zgjedhur ka organizuar këtu në Lezhë apo komunat e Lezhës interpelancë me të zgjedhurit për këto çështje? Kryetari i një komune me 8 mijë banorë i qarkut tuaj më dërgonte një letër ku më kërkonte një fond prej 700 mijë lekësh (të reja) vetëm për të rregulluar zyrat dhe për të përmirësuar mjediset e shërbimit të administratës.

Të nderuar miq!

Çdo banori i bie të paguajë më pak se 100 lekë për t'i garantuar vetes lehtësira në përfitimin e shërbimeve publike të komunës. Kjo është mesatarja e barrës fiskale të sotme. Por kryetarët e komunave e kanë më të lehtë t'ja kërkojnë qeverisë fondet, sesa të ushtrojnë funksionet për t'i mbledhur këto të ardhura, sipas autoritetit fiskal të deçentralizuar për të cilin dhe janë zgjedhur dhe votuar. Dhe mos harrojmë se Shqipëria ka rreth 400 komuna, gjë që e bën mijën apo milionin, miliard në shkallë kombëtare, ndërsa buxheti i shtetit është ai që të gjithë e njohim, përveç Sali Berishës që nuk e kupton, sepse ka 7 vjet që nuk ka asnjë eksperiencë qeverisëse.

Sot, jam këtu për t'ju ftuar sinqerisht të bëheni partnerë aktivë në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive qytetare, pasi më mirë se ju askush nuk e kupton sesa energji dhe burime të fjetura ka në çdo komunitet për të ngritur standartet e jetës jo vetëm drejt Evropës. Por nuk shkon më që psh Balldreni të krahasohet me Lezhën, Lezha me Tiranën dhe Tirana me Brukselin, kur resurset janë lokale, kur ka zona me zhvillim prioritar dhe prandaj të stimuluar që mund t'i japin edhe Tiranës një ritëm më të lartë europian. Ndryshe ka edhe lezhjanë që duan të orjentohemi nga Taivani jo nga Europa. Integrimi evropian nuk është një linjë, por një front që duhet ta përballojmë të gjithë së bashku.

Unë e di se nevojat e Lezhës për financime publike janë ende të mëdha. Por dua të ndaj me ju këtë vlerësim. Ajo që mazhoranca aktuale në vitin e 7-të të qeverisjes ka bërë për Lezhën nuk krahasohet dot me asnjë periudhë apo regjim tjetër. Vetëm për këtë vit Qarku i Lezhës përfiton direkt nga buxheti i shtetit 3.2 miliard lekë investime ose diçka më shumë se 30 milion dollarë. Unë nuk kam asnjë shans të krahasohem me regjimin e '92-‘97, por dua t'ju them se kjo shifër është më e lartë se investimet që Lezha ka përfituar në dy vite të marra së bashku, 2000–2001. Vetëm për rrugën Balldre – Lezhë investohen 1.6 miliard lekë.

Ne nuk presim falënderime, pasi kemi bërë detyrën ndaj qytetarëve dhe sipërmarrësve progresistë lezhianë. Por ne presim të njëjtin angazhim dhe frymë përgjegjësie ndaj qytetarëve edhe nga pushteti vendor, nga të zgjedhurit apo të emëruarit në administratën përfaqësuese të qeverisë apo të qeverisjes vendore. E ritheksoj, pse nuk mblidhen taksat e tokës apo të banesës nga pushteti vendor? Doni qytet si Tirana, paguani si tiranasit (jo sa tiranasit por si tiranasit, sepse dihet diferenca në nivelin e pasurisë). Doni një shtet të barabartë mes shteteve të Bashkimit Evropian, paguani si dhe jo sa qytetarët e tjerë të Evropës. Mos neglizhoni më, ata që nuk paguajnë, se do të vazhdojë, për shkak të forcimit të autoritetit fiskal të ligjit, të forcohet barra dhe detyrimi mbi ata që paguajnë. Shpërndajeni duke bashkëpunuar me shtetin dhe autoritetin ligjor që të gjithë të paguajnë në mënyrë që të bjerë kostoja e përfitimeve që merrni.

