E Diel, 1 Nëntor 2026

Në verifikim 120 mijë dosje të aftësisë së kufizuar

13/02/2009  Pagesat sociale

Shpërndarja e pagesave sociale në ndihmë të kategorive me aftësi të kufizuara nga fillimi u muajit mars do të pësojë ndryshime, për faktin se do të ketë rivlerësim të tyre. Sipas kritereve të reja të përcaktuara, është vendosur që dhënia e këtyre pagesave do të jetë në varësi të shkallës së dëmtimit nga e cila vuan personi që trajtohet sipas kësaj skeme përkrahjeje. Kështu, rreth 120 mijë dosje të personave që i përkasin kësaj kategorie në të gjithë vendin, do të kalojnë në sitën e verifikimit për të vërtetuar nëse është marrë në mënyrë të rregullt KEMP (raporti mjekësor që dëshmon aftësinë e kufizuar) nga sigurimet shoqërore. Në një prononcim të dhënë gjatë ditës së djeshme zëvendësministrja e Punës Marjeta Zaçe ka pohuar se “të dhënat e kontrollit të inspektorëve të punës në qarqe do t’i lejojnë Ministrisë së Punës të vendosë për secilin person me aftësi të kufizuar pagesë financiare të ndryshme në bazë të shkallës së paaftësisë”. Ky ndryshim do të sjellë rishikimin e këtyre pagesave dhe rivlerësimin e tërësisë së dokumentacionit që disponon kjo kategori. Ndërkohë që është në përfundim projektligji për statusin e personave me aftësi të kufizuara, është duke u rishikuar edhe ligji i shërbimeve sociale, draft i cili pritet të përfundojë në muajin mars të këtij viti për t’u kaluar më pas për miratim në qeveri. Nëpërmjet këtij drafti do të evidentohen të gjitha ndryshimet që do të pësojë skema e trajtimit me pagesë sociale, që do të jetë në vijimësi për këta persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›