Në vend të Jahjagës e Mustafës, dritat e bredhit ndizen pa ceremoni

Dritat e “bredhit të Pavarësisë” këtë vit i kanë ndezur punëtorët të cilët janë kujdesur për stolisjen e tij, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Traditën ndezjes së dritave të Bredhit të Pavarësisë e pat nisur presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova. Atë e vazhdoi edhe pasardhësi i tij Fatmir Sejdiu.
Këtë ndjenjë e provoi edhe presidentja aktuale Atifete Jahjaga bashkë me kreun e komunës Isa Mustafa. Por, sivjet rrethanat kanë ndryshuar. Dhe tradita u ndërpre për shkak të konfliktit në mes LDK-së dhe Presidentes Jahjaga.
Burime të Indeksonline brenda LDK-së thonë se insistimi i kësaj partie që presidentja aktuale të jap dorëheqje dhe refuzimi i kësaj të fundit ka bërë që dritat e bredhit të mos ndizen me ceremoni.
Në presidencë dhe në Komunën e Prishtinës nuk janë përgjigjur për këtë çështje.
Drejtoresha për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi, ka thënë për Indeksonline vetëm se bredhi është ndezur, pa dhënë arsyet për mos mbajtjen e ndonjë ceremonie.
Ndërkohë edhe zëdhënësi i Komunës së Prishtinës Asdren Osaj, nuk është përgjigjur për këtë çështje./Indeksonline/