A e dini se taksa mbi tokën nuk është menduar si instrument buxhet- mbushës, por si një instrument fiskal për të mos e lënë atë djerrë? Ata që nuk e punojnë, duke mos paguar taksën, nuk bëhen të interesuar ta shesin apo ta japin me qera dhe të marrin fitime. Për këtë akuzojnë qeverinë se po lejon importet e produkteve bujqësore madje dhe të barit nga Maqedonia! Kur tokat tona shumë pjellore mbeten djerrë, sepse instrumenti fiskal nuk funksionon. Një pronar që nuk paguan taksat e një prone të dhuruar me ligj humbet të drejtën e pronësisë në çdo vend të botës demokratike.

Po ju drejtohem juve pasi personalisht nuk kam më shpresa se opozita parlamentare do të japë ndonjë kontribut në modernizimin dhe integrimin e Lezhës në Shqipëri dhe të Shqipërisë në Evropë. Ju po e shihni se kjo opozitë destruktive nuk është e aftë të deklarojë angazhimin patriot për votën "PRO" për paketën e ligjeve që përbushin detyrimet dhe standartet e integrimit në BE të Shqipërisë.

Po ju drejtohem juve si elita e komunitetit qytetar lezhian, sepse në mënyrë evidente na bashkon përkushtimi dhe përgjegjshmëria për fatet e atdheut që po modernizohet dhe integrohet. Vetëm së bashku mund t'i ndihmojmë qytetarët apo dhe mediat e painformuara të kuptojnë se Bashkimi Evropian nuk vendos kushte ndaluese ndaj dëshirave dhe vullnetit tonë kombëtar për t'u integruar, por cakton standarte që ne duhet t'i plotësojmë.

Partnerët tanë evropianë dhe euroatlantikë na kanë orfuar dhe nuk e kursejnë, por po e konsolidojnë përvojën e tyre të suksesshme, rrugën dhe eksperiencën administrative, financimet dhe programet e bashkëpunimit për të përshpejtuar reformat që prodhojnë edhe në Shqipëri standarte dhe progres për të gjithë. Nga kjo pikëpamje, ju nuk mund të vazhdoni të prisni ndonjë sukses të papritur, që e lajmëron Ministri i Rendit apo i Drejtësisë apo cilindo tjetër përfaqësues i qeverisë, në luftën kundër korrupsionit, kur mungon vullneti qytetar apo shoqëror për ta denoncuar korrupsionin vendor në çdo nivel, në kontakt me ju, në rrugë administrative, ligjore dhe penale.

Korrupsioni nuk luftohet me fjalë, të cilat ne, si ballkanas nuk na mungojnë, por na mungojnë instrumentet dhe edukata ligjore për t'i përdorur. Mësoni instrumentat ligjore të denoncimit dhe drejtohuni shtetit ligjor për të drejta të dhunuara apo për abuzim të zyrtarëve me të drejtat e qytetarëve. Unë e di dhe e kam shprehur si shqetësim korrupsionin në sistemin e shëndetit publik. Por më thoni cili qytetar ka denoncuar cilin mjek apo infermier për dhunimin e të drejtës së tij kushtetuese për të përfituar falas nga shërbimet në shëndetin publik? A e dini si bëhet vlerësimi i i nivelit të korrupsionit për Shqipërinë? Ka disa Organizata Joqeveritare të huaja ndërkombëtare, të cilat vijnë në Shqipëri dhe i bëjnë pyetje përfaqësuesve të komunitetit apo të biznesit a paguajnë tangente dhe rryshfete në administratën shtetërore apo në sistemin e drejtësisë. Dhe kuptohet se përgjigja është "Po, paguajmë kaq apo aq" dhe ne që jemi shqiptarë e kuptojmë se si shtohen zerot në shifrat e vërteta dhe ekzistojnë vërtet shifra të larta të korrupsionit. Por pa i denoncuar në organet e shtetit ligjor dhe të Kontrollit Shtetëror në Shqipëri, nuk munden të na i zgjidhin organizatat e huaja jo qeveritare apo raportet, që ndërtohen mbi bazën e tyre.

