E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vijim të vizitës së tij në Mat, Kryeministri Fatos Nano promovon Nismën "Profili human i biznesit". Kjo është nisma më e re dhe e parë në llojin e saj e komunitetit sipërmarrës nÃ

Në vijim të vizitës së tij në Mat, Kryeministri Fatos Nano promovon Nismën "Profili human i biznesit". Kjo është nisma më e re dhe e parë në llojin e saj e komunitetit sipërmarrës në Shqipëri për të krijuar një "Profil human të biznesit". Kjo nismë është ideuar nga Kryeministri Fatos Nano në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Nisma që u promovua sot në Burrel ka për qëllim një nga prioritetet më të rëndësishme të zhvillimit kombëtar dhe integrimit, arsimin. Ajo synon transformimin rrënjësor të sistemit arsimor në Shqipëri, vecanërisht në zonat veriore e verilindore.

Në promovim e kësaj nisme merrnin pjesë Ministri i Arsimit dhe i Shkencës Luan Memushi, Ministri i Financave Kastriot Islami, Ministri i Ekonomisë Arben Malaj, Ministri i Rendit Publik dhe njëkohësisht edhe deputet i zonës, Luan Rama, drejtues të pushtetit vendor si dhe përfaqsues të biznesit shqiptar.

Biznesmënët, pjesëmarrës në këtë promovim, përkrahën dhe mbështetën nisiativën e Kryeministrit dhe shprehën gatishmërinë për të investuar për zhvillimin e arsimit në zonën veriore dhe në gjithë vendin.

Biznesmenet falenderuan Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin për bashkëpunimin dhe për hapësirat që i janë krijuar zhvillimit te biznesit si dhe për faktin që Qeveria i konsideron biznesin partner luajal për zhvillimin e vendit.

Në këtë takim Kryeministri Fatos Nano u shpreh:

Zonja dhe Zoterinj,
Përfaqësues të komunitetit sipërmarrës,
Të zgjedhur dhe drejtues vendorë,

