Në zonën e Shmilit mbahet festa e gështenjës, por fermerët ankohen për tregun

Si një mënyrë për të promovuar prodhimet e zonës së Labinotit, bashkia e Elbasanit organizoi festën e gështenjës. Përpos aktivitetit kulturor, në qendër të njësisë administrative, fermerët ekspozuan në panair produktet e zonës, ku spikati fruti i gështenjës. Sipas fermerëve, ky vit ka qenë një ndër më të mirët sa i takon prodhimit, por për ta problem mbetet mungesa e tregut dhe infrastruktura rrugore.
Vlerësojnë iniciativën e pushtetit lokal për të promovuar këtë kulturë, por thonë së ndihma e vërtetë do të ishte garantimi i tregut, pse jo dhe nxjerrja e këtij produkti jashtë.
Zona e Labinotit Mal mbahet kryesisht për prodhimin e gështenjës, pasi është e favorizuar nga terreni malor, i cili është shumë i përshtatshëm për këtë lloj kulture. Thuajse të gjitha familjet e këtij fshati kanë rrënjë gështenje, ndonëse nuk mungojnë edhe kultura të tjera bujqësore.
/rtsh.al/