Në vend të Stalinit, kryeministri i parë shqiptar
Në piedestalin e mbetur bosh në qendrën e qytetit Delvinë që para viteve 90 i ishte lënë JosifStalinit, u vendos busti i kryeministrit të parë të qeverisë shqiptare dalë nga Kongresi i Lushnjës, më 1920, Sulejman Delvina. Në mesditë u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve, në parcelën kushtuar figurave të shquara, patriotët Sulejman e Namik Delvina. Banorët e qytetit, dikur qendër sanxhaku e kazaje, në ceremoninë e organizuar nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Dhurim Alinani, treguan se pavarësisht kohës që ka kaluar, patrioti Namik Delvina dhe politikani e dijetari Sulejman Delvina, meritonin ndërtimet e duhura. Kryetari Alinani e quajti këtë akt “çuarje të nderit në vend”, ndërsa studiuesi Uran Butka shprehu keqardhje “kur nuk shikon këtu asnjë figurë të shtetit dhe politikës”. Në ceremoni merrnin pjesë të afërm të familjes Delvina të cilët kanë përjetuar emocione të forta.
Pas zbulimit të bustit, u mbajt një sesion shkencor i organizuar nga bashkia ku referuan historianë dhe njohës të figurave të Delvinajve. Historiani Butka ka cituar Sulejman Delvinën i cili në kujtimet shprehet që “mësimet e para i mora nga Naim Frashëri”. Ai ishte një properëndimor i madh dhe dashamirës i SHBA. Me Kongresin e Lushnjës, 29-31 janar 1920, ai plotësoi kabinetin e qeverisë drejtuar prej tij duke hyrë në historinë ere si kryeministri i parë i Shqipërisë me një qeveri demokratike. Ndërsa Namik Delvina, një ndër katër vëllezërit Delvina, njihet për kontributin e madh për përhapjen e gjuhës dhe arsimit shqip, për ngritjen e klubeve dhe shoqatave kulturore e teatrale në Delvinë. Ishte kryetari parë i bashkisë së Delvinës dhe një nga udhëheqësit kryesor të lëvizjes së armatosur të Cepos. Në fund të sesionit,familjarëve ju dha emblema e ”Qytetarit të Nderit” akorduar nga Këshilli Bashkiak për Sulejman Delvinën.