Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot në mbledhjen e radhës disa vendime dhe projektligje. • U miratua vendimi "Për rritjen e masës së trajtimit tÃ
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot në mbledhjen e radhës disa vendime dhe projektligje.
• U miratua vendimi "Për rritjen e masës së trajtimit të vecantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe të pilotëve fluturues, në pension".
Sipas këtij vendimi, për punonjësit në pension që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe të pilotëve fluturues, masa e trajtimit të vecantë rritet me 8 përqind.
Nga ky vendim përfitojnë rreth 1000 ish-punonjes të ndërmarrjeve të industrisë ushtarake dhe rreth 200 pilotë fluturues në pension.
Efektet financiare llogariten rreth 2 milionë lekë në muaj dhe është parashikuar që të përballohen nga buxheti i vitit 2005 për Ministrinë e Punëve dhe Ceshtjeve Sociale.
• U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr.766, datë 8.12.2998, të Këshillit të Ministrave, "Për pagesën e punonjësve të disa linjave teknologjike ushtarake të rëndësisë së veçantë", të ndryshuar.
Për të zbutur efektet sociale në rajonet ku është vendosur pjesa e industrisë ushtarake, sipas këtij vendimi, do të trajtohen për vitin 2005 me pagesë në gadishmëri 220 punonjës, të cilët, pas ristrukturimit të ushtrisë kanë dalë pa punë.
Pagesën e gatishmërisë e përfitojnë 200 punonjës të Kombinatit Mekanik Polican, 11 punonjës të Uzinës së lëndëve Plasëse në Elbasan dhe 9 punonjës të Uzinës mekanike në Gramsh.
Efekti financiar i këtij vendimi është 37 milione lekë dhe do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Punës dheÇështjeve Sociale.
• U miratua projektligji "Për një trajtim të vecantë financiar oficerëve dhe nënoficerëve lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension".
Me këtë projektligj synohet të rregullohet dhe të rritet masa e pensionit të pleqërisë për këtë kategori ushtarakësh.
Efektivat lundrues, oficerë dhe nënoficerë, të cilët kanë shërbyer në nëndetëse dhe të polumbarëve, oficerë dhe nënoficerë, të Forcave Detare të cilët kanë plotësuar apo plotësojnë kushtet për pension pleqërie, përfitojnë, përveç pensionit të pleqërisë, një trajtim të veçantë në masën:
• 50 përqind të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 15 vite kalendarike
• 30 përqind të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 10 vite kalendarike
• 20 përqind të pagës referuese, kur kanë shërbyer jo më pak se 7 vite kalendarike
Nga ky projektligj përfitojnë rreth 125 persona oficerë dhe nënoficerë, nq nivele nga ish komandant Force, Komandant Brigade, Komandant ND, anëtarë shtabi brigade, deri officere dhe nënoficerë të niveleve të ndryshme.
Projektiligji parashikohet të hyjë në fuqi brenda muajit mars 2005. Efekti financiar vjetor arrin shumën 10.000.000 lekë, që do të përballohet nga buxheti i shtetit 2005.
• U miratua vendimi "Për miratimin e protokollit të bisedimeve për bashkëpunim financiar dhe teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për vitin 2004 dhe të amendamenteve të tij".
Në kuadër të bashkëpunimit Teknik, qeveria gjermane do të akordojë një fond prej 2.25 milionë euro grant, për t'u përdorur për të mundësuar vazhdimin e projekteve tashmë të filluara, si dhe për projekte të reja. Kryesisht ky fond do të përdoret në sektorin e energjisë, përmirësimin e sistemit të ujesjellës-kanalizimeve në disa qytete, masat e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit, mbështetja e reformës strukturore, etj.
• U miratua vendimi "Për një shtesë të numrit të punonjësve në misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Europian".
Duke qene se negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian kanë arritur në një progres dhe pikë të rëndësishme, Këshilli i Ministrave vendosi rritjen e numrit të punonjësve në misionin e Shqipërisë pranë këtij institucioni, me synim dinamizimin e këtij procesi dhe garantimin e një bashkërendimi profesional me strukturat e BE-së, në mënyrë që të mbështeten dhe nxiten të gjitha proceset dhe politikat e integrimit.
Sipas vendimit, parashikohet shtimi i numrit te punonjësve deri ne 8 persona. Nënpunësit e parashikuar për t'u përfaqesuar në mënyrë direkte në Misionin e Republikës së Shqipërisë do të mbulojnë këto fusha kryesore të "Acquis Communitare", cështjet e drejtësisë dhe rendit, bujqësisë, tregëtisë, transportit dhe mjedisit.
• U miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin që amendon nenin 1 (A) dhe 14 (1), (3) (B), të Marrëveshjes Europiane të 30 shtatorit 1957, për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave të rrezikshme (ADR), bërë në Gjenevë, më 28 Tetor 1993". Këto amendime saktesojnë dhe qartësojnë funksionimin e këtij protokolli.
Protokolli është miratuar në 28 tetor 1993 në Gjeneve nga palët kontraktuese të marrëveshjes Europiane mbi Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Mallrave të Rrezikshme (ADR). Bërja palë e vendit tonë në këtë document të rëndësishëm do të ndihmojë në përmirësimin e legjislacionit tonë, edhe në kuadër të procesit të përafrimit te legjislacionit tonë me legjislacionin europian.
• U miratua vendimi për "Transferimin në pronësi të bashkisë së Delvinës së Mjediseve të ish brigadës së Këmbësorisë, në Rusan, Delvinë, të cilat janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtje.
Sipas këtij vendimi, mjediset e ish brigadës së këmbësorisë në Rusan, Delvinë, kalojnë në pronësi të bashkisë së Delvinës për t'u përdorur për nevoja strehimi për popullsinë e kësaj bashkie.
• Po sot, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shkarkimin nga detyra te Drejtorit te Patentave dhe Markave, Spartak Bozo.
Shkarkimi i z.Boze është marrë pasi në formularin e deklarimit të pasurive ka paraqitur të dhëna të pasakta për pasurinë që disponon, duke cënuar në këtë mënyrë figurën e drejtuesit të administratës shtetërore.
Ky vendim është marrë menjëherë pas informacionit të dhënë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive, i cili me anë të një letre, dërguar Kryeministrit, informon për parregullsitë e vërejtura në deklarimin e pasurisë së z.Bozo.