“Taksa progresive na rrënon dhe sjell shkurtim të vendeve të punës”
Biznesi, shuplakë Edi Ramës
Që prej nisjes së fushatës elektorale nga Partia Socialiste, një nga tematikat e shumë trajtuara prej saj ka qenë ekonomia. Normalisht pa ndonjë ide konkrete apo mendim të ekspertëve më të mirë ekonomikë në vend apo dhe nga jashtë, kryesocialisti e tejkalon këtë pjesë, pra aspektin e reformave, me gënjeshtrat që i thur biznesit. Është e konfirmuar tashmë se ekonomia shqiptare është e shëndetshme, krejt ndryshe nga vendet e rajonit apo dhe ato të eurozonës. Por Partia Socialiste vazhdon propagandën pa ide, thjesht e vetëm për kapital politik.
Krahas specifikimit të problematikës, në rastin konkret nuk ke ç’të aludosh apo spekulosh sa i takon modelit ekonomik të Shqipërisë (gjatë të cilën Rama s’e ka kundërshtuar, por e ka miratuar në heshtje) pasi në një rajon të rrethuar nga kriza ekonomike dhe e ndikuar nga ngërçi i tejzgjatur ekonomik në eurozonë, ekonomia shqiptare nuk ra në recesion, Edi Rama i është kundërvënë sistemit të taksave.
Kësisoj, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një takim me përfaqësues të biznesit të madh, ka përsëritur se do të aplikojë taksën progresive, nëse do të qeverisë vendin pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Kryesocialisti, duke mbrojtur programin politik për biznesin, theksoi se taksa progresive nuk duhet parë si kërcënim për sipërmarrësit.
“Kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë. I siguroj sipërmarrësit se për ta ky nuk është një kërcënim, përkundrazi është një stimulim. I garantoj se vlera e progresivitetit nuk është arsye për t’u ndjerë të kërcënuar, por për t’u ndjerë të besuar dhe se në këtë mënyrë mund të shërbeheni më mirë”, iu drejtua ai përfaqësuesve të biznesit.
Sipas tij, taksa progresive do të lehtësojë nga ngarkesa aktuale 90 për qind të njerëzve të punësuar në vend.
“Lehtësimi i shtresës së mesme është një vlerë që kthehet tek biznesi, përmes rritjes së konsumit, pasi sot Shqipëria është përballë rënies dramatike të konsumit. Që kur është vendosur taksa e sheshtë, nuk ka asnjë provë që të tregojë se ajo ka ndihmuar për një ekonomi të qëndrueshme, për nxitjen e investimeve etj”, tha Rama.
Por, zbatimi i taksës progresive hasi jo vetëm në skepticizmin, por edhe në oponencën e përfaqësuesve të biznesit të madh. Politika fiskale që Partia Socialiste premton se do të zbatojë, shkon në linjë të kundërt me ato që aplikohen dhe bëhet thirrje të aplikohen në vendet e Bashkimit Europian. Vetëm një ditë më parë, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për uljen e taksave.