Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka vazhduar më tej sot vizitën në Qarkun e Korcës me një takim në Prefekturën e këtij qyteti me drejtues të pushtetit vendor dhe të strukturave të tjera q
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka vazhduar më tej sot vizitën në Qarkun e Korcës me një takim në Prefekturën e këtij qyteti me drejtues të pushtetit vendor dhe të strukturave të tjera që po punojnë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dëborës.
Zoti Dokle u njoh me situatën në komuna e fshatra të zonës, gjendjen e rrugëve nacionale dhe rurale që lidhin komunat me Qarkun e Korcës, furnizimin me energji elektrike, gjendjen në shërbimin spitalor etj.
Ai vlerësoi përgjegjësinë dhe seriozitetin e strukturave të pushtetit vendor, por dhe të banorëve në menaxhimin e vështirësive të krijuara, duke ritheksuar se Qarku i Korcës ka një traditë të mirë në përballimin e situatave të tilla.
Ndërkohë Zv/kryeministri u shpreh se "duke parë nga afër situatën, mendoj se çdokush ka ende punë për të bërë në plotësimin e detyrave të dala, vecanërisht në sektorë të tillë si shërbimi mjekësor për njerëzit në nevojë, arsimi, furnizimi me energji elektrike, shërbimi policor, etj".
"Ka një urdhër të Kryeministrit se si duhet të përballohet kjo situatë dhe çdo institucion duhet të nxjerrë përgjegjësitë e tij nga ky urdhër, prandaj kërkoj një gadishmëri në rritje nga drejtuesit e pushtetit vendor, në bashkëpunim me strukturat e tjera qeveritare. Ndihmoni njëri-tjetrin me përvojë e mjete, duke funksionuar si një organizëm i vetëm", u shpreh zoti Dokle.
Në këtë fuksion, Zëvendëskryeministri nënvizoi se të gjithë drejtuesit duhet të ndodhen aty ku është nevoja dhe të jenë sa më afër problemeve që nxjerr situata. Ai shtoi se "duhet te jeni ju ata të cilët duhet ta organizoni punën, në mënyrë që edhe ndihma e dhënë nga qeveria për këto zona, të shkojë në destinacionin e duhur".