E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vendkalimin Bllacë aktorët mbahen deri në mëngjes

Bllacë - Trupa teatrore e Teatrit Shqiptar të Shkupit është mbajtur disa orë në vendkalimin kufitar të Bllacës nga ana e organeve kufitare, derisa ata po ktheheshin nga Prishtina.

Në reagimin e stafit drejtues të teatrit theksohet se “ansambli i Teatrit Shqiptar në Shkup është i indinjuar nga sjellja çnjerëzore e doganierëve të vijës kufitare në Bllacë, pasi që më date 12.02.2009 nga ora 1 :30 pasmesnate, e deri ne orët e hershme te mëngjesit u detyrua të presë në rrugë në temperaturë nën -zero gradë celsius edhe pse i respektuan rregullat kufitare dhe doganore.

“Ekipi ishte duke u kthyer nga Prishtina ku prezantoi shfaqen "Netë shqiptare", shfaqe e cila korri suksese të vazhdueshme gjatë prezantimit të saj në hapësirat e Teatrit Shqiptar në Shkup, dhe i njëjti sukses e përcolli edhe në Prishtinë. Shfaqja u mirëprit nga publiku masiv, dhe mori lëvdata e kritika pozitive mirëpo zinxhiri i sukseseve do të ndërpritet pasi shfaqja e paraparë për ditën e shtunë (14/02/2009) do të anulohet për shkak të ftohjessë disa aktorëve që pritën në rrugë më shumë se dy orë”, thuhet në reagimin e Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Sipas tyre, në bazë të memorandumit të nënshkruar për bashkëpunim mes tri qendrave teatrale Tiranës, Shkupit dhe Kosovës, udhëtimet e tyre do të jenë të shpeshta, kurse keqtrajtimet e këtij lloji do të pengojnë realizimin e plotë, si të marrëveshjes poashtu edhe të programit. “Sipas programit të Teatrit Shqiptar Shkup me rastin e kremtimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2009, mysafir në teatrin tonë do të jetë Teatri Kombëtar i Kosovës me shfaqen "Tartufi" nga Molieri, në regji të Rahim Burhan.

Besojmë se do të na mundësohet të tregohemi mikpritës dhe se ekipin e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk do t'a presë ndonjë situatë e palakmueshme në vijën kufitare Bllacë”, theksohet në komunikatën e Teatrit Shqiptar të Shkupit. INA/Start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›