Më lejoni të shpreh kënaqësinë dhe njëkohësisht vlerësimin si Kryeministër për nismën më të re dhe të parë në llojin e saj të komunitetit sipërmarrës në Shqipëri për të krijuar një "Profil human të biznesit". Kjo nismë fillon nga puna sot këtu në Mat me një nga prioritetet më të rëndësishme të zhvillimit kombëtar dhe integrimit, arsimin. Vetëm dy ditë më parë Kryeministri Britanik Tony Blair e përcaktoi nivelin arsimor të një kombi si "përcaktues të begatisë së tij". Nisma e përbashkët e ideuar disa javë më parë dhe e bërë publike sot, synon pikërisht transformimin rrënjësor të sistemit arsimor në Shqipëri, vecanërisht në zonat veriore e verilindore ku edhe nevojat janë më të mëdha. Duke filluar nga ky gjimnaz ku jemi mbledhur sot, komuniteti sipërmarrës i inkuadruar në Bashkimin e Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë, ka marrë në partonazh 97 shkolla 8 vjecare dhe të mesme në të gjithë zonën veriore të Shqipërisë. Kjo iniciativë do të përshpejtojë realizimin e njërit prej prioriteteve themelore të programit të Qeverisë, por dhe të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social. Më lejoni të theksoj se në 6 vitet e fundit investimet publike për fushën e arsimit kanë qenë të konsiderueshme dhe prioritare. Mjafton të përmend se sot më shumë se gjysma e nxënësve të Shqipërisë mëosjnë në shkolla të reja apo të rikonstruktuara. Vetëm për vitin 2002 me fonde publike të financuar nga burime të brbndëshme apo të huaja u arrit të rikonstruktoheshin 42 shkolla 8 vjecare, 16 shkolla të mesme të përgjithshme, 5 shkolla të arsimit të mesëm profesional dhe 14 institucione të arsimit të lartë. Objektivat e Qeverisë për vitin 2003 ishin edhe më të larta, por partneriteti i qeverisë me komunitetin sipërmarrës në fushën e arsimit që po promovojmë sot, sjell një përmirësim sasior dhe cilësor të pakrahasueshëm.
Investimet publike dhe private në infrastrukturën e sistemit arsimor janë vetëm një nga komponentët shumë të rëndësishëm të angazhimeve të Qeverisë për një reformë tërësore të zhvillimit dhe integrimit të sistemit tonë arsimor sipas parametrave bashkëkohore. Vetëm një brez i ri i formatuar me dije të përgjithshme dhe profesionale të standarteve të përparuara botërore do të mund të shfrytëzojë më mirë vlerat e patjetërsueshme të lirisë dhe demokracisë, hapërisat ligjore për sipërmarrje të të gjitha fushave, përvojën dhe traditën kombëtare në rrugën e progresit dhe të integrimit.
Qeveria, krahas reformës në sistemin publik të arsimimit po vazhdon të zgjerojë hapësirat ligjore për sipërmarrjen private dhe në këtë fushë. Sot numërohen në të gjithë Shqipërinë mbi 100 institucione private të arsimit parashkollor, shkollor dhe universitar. Por dihet se kosto e arsimimit në institucione private ende është e pamundur të përballohet nga shumica e familjeve shqiptare. Pikërisht për të korrigjuar këtë efekt dhe për krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë fëmijët dhe brezin e ri të Shqipërisë, pavarësisht nga pasuria e prindërve, ndërmorrëm këtë iniciativë të përbashkët të Qeverisë dhe komunitetit sipërmarrës, për t'i sjellë dhe shkollat publike në nivelin dhe standartet e shkollave private. Dhe e nisim pikërisht me veriun e vendit, ku dihet se vështirësitë ekonomike dhe sociale të trashëguara për shkak të tranzicionit kaotik që trashëguam, janë ende të pranishme.
E theksova edhe më sipër se vlerësoj tej mase bashkëpunimin që komuniteti sipërmarrës ofroi në realizimin e kësaj nisme. Padyshim që kjo iniciativë plotëson më tej profilin human të sipërmarrjes shqiptare. Përtej këtij portreti, unë dua të siguroj të gjithë ata sipërmarrës që ju bashkuan kësaj nisme dhe të gjithë ata që do t'i bashkohen në vijim, se ky është investimi më i sigurtë dhe më dobiprurës që kanë kryer. Progresi i sipërmarrjes shqiptare, integrimi gjithnjë e më i madh i tregut kombëtar me atë rajonal dhe evropian, garantimi i një kompetiviteti të mallrave dhe shërbimeve tona në to, ju e dini më kirë se unë që garantohen nga investime në teknologji bashkëkohore, të cilat kërkojnë forca pune të afta dhe të specializuara profesionalisht. Për më tej, lufta që po kryen shteti si dhe rezultatet që po shfaqen në krijimin e një mjedisi ekonomik dhe tregu standart, nëpërmjet uljes së evazionit fiskal, të informalitetit, të ekonomisë cach, të konkurencës së pandershme etj, krijon një mjedis atraktiv për një shfrytëzim më të mirë të resurseve kombëtare, vecanërisht të burimeve njerëzore.
Emigracioni masiv, vecanërisht në fillimet e viteve '90, ka si tipar largimin nga vendi kryesisht të specialistëve dhe teknicienëve që e ndjenin veten të aftë për t'iu interguar në botën moderne. Vakuumi i krijuar për shkak të emigrimit të kësaj shtrese i ka sjellë padyshim vështirësi si administratës publike edhe sipërmarrjes private. Duke evidentuar me kënaqësi faktin se një pjesë e këtyre të emigruarve kanë kisur të rikthehen në atdhe si sipërmarrës apo kontribues të specializuar të sektorit publik, vakuumi i krijuar përgjatë dekadës së fundit do të mbushet me shpejtësi për shkak të angazhimit dhe investimit serioz të qeverisë dhe komunitetit sipërmarrës. Të gjithë së bashku po i japim brezit të ri shanset që t'i ngjajnë prindërve, vëllezërve dhe motrave të tyre që sot punojnë dhe jetojnë si të barabartë në botën moderne ku dhe Shqipëria po integrohet.
Iniciativa e sipërmarrjes shqipate për të ndihmuar këto treva, është një sinjal dhe një garanci e plotë për krijimin dhe implementimin e programeve të ngjashme nga shoqëria civile dhe vecanërisht nga donatorët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Në mënyrë të vecantë shtrirja e bashkëpunimit të Qeverisë dhe komunitetit sipërmarrës në veriun e Shqipërisë është një mesazh, por dhe një angazhim konkret se ne nuk i braktisim njerëzit në nevojë, ne i mbështesim ata, ne kujdesemi për ta. Trevat e veriut janë një pasuri e pazëvendësueshme kombëtare dhe si të tilla janë në vëmendjen e Qeverisë dhe të gjithë shoqërisë shqiptare për të garantuar një jetë më të mirë dhe më të denjë. Projekti "Profili human i biznesit" që po nis sot me transformimin e infrastrukturës së arsimit në veriun e Shqipërisë është vetëm një nga iniciativat që janë programuar të ndërmerren për t'a bërë këtë zonë të rëndësishme të vendit jo vetëm të jetueshme, por dhe atraktive për sipërmarrje, investime dhe punësim. Sot, këtu në Burrel pata kënaqësinë më marr pjesë në ceremoninë e inagurimit të një kompleksi industrial të përpunimit të drurit nga një sipërmarrje me seli në Tiranë. Jam i bindur se ky investim saado modest, është jë test i sigurtë për të gjithë sipërmarrësit se në këto zona investohet dhe fitohet në mënyrë të ligjshme.
Krahas projektit në fushën e arsimit, Qeveria do të vazhdojë të investojë në infrastrukturat që përshpejtojnë transformimin dhe integrimin e veriut me zonat metropolitane të vendit dhe botën moderne.
Duke përfunduar, më lejoni që si nismëtar i këtij projekti dhe si Kryeministër, t'i jap vetes atributet dhe detyrën e monitoruesit për t'u garantuar të gjithë së bashku për suksesin përfundimtar të kësaj nisme pioniere dhe zgjerimin e saj me aksione të tjera prioritare që i shërbejnë zhvillimit të vendit, duke forcuar gjithashtu partneritetin ligjor mes Qeverisë dhe siparmarrjes.

Punë të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›