E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bankat më transparente për interesat e kredive”

13/02/2009  Rregullorja e re

Përpara lëvrimit të kredisë bankat duhet të informojnë në mënyrë të detajuar kredimarrësin mbi kushtet apo interesat që ai duhet të paguajë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij vendosi të miratojë rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët”. Kjo masë është marrë për të mbrojtur kredimarrësit, të cilët jo rrallë mbeten të panjohur me detyrimet dhe penalitetet që u ngarkohen pas miratimit të një shume të caktuar parash. “Rregullorja do t’i sigurojë kredimarrësit një informacion më të kualifikuar, nëpërmjet një procesi të krahasimit të ofertave që ofrojnë banka të ndryshme për të njëjtin produkt. Rregullorja vendos rregulla dhe kërkesa specifike në lidhje me informacionin që i jepet klientit për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët”, - theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Rregullorja i jep të drejtë çdo klienti që të njihet me normën efektive të interesit që aplikon banka e tij si dhe me të drejtave që i takojnë atij në këtë proces kredimarrjeje. “Orientimi dhe mbrojtja e konsumatorit shqiptar ishte bërë një domosdoshmëri, kur ky i fundit pozicionohet në rolin e kredimarrësit të sistemit. Kjo praktikë ka marrë në konsideratë mësimet e nxjerra nga eksperienca amerikane me kreditë nën-standard”, - theksuan ekspertët. Produktet e reja, që tregu bankar shqiptar i ofron konsumatorit shqiptar, për të cilat ai nuk ka shumë njohuri dhe eksperiencë, diktuan nevojën e një rregulloreje që do të orientonte dhe mbronte këtë konsumator. “Kërkesat e rregullores detyrojnë sistemin bankar të sigurojnë informimin e plotë të klientit para lëvrimit të kredisë, të të gjitha kostove që shoqërojnë klientin gjatë kohëzgjatjes së kredisë dhe të penaliteteve, në rast të mosrespektimit të kontratës, duke siguruar transparencë në tregun e transaksioneve”, - thuhet në deklaratë.

Detyrimi para kontratës

Rregullorja përcakton detyrimin për bankat në dhënien e informacionit parakontraktor dhe kontraktor. Informacioni parakontraktor i jep mundësi klientit të krahasojë ofertat para mbylljes së marrëveshjes së kredisë dhe konsistenca në informacionin e dhënë, bën të mundur që ky i fundit të vlerësojë përparësitë dhe mangësitë e kredisë konsumatore për banka të ndryshme që operojnë në sistemin bankar shqiptar.

Detyrimi në kontratë

Informacioni kontraktor përfshin informacionin e dhënë në fazën parakontraktore, por tashmë në kushte specifike të kredimarrësit si dhe informacionin mbi të drejtën e tërheqjes nga marrëveshja e kredisë dhe të drejtën e shlyerjes më herët të saj. Rregullorja është hartuar në bazë të ligjit për bankat, të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe eksperiencave të tjera për kredinë konsumatore dhe hipotekare për individët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›