Në vijim të takimeve në zonat e prekura nga reshjet e dëborës në veri dhe verilindje të vendit, Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka vizituar sot, me porosi të Kryeministrit, Qarkun e Korçë
Në vijim të takimeve në zonat e prekura nga reshjet e dëborës në veri dhe verilindje të vendit, Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka vizituar sot, me porosi të Kryeministrit, Qarkun e Korçës.
Fillimisht, z.Dokle është ndalur në Ersekë, ku është takuar me autoritete vendore dhe me Shtabin e Emergjencës të këtij rrethi. Zv.kryeministri është njohur nga autoritetet vendore dhe drejtuesit vendorë të KESH, sektorit të rrugëve, të shëndetësisë, të arsimit etj. me situatën në Ersekë pas reshjeve të ditëve të fundit. Pas raportimit nga të gjitha linjat e pushtetit vendor, u konstatua se situata në Ersekë është nën kontrollin e institucioneve vendore dhe punohet me seriozitet për mbajtjen në gadishmëri të të gjitha strukturave përkatëse, krahas vështirësive që ka krijuar situata e reshjeve, veçanërisht në qarkullim në aksin rrugor në drejtim të Ersekës.
Z.Dokle falënderoi autoritetet e pushtetit vendor, forcat e rendit dhe të ushtrisë për punën e bërë për përballimin e kësaj situate. "Ju, edhe individualisht, e ndjeni përgjegjësinë për situatën dhe këtë e shoh tek të gjithë ju, të cilët me ndjenjë të lartë përgjegjësie po punoni për të minimizuar efektet që ka krijuar kjo situatë", u shpreh z.Dokle. Ai theksoi se Erseka ka një traditë të mirë për të përballuar këto situata. "Ky ishte një dimër i veçantë, i cili përsëritet një herë në 20 vjet dhe ju keni arritur të minimizoni problemet e krijuara prej tij", tha ai.
Por njëherësh z.Dokle kërkoi angazhimin e përkushtimin e të gjithëve për normalizimin e situatës. "Ndihmoni njeri tjetrin duke funksionuar si një organizëm i vetëm. Duke ndjerë këtë përgjëgjësi Qeveria mori dje vendimin për t'i ardhur në ndihmë financiarisht edhe zonave juglindore te vendit. Për qarkun e Korçës, Qeveria ka akorduar 4 milion lekë, shumë e cila po detajohet për çdo komunë e fshat. Por sigurisht jo çdo gjë bëhet me vendime, pasi rrugën, shkollën në komunë ju e njihni më mire dhe e dini se ku duhet dhënë ndihma e parë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha mjetet që ka vënë në dispozicion Qeveria për përballimin e kësaj situate", tha z.Dokle.
Më pas, zv.kryeministri Dokle është nisur drejt Korçës, ku do të zhvillojë gjithashtu takime me autoritete të pushtetit vendor të Korçës.