Unë ju bëj me dije dhe me përgjegjësi se në dy vitet e fundit vetëm 2 firma kanë hedhur në gjyq entet prokuruese për pabarazi në tendera. Dhe kanë bërë shumë mirë, sepse, gjykatat janë pikërisht për këtë punë, për të dhënë drejtësi. Bëhet fjalë për mijëra tendera me një vlerë të përgjithshme prokurimesh për rreth 700 milion dollarë. Këto janë në shërbim të komunitetit dhe duhet të jenë në vëzhgimin e komunitetit, të përfaqësuesve të zgjedhur, të administratorëve të kontrolluar prej tyre dhe të qytetarëve në dobi të të cilëve bëhet investimi.

Ju, si përfaqësuesit më të denjë të ndërgjegjes komunitare, por edhe më gjerë, si intelektualë dhe profesionistë, duhet të na ndihmoni t'u japim fund praktikave që kur mbahen fjalime nga biznesi, kërkohet luftë kundër evazionit fiskal, ndërsa kur shteti vepron, pretendohet se "ju cënohen të drejtat". Kërkohet nga qeveria luftë kundër korrupsionit, por jo si një fenomen, që, për fat të keq është bërë prezent në disa nivele të administratës dhe shërbimeve publike, vendore gjithashtu, por kjo kërkohet vetëm ndaj ministrave dhe jo ndaj ortakëve të tyre brenda administratës publike, apo përqark saj, madje edhe në rrugë, edhe në media.

Mos denonconi vetëm ministra, denonconi edhe ata me të cilët punojnë ministrat, që ju mendoni se janë të korruptuar në të gjithë sektorët. Media kritikon qeverinë për mos plotësim të standarteve evropiane, por në shumë raste investimet në media nuk justifikojnë bilancet që ata paraqesin në organet tatimore. Nga vijnë paratë? Kush i mban rob dhe skllav mediat tona? Shumica e gazetarëve janë të pasiguruar. Dhe nëse shteti tenton të vendosë rregull edhe në këtë treg, e dimë si buka që hamë se çfarë thuhet: thonë se po preket fjala e lirë. Më falni, ç'lidhje ka fjala e lirë me bizneset? Nuk njoh ndonjë gazetar në botë që të ketë fshatra turistikë, pallate, e biznese të tjera dhe të paguajë ministra që t'i shtojë ato, duke akuzuar kryeministra, qeveri dhe maxhoranca apo sistemin e drejtësisë se po dhunon fjalën e lirë. Sepse gazetaria është mision dhe nuk është biznes. Aq më pak biznes i qelbur.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ka ardhur koha që duhet të administrojmë dhe orientojmë energjitë kombëtare jo thjesht për përfitime të shpejta personash që përfitojnë pushtet, por për të bërë të mundur që secili ta ndjejë se "Evropa fillon nga sjellja e vet", nga respekti për komshiun dhe nga gadishmëria që komshiu të të kontrollojë sesi sillesh me të tjerët. Evropa fillon tek çdo individ, tek çdo sipërmarrës, tek çdo arsimtar apo mjek, tek çdo nëpunës, drejtues apo i zgjedhur.Çdo rrugë tjetër drejt Evropës është e gjatë, e vështirë dhe e pasigurtë. Në mos po e pamundur, sepse Europa nuk vjen dot me urdhër apo me shpresë të Zotit. Dhe unë jam i bindur se të gjithë ne, pra edhe ju, do të krijojmë një gjendje të ndezur shpirtërore dhe qytetare, kur secili e pyet veten në mbrëmje: kjo që bëra, kjo ditë që harxhova a i shërbeu afrimit të vendit tim me Europën moderne?

Për këtë arsye ju ftoj të kapërceni pragun e derës së shtëpisë, zyrës apo studios private, të kërkoni, bashkë me të gjithë ata që i vlerësoni si vetja, partneritet për sipërmarrjen evropiane të Shqipërisë, të konkurroni dhe fitoni në konkurrencën për detyra dhe funksione publike apo projekte private, që përmirësojnë jetën e komuniteteve. Bëhuni më aktivë veçanërisht me administrimin e pushtetit vendor dhe kompetencave të gjëra, që po i vijnë pushtetit vendor për shkak të reformave tona të decentralizimit, duke thithur mendime dhe kontribute nga çdo qytetar dhe sipërmarrës. Vetëm duke u bërë ju partnerë me zgjedhësit dhe të zgjedhurit e qeverisjes, shteti do vihet tërësisht në shërbim të komuniteteve.

Ju uroj fat të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›