Në vijë me Gjermaninë
Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor ka deklaruar se vendi i saj i përkrah pikë për pikë qëndrimet që Kancelarja gjermane, Angela Merkel ua kishte prezantuar autoriteteve serbe në lidhje me Kosovën.
Merkel ia ka bërë me dije Presidentit serb, Boris Tadic se nëse vendi i tij synon kandidaturën për anëtarësim në BE, duhet të tregojë rezultate në dialog me Kosovën, t’i largojë strukturat paralele si dhe t’i mundësojë EULEX’it që të punojë në tërë territorin e Kosovës.
Kryeministrja i ka përkrahur këto qëndrime të mërkurën në Prishtinë.
“Mbështesim tërë atë që e ka thënë në Beograd Kancelarja Angela Merkel”. ka thënë Kosor gjatë një paraqitjeje për media që ka pasur me Kryeministrin Hashim Thaçi.
Ajo e ka prezantuar vendin e saj si lider të rajonit duke shprehur gatishmërinë që Kroacia të ndihmojë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kroacia si lider i rajonit është e gatshme të ndihmojë që të vendoset dialogu mes Beogradit dhe Prishtinë”, ka thënë ajo.
Kroatja më pas ka folur edhe për miqësinë kroato–kosovare duke thënë se një gjë e tillë buron nga e kaluara që kanë pasur dy vendet, e veçmas nga lufta, siç ka thënë ajo, kundër tiranit Milosevic.
“Jam e kënaqur që jam për herë të parë në vizitë zyrtare në Kosovë. Është e rëndësishme të thuhet se miqësia ndërmjet popujve tanë është tradicionale dhe kemi përkrahur njëri-tjetrin në kohërat më të vështira. Personalisht po e përmend përkrahjen e ndërsjellë për aspiratat legjitime për ndërtimin e demokracisë në dy vendet tona. Kjo miqësi mes popujve tanë para se gjithash është dëshmuar edhe në luftën kundër tiranit Milosevic, kundër aspiratave madhore serbe dhe që të dy popujt kemi treguar sukses dhe kemi dëshmuar vendosmëri”, ka thënë Kosor.
“Kroacia e ka njohur ndër të parat shtetin e Kosovës dhe ne përgëzojmë për ndërtimin e institucioneve stabile, ndërtimin e urave të paqes, të bashkëpunimit dhe kjo është rruga që ne e përkrahim”, ka shtuar ajo.
Kosovarët, sipas Kosorit, për miqësinë me Kroacinë mund të llogarisin edhe në të ardhmen.
“Në Kroaci mund të gjeni mikun më të mirë në Europën Juglindore dhe në këtë ju mund të llogarisni edhe në të ardhmen”.
Kryeministrja Kosor e ka mbështetur integritetin territorial të Kosovës duke thënë se Kroacia do ta përkrahë vendin edhe në rrugën e integrimeve europiane.
“Tërësia territoriale e Kosovës dhe kultivimi i të drejtave të barabarta për secilin individ, qytetar apo komunitet, janë çështje të cilat Kroacia i mbështet në vazhdimësi”, tha Kryeministrja kroate”.
Kosor ka ritheksuar se dialogu është e vetmja rrugë.
“Tani, dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve”, ka theksuar ajo.
Autoritetet kosovare janë kujdesur që t’i rezervojnë një mikpritje të veçantë mysafires kroate, e cila ka ardhur në Kosovë me një delegacion të madh biznesmenësh kroatë.
Dy palët kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e transportit, ekonomisë dhe për bashkëpunim rreth çështjeve të integrimeve europiane.
Kryeministri Thaçi ndërkaq e ka quajtur shtet lider të rajonit Kroacinë dhe aleat të Kosovës.
“Kroacia është një shtet aleat i Kosovës dhe popujt e dy shteteve tona kanë miqësi dhe respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin.
Kjo miqësi është e natyrshme jo vetëm për shkak të kaluarës sonë të përbashkët të luftës për liri, mirëpo mbi të gjitha, për shkak të vizionit tonë të përbashkët të përqafimit të vlerave euroatlantike perëndimore”, ka thënë ai.
Kosor ka takuar Komandantin e KFOR’it, Erhard Buhler dhe ushtarët kroatë që shërbejnë në Kosovë si dhe ka vizituar edhe komunitetin kroat në Janjevë.
“Është e rëndësishme për Kroacinë që ju tentoni që të siguroni vendin e njëjtë për secilin qytetar me të drejta të barabarta dhe kjo është rruga që ju duhet ta ndiqni dhe këtu do ta keni përkrahjen tonë. Ne përkrahim rrugën e Kosovës në integrime evropiane dhe këtu do ta keni një mik të hapur dhe të sinqertë”, ka thënë ajo.