E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vend që të ankohen buajt, ulërin qerrja!

17-07-2011 / Nga Luan Myftiu

Të dalë nga mitra e përgjakur e “kuçedrës”, mëkatarët socialistë duhet të shprehin sot vetëm mirënjohje ndaj popullit, i cili, ndonëse e izoluan, e tallën, e terrorizuan dhe e lanë në mjerim, po i pranon të kandidojnë për ta qeverisur. Shenjtorja Shqipërí po ua duron si mali dëborën bojkotet e gjata, bllokimet absurde, grevat e pamotivuara, demonstratat e dhunshme, që  nuk të shpien veçse në ndarje dhe armiqësim. Demonët nuk po heqin dorë nga rruga e mbrapshtë. Mëkatarët e papenduar nuk po e pranojnë ndriçimin e vetëdijes së viktimave. Të përmbysur nga ofshamat e një populli të nëpërkëmbur, xhelatët e komunizmit tentojnë të mbajnë gjallë frymën e gënjeshtrës, të konfliktit, të prapambetjes dhe të diferencimit klasor. Meqë e dinë se pushteti është “pronë” e sovranit, zeusat e “revolucionit” duan terror, diktat, mohim, shpifje dhe akuza të paqena. Shkurt, synojnë krijimin e armiqve të rinj imagjinarë. Kjo maní kriminale instinktive e të paaftëve për të mbajtur nën thundër titanin popull po krijon situata paradoksale. Elektorati i zgjedh t’i shërbejnë, horrat i sillen atij si padronë. Dhe, kur intrigantët e pasuruar me mjerimin e tij i përqeshin aspiratat dhe ky i largon nga pushteti, “shërbëtorët” humbës revoltohen ndaj sovranit. Dhe ngrenë në këmbë gjithë avokatët e tyre të krimit. Ngrihen, pra, këmbët t’i bien kokës. Ndërsa, kur bota humane kërkon të shkojë haka tek i zoti, janë po këta mëkatarë që tentojnë t’i vënë asaj kufírin te thana. Meqë qytetërími është dritë, shejtanët e lumit kanë frikë të shihen në pasqyrë. Të gjithë diktatorët kanë i tuten diturísë. Xhelatët komunistë tmerrohen nga integrími. Antenat e tyre përthithin alarmet e të drejtave njerëzore, që mbrojnë demokracitë e konsoliduara. Sizmografët e mëkatit ndiejnë rrezikun e ndëshkimit. Alarmi rritet brenda tyre. Partia e mëkatarëve krijon alibí, që të pengojë liberalizimin e vizave, integrimin, turizmin, zhvillimin ekonomik e kulturor, e tj. Qytetërími po kërkon të ndërgjegjësojë popujt e skllavëruar nga komunizmi. Mirpo të drejtat e njeriut nuk janë në axhendën e harbutëve, të veshur me frak europian. Por e drejta e tyre për të sunduar pa kundërshtarë po shndërrohet në një iluzion. Pronat e vjedhura pretendojnë të kthehen tek i zoti. Pabarazía ekonomike po zhduk barazitarizmin skllavërues. Po shuhen shpresat për ta bërë rishtas Shqipërínë çiflig të një bande xhelatësh. Po harrohen ëndrrat që hajdutët të nderohen dhe kriminelët të adhurohen si Perëndí. Ndaj horrat klithin: o burra suluni ndaj humanizmit perëndimor! O burra i vini kufirin te thana miqësísë me demokracitë e zhvilluara! O burra i caktoni kushte lirisë dhe barazisë së njerëzve para ligjit! O burra  shpalleni të vdekur drejtësínë, kur nuk punon si avokate e hajdutërísë socialiste! 
Dhe, sa më thellë po bindet populli për nevojën e integrimit në Europë, aq më tepër ai po mallkon izolimin e djeshëm komunist. Aq më shumë po mallkon satrapin Enver Hoxha, që mburrej duke kërcënuar se do t’i dëgjohej pushka në Moskë e në Uashington. Prandaj klith Rama: o burra t’u vihen kushte demokracive perëndimore, para se të drejtat e njeriut të hyjnë thellë në shpirtin e çdo shqiptari! O burra ta akuzojmë Perëndimin si bashkëpunëtor, si mbrojtës të manipulimit të votës së lirë! O burra, ta mbajmë të pazhvilluar Shqipërínë! Ta bindim popullin se mëkatarët e djeshëm nuk mund t’u japin llogari për vjedhjet skllevërve të tyre të djeshëm! O burra të vihet në jetë strategjía kriminale e Enver nastradinit, që, duke mbajtur “peng” tre milionë shqiptarë, bëri të mbijetonte sistemi i gënjeshtrës, i tamtameve, i tallonave dhe i “dajakut”! O burra, sa nuk është vonë, të paralajmërohet Europa se, po nuk i pranoi krimet e komunizmit si të pandëshkueshme dhe mëkatarët e diktaturës si fajtorë pa faj, të mos kërkojë as detyra shtëpie, as rritje ekonomike, as zgjedhje brenda standardesh, as transparencë, as debat, as mirëkuptim, madje as konsensus! Jo! Socialistët do të vazhdojnë të rritin ankesat ndaj miqve ndërkombëtarë të këtij populli, të cilit, po iu hapën sytë, do t’i kujtohet se kush ia mori kot jetën, pronën, dinjitetin dhe lirínë. Dhe nuk do t’i vërë më në “oxhak” këto taborre mëkatarësh, që edhe sot po e pengojnë të realizojë aspiratën e tij europiane. Kështu është penguar gjithmonë virtyti nga vesi. Asnjëherë krimi nuk i ka lëshuar rrugë paqes sociale, zhvillimit dhe vëllazërímit kombëtar! Gjithmonë mëkati do t’i druhet pafajësisë, por e mira në fund ka për të triumfuar. Ndryshe, bota do të qe shkatërruar me kohë! Prandaj popujt janë të përgatitur se zullumi nuk ka për të hequr dorë nga lakmia, as paaftësía nuk ka për t’i dorëzuar çelësat e shpifjes, të akuzave false, sidomos ndaj atyre, që ia duan popullit të mirën. Asnjëherë nuk e ka vlerësuar këshillën miqësore i padrejti. Nuk mund ta kuptojë dot humanizmin krimineli. Nuk sakrifikon interesat meskine mediokri. Aq më pak mëkatari i papenduar. Prandaj Rama humbi 20 mijë votat e tiranasve. Prandaj nuk po e pranon ai verdiktin e sovranit, shpallur nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor. Prandaj bashkë me neobllokmenët po ulërin ai kundër BE-së, që kërkon pranimin e humbjes, bashkëpunimin për reformat, largimin nga rruga e konfliktit, braktisjen e interesave meskine partiake dhe personale për ato kombëtare. Mirëpo mëkatarët socialistë, ndonëse të pasuruar pa masë, po i ndjek pas me ulëríma tmerri e kaluara e tyre kriminale. Ndaj, jo më kot një i ditur ka pasë thënë me bindje të thellë: “Askush nuk mund të jetë aq i pasur sa të blejë të kaluarën e tij”!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›