Zhvillimet pozitive gjatë katër viteve të fundit në fushën e Shëndetit Publik

Shqipëria, si shumë vende të tjera të ngjashme me të, po përjeton në të njëjtën kohë probleme, me të cilat është përballur shëndeti publik klasik, si dhe probleme të lidhura me tranzicionin demografik dhe përparimin e shoqërisë së konsumit. Por, përtej sfidave të vazhdueshme që shtrohen përpara shëndetit publik, mund të nënvizohen një sërë zhvillimesh pozitive gjatë viteve të fundit në Shqipëri.
Modernizimi i sistemit dhe legjislacionit:
Sapo është miratuar ligji kuadër i shëndetit publik, që modernizon marrëdhëniet e institucioneve në fushën e parandalimit, si dhe vendos standarde e përgjegjësi konkrete për institucionet shëndetësore në këtë fushë.
Janë trajnuar një numër i madh specialistësh në menaxhim shëndetësor dhe po krijohet një masë profesionistësh që kanë njohuritë e nevojshme dhe janë të aftë të drejtojnë shëndetësinë në nivel qendror dhe lokal.
Vaksinimi:
Është ruajtur një mbulesë vaksinale mbi 90% në të gjithë territorin e vendit, ndërkohë që mbahen në monitorim intensiv shëndetësor popullatat me risk të larte si romët, zonat e largëta rurale, apo popullatat e zonave informale. Është pasuruar kalendari i vaksinimit me vaksina te reja dhe është skicuar strategjia e vaksinimit që parashikon vaksina të tjera në të ardhmen e afërt.
Promocioni i shëndetit:
Janë miratuar ligje të rëndësishëm për shëndetin e popullatës si ai i duhanit, i alkoolit, i zhurmave, i HIV/AIDS, i ushqimit, i jodit, i rrezatimeve. Për herë të parë është përgatitur paketa e shërbimeve të kujdesit parësor dhe janë detajuar detyrat e mjekeve dhe infermierëve lidhur me parandalimin dhe këshillimin. Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër 60% të kostove të programit të planifikimit familjar, ndërsa shërbimet e shëndetit riprodhues ofrohen tashmë në çdo komunë të vendit (nga vetëm në qytetet kryesore më parë). Gjithashtu, ka përfunduar Strategjia e Shëndetit Riprodhues. Informimi shëndetësor i publikut është rritur substancialisht, nëpërmjet aplikimit të kalendarit të promocionit dhe përdorimit efikas të mas-mediave.
Kontrolli i ujit të pijshëm:
Është përfunduar rishikimi i skemës së monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm në qytetet e vendit. Numri i pikave të monitorimit ka arritur në 500, nga 353 në sistemin e mëparshëm. Në këtë mënyrë, është rritur niveli i kontrollit të cilësisë së ujit të pijshëm nga Drejtoritë e Shëndetit Publik të rretheve. Vlerësimi i riskut për ndotjet e ujit të pijshëm dhe vlerësimi i situates higjieno-sanitare të furnizimit me ujë të pijshëm, vitet e fundit është bërë në bazë të analizës së Indikatorëve të Shëndetit Mjedisor, të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndërkohë, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian dhe konkretisht në fushen e Shëndetit Publik, në lidhje me ujin e pijshëm, është përgatitur Projekt- Rregullorja dhe Projekt- Standardi i ujit të pijshem. Kjo pritet të sjellë një përmirësim cilësor në standardin e ujit të pijshëm, sidomos ne uljen e vlerave te normës së disa parametrave kimike me veprim toksik.
Monitorimi i ajrit:
Cilësia e ajrit urban është monitoruar në shtatë qytetet kryesore të vendit gjatë viteve të fundit. Metodologjikisht, mesatarja 16 ditë monitorim në muaj për çdo indeks është sa minimumi i domosdoshëm kohor, që rekomandohet nga OBSH dhe ECEH.
Lufta kundër tumoreve dhe Kontrolli i sëmundjeve të zemrës:
Tashmë, është përgatitur një strategji kombëtare për luftën kundër kancerit dhe janë fuqizuar në mënyrë të ndjeshme kapacitetet e shërbimeve në parandalimin e kancerit të gjirit (aparatet e mamografise ne disa qytete te vendit). Ndërkohë, është në proces një program i kapjes së hershme të kancerit të gjirit dhe atij të qafës së mitrës në shërbimet e kujdesit parësor (trajnim i personelit, ndergjegjesim i popullatës, etj). Po kështu, është ndertuar dhe ka filluar të funksionojë në shumicën e territorit të vendit një program i depistimit (kapjes se hershme dhe trajtimit) i faktoreve risk për sëmundjet e zemres, si dhe janë përgatitur standardet, udhëzuesit dhe është trajnuar një pjesë e madhe e personelit.
HIV/AIDS:
Nëpërmjet Fondit Global, është siguruar financimi per nje sere aktivitetesh parandaluese ne fushën e HIV/AIDS. Aktivitetet po kryhen në bashkepunim me shoqerine civile dhe grupet e popullates me risk te larte. Në Tiranë dhe 8 qytete kryesore të vendit, janë ngritur qendra te testimit dhe këshillimit vullnetar në fushën e HIV/AIDS dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
...