A janë VIP-a edhe kushërinjtë e VIP-ave ?
Ndodhet në ambjentet e Spitalit Ushtarak në një godinë 2-katëshe dhe pak kush e di çfarë është..E qaujnë Pavioni VIP, sepse aty është menduar të trajtohen persona me status social të posaçëm, veçanërisht politikanë, a thua se nuk u mjaftojnë privilegjet e tjera..
E megjithatë, ata rrallë “begenisin” të shtrohen aty.. Në rast sëmundjesh të rënda e jo vetëm për këto, fluturojnë jashtë Shqipërisë.. Vetëm nëse ndonjë aksident i papritur i detyron të marrin ndihmën e parë në këtë repart, e menjëherë më pas, me avionin e parë, të nisen jashtë vendit.. Jashtë këtij vendi të cilin e udhëheqin, por që nuk janë në gjendje ti ndërtojnë as një spital të hajrit për veten etyre dhe për të tjerët..
Gjithsesi pavioni VIP është aty. Dhe kushtet nuk janë të këqija.. Nuk është fort brenda rregullave, madje mund të cilësohet shkelje e tyre, por në këtë pavion ndodh shpesh të përfundojnë jo VIP-at por të afërmit e VIP-ave dhe të marrin shërbim të paguar nga taksat si të ishin përsona të rëndësishëm të vendit. Kreu i Spitalit Ushtarak të cilin e takojmë gjatë vëzhgimit tonë, premton se “këtej e tutje në këtë pavion do marrin shërbim vetëm ata që statusi i pavionit paracakton.. ”.
***
As vetë disa nga “personat e rëndësishëm të vendit” nuk e kanë ditur se për ta ekziston një pavion ku mund të marrin shërbim ndryshe nga të tjerët.“Në fakt disa prej tyre vetëm pasi janë shtruar në këtë pavion e kanë kuptuar se këtu mund të gjejnë një shërbim ndryshe si për kushtet e hotelerisë edhe për ato të sigurisë”,- pohon z.Mihaj duke shtuar se vetëm para pak kohësh janë shtruar 5 deputetë që kishin pësuar aksident. Sipas tij në këtë pavion është shtruar edhe ndonjë personalitet që ka patur sëmundje kronike dhe pasi nuk i është bërë derman në vendet e tjera ka ardhur në këtë pavion.
“Një rast i tillë ka qenë me aktorin e madh Kadri Roshi ku pasi u dërgua në Turqi për kurim u rikthye në Shqipëri por kësaj here për të marrë shërbimin e fundit mjekësor pikërisht në pavionin VIP”. Këtu është mjekuar edhe aktorja Violeta Manushi e ca më pas edhe shkrimtari Dritëro Agolli.. ”
***
Me gjuhën e statistikave, VIP-at tanë rrallë i drejtohen pavionit VIP.Përfundojnë aty vetëm kur koha nuk pret.Nëse do ti hedhësh një sy godinës ku ndodhet ky pavion nuk të jep ndonjë përshtypje të veçantë. Por po të hysh në brendësi, ambjenti bën përshtypje. Kushtet e hotelerisë edhe në ato të sigurisë janë ekstra
Ky pavion përbëhet prej 10 shtretërish dhe për çdo pacient të atyshëm ka një dhomë në dispozicion e shoqëruar me një paradhomë e mobiluar dhe banjo. Kolonel Dr.Shk.Luan Nikollari tregon se personeli që shërben aty është me grada të larta ushtarake duke filluar nga shefi i shërbimit deri tek infermieret. “Mund të them se kryenifermierja është me gradën Major dhe ka mbaruar studiemt e larta në Akademin Ushtarake të Turqisë”,- thotë z.Nikollari, duke shtuar se edhe forcat ushtarake që e mbikqyrin këtë pavion janë të shumtë në numër. Në fakt këtë gjë e pamë me sytë tanë: Infermiere të veshura në një mënyrë tepër të rregullt, të gjata dhe me një elegancë që reflektohej që atje tej... Edhe forcat që ruajnë këtë shërbim duken ushtarakë nga ata hijerëndët...
***
Teorikisht pavioni VIP duhet të jetë vetëm në shërbim të përsonave që kanë status të veçantë shoqëror. Por meqë këtyre zakonisht ua mban kuleta të ikin jashtë, në pavion ka patur raste që janë shtruar kushërinj dhe të afërm të tyre. Shkelje? Normal që po, por ja që e tillë është Shqipëria..
Megjithëse emrat e pacientëve mbahen në një regjistër të veçantë dhe nuk bëhen publike, mundëm të merrnim vesh ndonjë prej tyre. Një nga pacientet e fundit p.sh. ka qenë nëna e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. I pyesim drejtuesit e Spitalit Ushtarak nëse shohin shkelje në raste të tilla.. Përgjigja është gati: këta pacientë, pavarësisht se nuk janë vetë VIP-a, duke qenë të rrethit të ngushtë familjar të VIP-ave janë gjykuar që duhet të shtrohen aty për shkak të kushteve të sigurisë.. VIP-at do vinë ti vizitojnë apo jo? Kështu që...
***
E pyetëm z.Mihaj për kategoritë e personave që mund të përfitojnë shërbim në këtë pavion.
“Kemi nxjerrë një urdhër të brendshëm sipas të cilit në këtë pavion tashmë do të trajtohen ushtarakët e lartë me gradë mbi nënkolonel, deputetë, qeveritarë, ministra si edhe kryeministri e presidenti i vendit”,- pohon Mihaj. Sipas tij nga përsonat që mund të përfitojnë janë edhe delegacionet e huaja zyrtare ushtarake apo trupi diplomatik.