E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vatra”: Mark Krasniqi, presidenti që i duhet Kosovës

05-04-2011 / Gazeta 55

Në editorialin e saj online, gazeta më e vjetër shqiptare Dielli, zëdhënësia e Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, ka dalë dje me një artikull, ku ajo shpjegon disa nga arsyet se përse "Mark Krasniqi është presidenti që i duhet Kosovës!?"
 
Editoriali i Diellit, fillon duke thënë: "Ja arsyet përse Akademik Mark Krasniqi është personaliteti që i duhet Kosovës në këto çaste të vështira, ku serbët po fërkojnë duart për shkak të krizës që vjen nga vetë shqiptarët”. Më tej në këtë editorial shkruhet se duket se emri i Pacollit nuk do ta zgjidhë nyjën gordiane të krizës kosovare. Emri i tij po e thellon krizën dhe nuk ka gjasa pajtimi, as brenda kampit të Thaçit, pa përmendur partitë e tjera. Në ndihmë të zgjidhjes së krizës po lakohet për postin e presidentit të Kosovës edhe Agim Çeku, ministër aktual i FSK-së dhe ish-kryeministër. Madje siç njoftoi media të dielën e 3 prillit, vetë kryeministri paska deklaruar se nuk do ta refuzonte propozimin për të kandiduar për postin e presidentit të Kosovës. Siç ka raportuar RTK-ja, “Çeku ka thënë se për hir të stabilitetit të vendit, do të pranonte që të kandidojë për president. Mirëpo, sipas tij, kjo varet nga kërkesa e subjekteve politike të Kosovës”. Mirëpo, sqaron Dielli - Çeku është një kandidaturë e gjetur, por sërish nuk është e sigurtë zgjidhja e krizës po të marrim parasysh se ata që kanë lidhje me luftën mund të sulmohen sërish nga Dick Marty apo Karla Del Ponte dhe sërish mund të na hedhin farën e krizës në Kosovë, çka mund të sfiliste edhe më shumë shtetin e ri, të cilit i imponohet krizë edhe nga Beogradi. Ndërkohë sipas saj Adem Demaçi është një tjetër personalitet që po lakohet për të drejtuar presidencën kosovare. Natyrisht, edhe emri i tij i propozuar nga Vetëvendosja e ka staturën e presidentit, por platforma që ai mbart, e njësuar me atë të Vetëvendosjes, duket se ende është e parakohshme, dhe do ta bënte Evropën të rishikonte qëndrim ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare në Ballkan.
Kështuqë, shkruan në editorialin e saj online gazeta më e vjetër shqiptare “Dielli”, zëdhënësia e Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra, "në kushtet e krijuara, akademiku Mark Krasniqi, mund të ishte një kandidaturë e gjetur për Kosovën, jo vetëm pse do të qetësonte Kosovën e zgjidhte krizën, por edhe do t’i mbyllte gojën Beogradi, që rreket prej kohësh të na shesë Kosovën si një terren të myslimanizmit ekstrem. Nuk do të ishte e drejtë që akademik Krasniqi të vinte në krye të presidencës vetëm pse është i besimit të pakicës katolike, por atij as nuk mund t’i mohohet ky post, pse nuk i takon shumicës myslimane. Arsyeja përse Krasniqi duhet të vijë në krye të presidencës është statura e figurës së tij, kapaciteti intelektual, maturia e gjykimeve, qëndrimet e mbajtura, mos shitja e shpirtit atdhetar tek ata që kanë sunduar Kosovën etj". Si konkluzion mësojmë nga ky editorial se vatranët mendojnë se "Akademik Mark Krasniqi është personaliteti që i duhet Kosovës në këto çaste të vështira, ku serbët po fërkojnë duart për shkak të krizës që vjen nga vetë shqiptarët"
Beqir Sina

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›