E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, luftë universiteteve private

08-03-2012 / Gazeta 55

Kreu i opozitës, kundër liberalizimit të tregut

Edvin Rama i shpalli luftë dje liberalizimit të tregut arsimor dhe universiteteve private.
“Diplomat e universiteteve private janë si ato letrat e dikurshme me vlerë që nuk u hyn kurrë në punë shqiptarëve, ndërsa diplomat e tyre do shtojnë ndjeshëm numrin e të papunëve me diplomë. Ky liberalizmi pa asnjë princip dhe pa rregull ka rrafshuar dy vlerat themelore për një jetë universitare, konkurrencën dhe meritën si një vlerë e patjetërsueshme e krijuar nga konkurrenca”.
Kjo ishte kryefjala e pseudo-tryezës së radhës të lidershipit socialist, “rilindja e arsimit” e cila mblodhi rreth vetes të paditur dhe të pashkolluar që s’kanë bërë qoftë edhe një orë leksioni apo seminari në universitetin publik apo dhe ato private. E thënë më thjeshtë, tryeza e djeshme e opozitës, ajo për “rilindjen e arsimit”, është një autogol që Rama ia bën vetes se arsimi as nuk vdes dhe as nuk rilind, pasi arsimi është i lidhur pashmangshmërisht me ekzistencën e kombit dhe të njerëzimit. Por për pinjollin e nomenklaturës kjo është një formulë e vështirë për t’u kuptuar, pasi ai vetë nuk ka një diplomë universitare, ndërsa kacavirret pas një 3- vjeçare të Institutit të Arteve. Mungesa e theksuara e njohurive arsimore, për shkak të nivelit të ulët të edukimit, bën që Edvini të trajtojë si mbledhjet ku vetëm ciceron, shan, pështyn dhe fyen këdo që guxon të shfaqë hapur antipatinë për të.
Universitetet private përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të tregut arsimor në vend, ndërsa numërohen rreth 50 mijë studentë që ndjekin studimet e larta në disa prej universiteteve më të njohura. Shkallën e besueshmërisë së këtyre universiteteve e rriti ndjeshëm procesi i akreditimit i një viti më parë, konkluzionet e të cilit ishin për një sistem (privat) në rritje dhe që nga viti në vit po tenton rivalizon atë publik, çka do të sillte edhe përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë dhe infrastrukturës universitare.
Ndërkohë, Rama nuk foli mbi gjetjen e rrugëve të konsolidimit të sistemit dhe forcimit të universiteteve tona, por si gjithmonë vërtiti të gjithë arsenalin e akuzave në emër të “rilindjes së arsimit”.
A është në gjendje Rama të marrë mbi supe presionin e 50 000 studentëve të universiteteve private, të cilët po tenton t’i çojë “mish për top” në kotësinë e tij? Padyshim që kryesocialistin e komplekson së tepërmi fakti që edhe sot e kësaj dite nuk ka një diplomë universitare dhe kjo jo për shkak të problemeve të sistemit arsimor, por sepse ka fobi nga arsimimi (ndjehet mirë dhe komod në vrimat e injorancës) çka e detyron të nisë sulmin dhe përbaltjen kundër universiteteve publike dhe private. S’është e thënë që pinjolli i nomenklaturës t’i faturojë vetes përgjegjësinë e problemeve që shoqërojnë sistemin arsimor i cili nga një sistem i centralizuar dhe i kontrolluar tërësisht nga ideologjia komuniste, ka njohur vitet e fundit vlerat e modernizimit dhe liberalizimit të tregut ç’ka ka rritur ndjeshëm konkurrencën si dhe ka ushqyer auditorët me leksione dhe profesorë të universiteteve prestigjioze botërore. Etërit e Ramës, shpirtërorë apo biologjik e shpallën të ndaluar frymën dhe edukimin perëndimor.
Sot ka ardhur koha që Edvini ta ndajë mendjen nëse shqetësohet vërtetë për problemet e arsimit apo e mundon fakti i modernizimit dhe liberalizimit të tregut si pjesë e globalizimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›