E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk mjaftojnë vetëm paratë

 

Është një moment kur duhet më shumë se para për të shpëtuar monumentet e kulturës. “Buxheti është 3 herë më shumë, por në fakt është në limitet e potencialeve që IMK-ja dhe strukturat e trashëgimisë kulturore kanë për të menaxhuar fondet. Dhe fondet e tepërta nuk janë zgjidhje, pasi burimet njerëzore janë një investim tjetër që duhet bërë dhe jemi duke e bërë me shkollën e restaurimit”, - tha dje drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës. Me këtë rast, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u hap një ekspozitë me fotografi të monumenteve në gjithë Shqipërinë. Shtëpitë karakteristike në Berat e Gjirokastër, parqet arkeologjike të Apolonisë, Bylisit..., shtatore të gjymtuara perëndish e fytyra të zbehta shenjtorësh. Sipas drejtori Bejko, dita e monumenteve është një moment reflektimi jo vetëm për punën e bërë deri tani, por edhe për nevojat e mëdha që trashëgmia kulturore ka. “Kemi përgatitur një numër të madh dokumentacionesh mbi qendra të rëndësishme historike si Gjirokastra, Berati, qendra të tjera të rëndësishme në Korçë, Elbasan, Tiranë, Vlorë, që kërkojnë ndërhyrje në një pjesë të mirë të tyre edhe imediate. Por kemi dhe monumente të veçanta që ndodhen sot në ekuilibër të brishtë të ruajtjes së tyre. Ndër ta është monumenti i amfiteatrit të Durrësit dhe shumë qendra arkeologjike, të parqeve dhe të zonave të mbrojtura”, - tha Bejko, duke vënë theksin tek objektet arkeologjike që dalin si rezultat i zhvillimit urban të vendit. Sipas tij, sot fillon një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në Gjirokastër për të cilën financohet vlera 1 milion euro, fond që qeveria shqiptare e lëvron nëpërmjet UNESCO-s.

Kasem Biçoku, në krye të Muzeut

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës, i shërbeu drejtorit të ri të Muzeut Historik Kombëtar të bënte edhe prezantimin e parë publik. Pritej të vinte edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por një takim i rëndësishëm e pengoi të merrte pjesë në këtë ngjarje të dyfishtë. Edhe pse emërimi i ish-drejtorit Beqir Meta, në krye të Institutit të Historisë dhe Qendrës Kombëtare Albanologjike, u bë me kohë, posti i kreut të muzeut deshi kohë të zëvendësohej. Vetëm pak ditë më parë u emërua në këtë pozicion historiani Kasem Biçoku. Në të parat dalje në media, ai ka shprehur qëndrimet për muzeun. Ashtu si edhe paraardhësit, fokusi bie mbi pavijonet. Këndvështrimi i tij duket se ndryshon nga ai i ish-drejtorit Meta. Ai thotë se muzeu do të rikonceptohet duke zhvendosur Pavijonin e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe atë të genocidit komunist pranë një burgu të asaj kohe. Ndryshime do të pësojnë edhe pavijonet e tjera. Për të Muzeu Kombëtar do të fokusohet tek arkeologjia, etnografia dhe Nënë Tereza. Dje, gjatë aktivitetit të zhvilluar në MHK me rastin e Ditës së Monumenteve, Biçoku u shpreh se do të konsultohet për gjithçka me specialistë të fushës, madje këtë ditë po e shfrytëzonte për këtë gjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›