E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtrojnë n’Veri

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) doli të mërkurën në veri të vendit, por u kthye shpejt nga atje. Zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, duke mohuar ndërmarrjen e ndonjë aksioni atje, thanë se bëhej fjalë thjesht për një ushtrim. Megjithëkëtë, disa pika kyçe në Veri tash janë nën vëzhgim. Nga Jeton Musliu më 25 gusht 2011 në ora 07:58

Ai që u mendua të ishte një aksion në Veri të vendit, doli të jetë një gjysmëbllof, i cili serbëve radikalë, duket se ua shtoi temperaturën edhe ashtu të lartë që ishte të mërkurën.

Njësiti Special i Policisë së Kosovës- ROSU së bashku me KFOR’in, u nisën drejt veriut të vendit, duke bërë që mobilizimi i strukturave paralele për bllokimin e sërishëm të rrugëve, të nisë menjëherë.

Rreth 40 automjete të kësaj njësie kanë shkuar të mërkurën në mëngjes në veri të vendit në drejtim të dy pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, në kufi me Serbinë.

Por derisa lajmi për këtë lëvizje të parë të Policisë së Kosovës, që prej 25 korrikut kur ndodhi aksioni i parë atje, u përhap me të shpejtë, nuk vonoi edhe mohimi i pranisë atje të njësisë ROSU.

Pavarësisht kësaj, burime të Expressit në veri të vendit, tregojnë se pjesëtarë të kësaj njësie kanë dalë të mërkurën në veri të vendit, madje të shoqëruar edhe nga trupa të KFOR’it.

Por të njëjtit, pas disa orësh janë larguar nga atje, megjithëkëtë, jo tërësisht. “Disa pika të caktuara kyçe në atë rajon, janë nën vëzhgim”, thotë ky zyrtar për Express.

Sidoqoftë, ky aksion ishte menduar se bëhej për të arrestuar të dyshuarit për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe radikalëve të tjerë që i vunë zjarrin Pikës 1 në Leposaviq.

Një fakt të tillë në mënyrë të tërthortë, të mërkurën e pohoi edhe zëdhënësi i misionit të EULEX’it, Kai Mueller-Berner, i cili deklaroi se ky mision ka identifikuar të dyshimtët për vrasjen e policit të Njësisë Speciale të Kosovës dhe për djegien e kufirit në Jarinje.

“I kemi identifikuar të dyshimtët, por për shkak të hetimeve që po vazhdojnë, nuk mund të japim detaje të identitetit të tyre”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, disa orë më vonë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, demantoi pohimet se Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kanë shkuar në Veri për arrestimin e vrasësve të policit Enver Zymberi dhe atyre që dogjën pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ky ishte vetëm një ushtrim i njësisë ROSU në Mitrovicë. Duke ironizuar tërë këtë situatë, ai për Express tha se shkuarja në Veri e kësaj njësie, ishte “parafytyrim” i serbëve radikalë.

“Ka qenë vetëm një ushtrim i forcave speciale ROSU dhe asgjë tjetër. Ky ushtrim është mbajtur në jug të Mitrovicës, por atyre (serbëve) u janë shtihuar se po shkojnë te ta”, ka thënë ministri Rexhepi.

Deklarim pothuajse të njëjtë ka bërë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili për Express sqaroi se kjo njësi është duke ushtruar, madje në tërë territorin e vendit.

“Informata zyrtare që ne kemi për momentin është se jemi duke bërë ushtrime nëpër rajone të Kosovës”, ka Kelani.

Reagimet nga zyrtarët serbë kanë qenë të menjëhershme. Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, për mediat serbe e ka konfirmuar se 36 makina të njësive speciale ROSU, ishin nisur drejt pikave kufitare në Veri.

“Po na testojnë se sa shpejt mund të reagojmë”, ka thënë Ivanovic, duke shtuar se gjithçka është nën kontroll.

“Çdo rrugë fshati po përcillet dhe gjithçka e kemi nën kontroll. Të gatshëm jemi për të reaguar, por nuk besojmë se situata mund të eskalojë. Veç po testojnë, edhe ne, edhe se si faktorët ndërkombëtarë do të reagojnë. Idenë e kanë të keqe, sepse në çdo aksion të tyre nuk e kanë informuar as KFOR’in, e as EULEX’in”, ka thënë Ivanovic.

Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur në lidhje me çështjen e veriut të vendit, disa herë është shprehur se “kthim prapa në situatën e para 25 korrikut nuk do të ketë më kurrë”.

KFOR
Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler ka thënë se Njësia Speciale ROSU bëri vetëm ushtrime në jug të Mitrovicës. Ai ka shtuar në një konferencë shtypi se forcat e policisë asnjëherë nuk kishin ndërmend të kalonin në 4 fshatrat serbe të Veriut. Megjithatë, ai ka thënë se KFOR’i është i gatshëm që të ndihmojë Policinë e Kosovës dhe EULEX’in që të arrestojë përgjegjësit për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe ata që dogjën pikën kufitare në Jarinje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›