Në zgjedhje të jashtëzakonshme apo në marrëveshje politike?
Derisa po e bëj këtë shkrim, ende nuk ka asgjë të re lidhur me mundësinë e rikandidimit të Behxhet Pacollit për president. Edhe pse thuhet se janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për këtë, megjithatë, çarjet në PDK, si dhe qëndrimet e opozitës në këtë drejtim, lënë mundësinë zero për rikandidimin e Behxhet Pacollit për president. LDK-ja, ka bërë të qartë se kërkon një president konsensual, si dhe marrëveshje për zgjedhje të parakohshme pas një viti, AAK thotë se do e bojkotojë seancën nëse kandidat do jetë Pacolli, kurse “Vetëvendosja”, ka bërë publike propozimin që Adem Demaçi të jetë president i vendit, ashtu edhe siç kam paralajmëruar edhe më parë. Në një analizë të paradoditshme të gjendjes së krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kundërkushtetueshmërinë e zgjedhjes së Behxhet Pacollit president, pata thënë se nëse Behxhet Pacolli nuk do të jetë kandidat për president, AKR-ja do e prishë koalicionin dhe vendi do gjendet në një krizë të thellë institucionale, për zgjidhjen e së cilës janë dy mundësi teorike dhe praktike: kolacioni PDK, AAK, partitë aleate të Pacollit, minoritetet dhe disa deputetë të LDK-së që do i bashkoheshin Listës “Rugova”, si dhe mundësia e një koalicioni me bazë të gjerë: PDK, LDK, AAK, minoritetet dhe “Vetëvendosja”, edhe pse kjo e fundit do e kërkonte postin e presidentit për Adem Demaçin. Në të kundërt, vendi do shkonte drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Në ndërkohë, pozicionet e palëve janë sqaruar dukshëm, me ç‘rast LDK-ja thotë se nuk do jetë pjesë e qeverisjes, por kërkon që presidenti të jetë i propozuar nga ana e saj, dhe tashmë nën zë përmenden emrat e Veton Surroit dhe të Sabri Hamitit, kurse AAK-ja, në asnjë mënyrë nuk do marrë pjesë në një seancë ku i propozuar për president do jetë Behxhet Pacolli. Në anën tjetër, duket se Hashim Thaçi është duke bërë trysni me zgjedhje të jashtëzakonshme, e të cilat më shumë se opozitës i leverdisin vetë atij, sidomos pas miratimit të buxhetit të Kosovës me rritjen e pagave, me të cilat, siç kam thënë po bën një blerje paraprake të votave. Po ashtu, me anë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Hashim Thaçi llogarit se mund t’i neutralizojë edhe çarjet brenda partisë, dhe kështu të mund të kalojë situatën në të cilën gjendet edhe brenda partisë së tij. Dhe tërë lëmshi politik është duke u rrotulluar rreth dilemës: zgjedhje të jashtëzakonshme, apo marrëveshje politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme pas një viti.Tërë sjellja politike e partive politike në Kosovë është në funksion të kësaj, sepse varësisht se cili opcion do fitojë, do të lërë imazhin e fitimtares nga kjo krizë politike. Nëse vendi do shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë del se fituesi nga kjo krize është Hashim Thaçi, kurse nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, atëherë del se fituese nga kjo krizë është opozita. Prandaj, gjithë përllogaritjet, gjithë trysnitë e palëve janë pikërisht në këtë aspekt.Por edhe këtu janë bërë disa përllogaritje të tjera: pozitës i leverdis që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse në ato zgjedhje mund të shkohet me ligjin aktual për zgjedhjet, e që nuk i leverdis opozitës. Në anën tjetër, edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit është një çështje, e cila nuk u leverdis asnjërës palë, pasi që cilado parti apo koalicion që mund t’i fitojë zgjedhjet, nuk mund ta zgjedhë presidentin dhe vendi sërish të kalojë nga një krizë në tjetrën. Shikuar në këtë aspekt, del se pa ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet, dhe pa ndryshimin e Kushtetutës, lidhur me zgjedhjen e presidentit, vendi do të jetë në një cikël të vazhdueshëm krize institucionale. Mirëpo, derisa Ligji i zgjedhjeve është më lehtë i mundshëm, ndryshimet kushtetuese janë pak më të vështira, pasi që kërkohen jo vetëm 2/3 e gjithë kuvendarëve, por edhe 2/3 e kuvendarëve të pakicave etnike, që përcaktohet nga kuvendarët serbë, të cilët për të dhënë konsensusin e tyre mund të kërkojnë ndryshime të Kushtetutës edhe në funksion të kërkesave të tyre strategjike. Kjo do të thotë se zgjedhja e presidentit mund të jetë një punë Sizifi që sapo ta afrojnë te caku, të rrokulliset përsëri në pikën fillestare. Janë këto elemente që krizën institucionale në Kosovë e bëjnë më të thellë sesa që duket, dhe sesa e paraqesin subjektet politike në Kosovë. Sidoqoftë, arritja e një konsensusi politik më të gjerë edhe si tërësi subjektesh politike, edhe si tërësi çështjesh politike, pra jo vetëm për zgjedhjen e presidentit, është rruga e vetme që vendi të mos zhytet nga njëra krizë institucionale në tjetrën, e të cilat do të kenë pasoja edhe për imazhin e Kosovës, edhe për ecuritë ekonomike, sociale e politike. Dhe me këtë rast, nuk bëhet fjalë se cili do jetë presidenti konsensual, por që zgjedhja e tij, të mundësojë që të zhbllokohen proceset ve tjera me rëndësi parësore për jetën shoqërore, politike e institucionale në Kosovë, dhe për të pasur kohë që të bëhen të gjitha ndryshimet e duhur ligjore dhe kushtetuese, si dhe për ta ruajtur sado-kudo stabilitetin politik e social të vendit.